Saturday, January 14, 2012

Drejtimet aktuale të studimit të Psikologjisë

Drejtimet aktuale të studimit të Psikologjisë
Sot psikologjia nuk ka një shkollë strikte mendimi. Si u bë e qartë më lart, ajo ka qenë e ndikuar nga një larmi pikëpamjesh dhe drejtimesh. Sot psikologët preferojnë më tepër një drejtim eklektik të studimit të sjelljes, duke kombinuar teori dhe metoda nga burime të ndryshme. Drejtimet aktuale më të rëndësishme të studimit të psikologjisë janë:

Drejtimi biologjik: një objektiv i rëndësishëm i psikologjisë së sotme është të kuptuarit e proceseve biologjike që janë në themel të sjelljes. Sistemi nervor ndihmon për të interpretuar perceptimet, për të koordinuar veprimet e për të ruajtur informacionin. Për motivacionin, personalitetin, sjelljen sociale, kujtesën dhe sjelljen anormale ka shpjegime biologjike.


Drejtimi humanistik: disa nga idetë e psikologëve geshtaltistë janë përfaqësuar në drejtimin që quhet psikologjia humanistike. Ky drejtim thekson se njerëzit janë organizma kompleksë dhe se çdo individ zotëron një kapacitet që e lejon atë të arrijë potencialin maksimal. Teoritë humanistike janë veçanërisht të rëndësishme në fushat e personalitetit, motivacionit dhe psikoterapisë.

Drejtimi psikoanalitik: teoria psikoanalitike e Freud ka vazhduar të ndikojë në mënyrën sesi ne mendojmë për vetveten. Ai thekson motivacionin e pavetëdijshëm dhe ndikimin e nxitjeve seksuale dhe agresive në sjellje. Ndikim i saj më i madh shfaqet në fushat e personalitetit dhe sjelljes anormale.

 Drejtimi kognitiv: psikologjia kognitive është një drejtim që po zhvillohet shumë shpejt dhe përfshin studimin e proceseve mendore si të menduarit, perceptimin,kujtesën dhe zgjidhjen e problemeve. Për arsye se shkolla e strukturalizmit dhe psikoanaliza e kanë vënë theksin tek vetdija, ato kanë ndikuar shumë në psikologjinë kognitive.

 
Drejtimi bihejviorist: shumë nga idetë e shkollave të bihejviorizmit dhe
funksionalizmit janë evidente në drejtimin e sotëm bihejviorist. Ndonëse shumë psikologë përdorin teoritë bihejvioriste, përcaktimi i sotëm i sjelljes ndryshon shumë nga përcaktimi që i kanë bërë asaj bihejvioristët e hershëm. Sot ajo përfshin si proceset kognitive si të menduarit, ndjenjat, ashtu edhe sjelljen që vëzhgohet direkt.

No comments:

Post a Comment