Saturday, January 14, 2012

KUJTESA

KUJTESA

Ç’është kujtesa? Cili është ndryshimi midis të mësuarit dhe kujtesës?
Në fakt këto dy terma nuk dallohen lehtë nga njëri-tjetri. Për të mbajtur mend diçka në
fillim ajo duhet të mësohet, kurse mënyra e vetme për të provuar sesa është mësuar është
matja e asaj që mbahet mend.

Në temën mbi të mësuarit e përkufizuam të mësuarit si një ndryshim relativisht të
qëndrueshëm të sjelljeve ose aftësive të sjelljes, që vjen si rezultat i përvojës. Kështu të
mësuarit mund të mendohet si marrja e një informacioni të ri apo shprehive të reja.
Kujtesa ka të bëjë me depozitimin e informacionit që mësohet, në mënyrë që ai të mund
të merret dhe të përdoret më vonë. Procesi i kujtesës koincidon me proceset e:
1. perceptimit (perceptimi i stimujve që mësohen),
2. të mësuarit (njohja e lidhjeve midis stimujve)
3. ndërgjegjes (të qenit i ndërgjegjshëm për një informacion të caktuar, në një kohë të
caktuar).

Me qëllim që të mbahet mend diçka një personi i duhet të përfitojë (ose të mësojë)
sjelljen (ose informacionin), ta ruajë atë derisa ti nevojitet dhe më pas të jetë në gjendje ta
verë atë në përdorim. Ruajtja matet duke i kërkuar personit të përdorë informacionin e
mësuar më parë. Harresa apo humbja e ruajtjes është pjesa e të mësuarit fillestar që nuk
mund të riprodhohet e të përdoret.
Kanë qenë të shumta përpjekjet për të përshkruar fazat në të cilat kalojnë kujtimet tona
ndërsa depozitohen. James e shikonte kujtesën primare si pjesë të ndërgjegjes sonë të
vetëdijshme dhe kujtesën dytësore si pjesë të mendjes, në të cilën njohuritë depozitohen
derisa të dalë nevoja për tu sjellë sërisht në ndërgjegje.
Kujtimet tona përbëhen nga tre lloje të dallueshme informacioni: personal, i përgjithshëm
dhe shprehitë. Informacioni i përgjithshëm përfshin njohuri të përgjithshme që i kemi
fituar jashtë përvojave të veçanta (qëndrimi ynë ndaj shkollës, njohuritë për videot, fjalori
ynë), informacioni i shprehive përfshin aftësitë e sjelljes dhe ato të sjelljes (dhënia e
biçikletës, zgjidhja e një fjalëkryqi).

Proceset e kujtesës.
Nëse dikush do t’u pyeste cili është autori i librit që po lexoni, ju mund ti jepnit një nga
këto tre përgjigje: ‘S’e kam mësuar ndonjëherë’, ‘E harrova fare’, ‘S’më kujtohet mirë’.
Këto tre përgjigje i korrenspondojnë në vija të trasha tre përbërësve bazë të sistemit tonë
të kujtesës: kodimi, depozitimi dhe riprodhimi.
Hapi i parë është kodimi – procesi i futjes së informacionit në sistemin tonë të kujtesës.
Nëse së pari nuk e mësojmë apo provojmë diçka, më vonë nuk kemi sesi të jemi në
gjendje ta mbajmë mend. Stimujt që përcaktojmë apo për të cilët jemi të ndërgjegjshëm
duhet të transformohen në një farë mënyre në të dhëna që mund të depozitohen në
‘bankat’ e kujtesës së trurit tonë. Në thelb kodimi është procesi me anë të të cilit sistemi
nervor krijon një përfaqsim të stimujve që ne perceptojmë.
Ka një numër faktorësh që ndikojnë në efektivitetin e procesit të kodimit. Neve na duhet
të përcaktojmë ngjarjen dhe ti kushtojmë vëmendje karakteristikave të saj. Për të mbajtur
mend ne duhet të jemi të motivuar dhe informacioni duhet të jetë i kuptimshëm ose të jetë
i lidhur me jetën tonë. Dhe nëse ne e praktikojmë apo bëjmë prova probabiliteti për ta
mbajtur mend informacionin rritet në mënyrë të ndjeshme.

Pasi informacioni është koduar, ose futur në kujtesën tonë, neve na duhet ta depozitojmë
atë. Hapi i dytë, depozitimi – është procesi që e mban informacionin në sistemin e
kujtesës për një farë kohe. Procesi i kodimit dhe depozitimit nuk dallohen lehtë, sepse
varen reciprokisht nga njëri-tjetri. Kujtesa jonë është një proces dinamik, që ndryshon
vazhdimisht për ti krijuar vend informacionit të ri. Sot besohet se ekzistojnë tre depozita
të veçanta të kujtesës: depozita e kujtesës shqisore, kujtesës afatshkurtër dhe afatgjatë –
kujtimet kalojnë nëpër të tre depozitat.
Hapi i tretë në procesin e kujtesës është riprodhimi – nxjerrja e informacionit nga sistemi
i kujtesës. Ne nuk dimë se ç’kemi depozituar deri në momentin që nxjerrim
informacionin. Ndonjëherë informacioni depozitohet me saktësi, por nuk mund të
riprodhohet në një çast të caktuar. (Kur keni bërë provime, a ju janë kujtuar të gjitha?).
Përgjigjet e provimit janë në kujtesën tuaj, por keni vështirësi në riprodhimin e tyre.
Suksesi i riprodhimit është sigurisht i lidhur ngushtë me efektivitetin e kodimit dhe
depozitimit. Për këtë arsye dallimi midis këtyre proceseve nuk është shumë i qartë.

Depozitimi i informacionit
Kujtesa shqisore
Një ngacmues (stimul) nga mjedisi rrethues vazhdon të veprojë për një kohë të shkurtër
mbi sistemin tonë perceptues edhe pasi të jetë ndërprerë. P.sh. kur fotografi përdor blicin
vazhdojmë të shikojmë dritë edhe më pas (megjithëse blici nuk përdoret më).
Vazhdimësia perceptuese e një ngacmuesi pas ndërprerjes së tij në mjedisin rrethues
quhet gjurma e stimulit.
Kujtesa shqisore quhet depozita e kujtesës ku futet së pari informacioni shqisor.
Informacioni në formën e gjurmës së stimulit në kujtesën shqisore është relativisht i
përpunuar dhe pret të përpunohet më tej.
Kujtesa shqisore ka disa karakteristika të rëndësishme që e dallojnë nga depozitat e tjera
të kujtesës:
_ Informacioni në kujtesën shqisore është pak a shumë një përfaqësim i saktë i stimujve
të mjedisit, por është i papërpunuar.
_ Kujtesa shqisore ka një kapacitet shumë të madh.
_ Kujtimet i mban vetëm për një kohë të shkurtër, më pak se një sekondë.
Kujtesa ikonike – kujtesa shqisore pamore, pra vazhdimi i shkurtër i stimujve pamorë,
quhet kujtesë ikonike. Ikona është një perceptim pamor i përcaktuar, si psh: kujtesa jonë
për një shkronjë a fjalë menjëherë pasi e kemi parë atë.
Kujtesa jehonë – vazhdim i shkurtër i stimulit dëgjimor, pasi tingulli vetë ka pushuar së
vepruari.
Kujtesa afatshkurtër.
Informacioni vendoset në kujtesën afatshkurtër (KASH) kur individi e vë re një stimul.
Ka disa terma që përdoren për këtë fazë të kujtesës, si kujtesë pune, kujtesë çasti, kujtesë
aktive apo kujtesë parësore. Në thelb KASH është vendi ku mbajmë informacionin për të
cilin jemi të ndërgjegjshëm në një moment të caktuar. Na një farë mënyre ajo është
ndërgjegjja jonë dhe ka rëndësi për një shumëllojshmëri detyrash si për të menduarit, të
lexuarit, të folurit dhe për zgjidhjen e problemeve. KASH përdoret kur duam të mbajmë
mend një numër telefoni që sapo e kemi parë në numerator apo kur vendosim çfarë do të
blejmë në dyqanin e ushqimeve. Ndryshe nga kujtesa shqisore, KASH ka kapacitet


shumë të kufizuar, në rreth 7 pjesë informacioni. Kohëzgjatja është rreth 30’, para se ky
informacion të humbasë. Gjithashtu ndryshe nga depozita shqisore, informacioni në
KASH mund të mbahet më gjatë nëse e përsërisim vazhdimisht.
Kodimi në KASH. Kodimi ka të bëjë me vendosjen e informacionit në sistemin e
kujtesës. A e kodojmë në kujtesë çdo gjë që shohim? Stimuj të shumtë i bombardojnë
shqisat tona dhe neve na duhet të përdorim njohjen e modeleve dhe vëmendjen selektive
për të mënjanuar informacionin pa lidhje dhe për t’u përqëndruar në stimujt e
rëndësishëm. Ne kemi prirjen të mbajmë mend ato informacione për të cilat jemi të
interesuar dhe që jemi të motivuar për ti mësuar. P.sh: nga një libër ne mbajmë mend
gjërat praktike apo informacionet interesante.
Dy faktorë shumë të rëndësishëm në kodimin e informacionit janë kuptimshmëria dhe
grupimi. Kuptimshmëria është vlera informative e materialit. Një material me
kuptimshmëri të lartë kodohet më lehtë se një material me kuptimshmëri të ulët.
Përpiquni ti thoni shkronjat e mëposhtme sipas rradhës: Q-ENT-ËPA-NËM-ACE-N. A i
mbani dot mend? Ky varg shkronjash ka shumë pak kuptim për ju. Megjithatë ne mund ta
shtojmë ndjeshëm kuptimshmërinë e këtyre shkronjave duke bërë rigrupimin e tyre:
QENTË-PANË-MACEN. Kësaj here nuk duhet të keni asnjë vështirësi për të mbajtur
mend shkronjat, sepse ato janë renditur në mënyrë të tillë që kanë kuptim për ju.
Një arsye tjetër pse patët sukses herën e dytë është fenomeni i quajtur grupim. Ky është
proces kodimi me kombinim stimujsh. Është vërejtur se aftësia e njeriut për të mbajtur
mend informacionin e paraqitur është e kufizuar në rreth shtatë informacione. Grupimi na
ndihmon të përmirësojmë kujtesën, sepse çdo grup mund të përmbajë më shumë
informacion.
Çfarë kodi përdoret në kujtesën afatshkurtër? Studimet tregojnë se ka më shumë të ngjarë
të përdorim një kod dëgjimor për të depozituar një informacion, përsa i përket mënyrës
sesi ai tingëllon. Mundësia më e madhe është ta përsërisim informacionin vazhdimisht
dhe duke përsëritur mënyrën sesi ai tingëllon e depozitojmë në KASH. Disa individë janë
në gjendje të përdorin kodin pamor në kujtesën afatshkurtër.
Përsëritja
Ka një mënyrë për ta mbajtur informacionin në KASH për një kohë shumë më të gjatë,
dhe kjo mënyrë është përsëritja. Ajo mund të marrë dy forma: përsëritja për mbajtjen
mend të informacionit në kujtesë dhe për përpunim. Përsëritja për mbajtjen mend
informacionit është thjesht një rithënie e vazhdueshme e materiali, pa menduar për të.
Përsëritja për përpunimin e informacionit ka të bëjë me të menduarit në kuptimin e
materialit dhe përpjekja për të krijuar lidhje me informacionin që tashmë gjendet në
kujtesën tonë. Kjo është shumë më efektive sepse ka një nivel të thellë përpunimi.
Kujtesa afatgjatë.
Përmes përsëritjes përpunuese njeriu është në gjendje të kodojë informacionin, në mënyrë
që ai të hyjë në kujtesën afatgjatë (KAGJ). Kyçi për kodimin në kujtesën afatgjatë është
organizimi i materialit në mënyrë që ai të ketë kuptim. Në një kuptim KAGJ mishëron
anët më të mira të depozitave shqisore dhe afatshkurtra, kapaciteti i saj është pothuaj i
pakufizuar për sa i përket sasisë së materialit që mund të depozitohet dhe kohëzgjatja e
saj duket se është relativisht e përhershme.

I lidhur ngushtë me përsëritjen për përpunimin e informacionit është koncepti i thellësisë
së përpunimit. Kjo ide nuk përfshin depozita të veçanta kujtese, perkundrazi ajo e
konsideron kujtesën si një njësi me nivele të ndryshme thellësie. Informacioni që nuk ka
lidhje apo që është i rastësishëm, nuk mbahet mend aq mirë sa informacioni që ka kuptim
ose të cilin subjekti është i interesuar ta mbajë mend. Materiali që ka kuptim mund të
përpunohet më në thellësi.
Përsëritja për mbajtjen
mend të informacionit
Ngacmuesi Riprodhimi
Mjedisor Vëmendja
Përsëritja për përpunimin
e informacionit

Riprodhimi i
informacionit
Skema për këtë teori të kujtesës na tregon se i gjithë informacioni hyrës në fillim kalon
përmes kujtesës shqisore (KSH), përpara se të hyjë në kujtesën afatshkurtër (KASH). Atje
ky informacion mund të mbahet përmes përsëritjes dhe/ose kodohet me sukses për
depozitim në kujtesën afatgjatë (KAGJ) ose harrohet.
Një lloj klasifikimi i kujtesës dallonte dy lloje KAGJ: kujtesën sematike dhe episodike.
Kujtesa episodike është një nënsistem i kujtesës semantike, dhe kujtesa semantike është
nënsistem i kujtesës proceduriale.
Kujtesa proceduriale është tipi më themelor i kujtesës dhe ka të bëjë me krijimin e
assocacioneve midis stimujve dhe përgjigjeve. Të mbash mend si ti japësh biçikletës, si të
hash gafore apo që u sëmure pasi hëngre sanduiç, janë shembuj të kujtesës proceduriale.
Kujtesa semantike ka një tipar shtesë. Ajo i lejon individit të krijojë modele në mjedisin
rrethues. Ndërsa kujtesa proceduriale na jep sjellje të dukshme, kujtesa semantike mund
të përfshijë aktivitete njohëse (kognitive). Njohuritë që përdorim në përvojën tonë të
përditshme “2+2=4” ‘Nata është e errët’ apo formimi i shumësit të emrave janë shembuj
të kujtesës semantike. Përdorimi i informacionit nga kujtesa bëhet në mënyrë automatike
dhe riprodhimi shpesh është përgjigjja e pyetjes “çfarë?”.
Kujtesa episodike është sistemi më i lartë i kujtesës dhe na jep tiparet shtesë të ruajtjes së
njohurive në lidhje me përvojat vetiake. Ndonjëherë e quajmë kujtesë autobiografike. Ajo
përfshin ngjarjet që kanë kuptim për ne personalisht. Të mbash mend që hëngre pulë për
darkë natën e kaluar, apo që pe një film me filan aktore javën që shkoi, janë shembuj të
kujtesës episodike. Ashtu si kujtesa semantike, kjo lloj kujtese ka të bëjë me aktivitete
njohëse, por riprodhimi i materialit i përgjigjet pyetjes “kur?” dhe “ku?”. Në rastin e
amnezisë njeriu mban mend akoma fakte të përgjithshme dhe është i aftë të kuptojë
(kujtesa semantike), por nuk mban mend informacione që lidhen me personin e tij
(kujtesa episodike). Kujtesa semantike mund të konsiderohet si fjalor, ndërsa kujtesa
episodike si ditar.

KSH KASH KAGJ

Herë pas herë ndodhin ngjarje aq të rëndësishme saqë ato lenë një përshtypje shumë të
gjallë në kujtesën episodike, ndaj dhe për këto ngjarje mund të merren shumë më tepër
hollësi se zakonisht. Kjo lloj kujtese quhet kujtesë blic.

1 comment: