Saturday, January 14, 2012

Të mësuarit

Të mësuarit

Ç’është të mësuarit?
Që nga momenti që zgjohemi në mëngjes e derisa shtrihemi të flemë në darkë, pothuajse çdo gjë përfshin të mësuarit. Në fakt të mësuarit është kaq i rëndësishëm për jetën tonë, sa është e vështirë të gjesh situata ku nuk përfshihet. Zakonisht psikologët e përkufizojnë të mësuarit si një ndryshim relativisht të përhershëm në sjelljen ose aftësinë e individit për të manifestuar një sjellje të caktuar, që ndodh si rezultat i përvojës. Drejtimi
bihejviorist e vë theksin në ndryshimin aktual të sjelljes, ndërsa drejtimi kognitivist e vë theksin në ndryshimin e aftësisë për të manifestuar këtë sjellje.Në këtë përkufizim mund të diskutohen një sërë karakteristikash.

 Së pari, të mësuarit nënkupton një ndryshim relativisht të përhershëm. Kjo karakteristikë buron nga fakti se sjellja e individit modifikohet dhe vazhdon ta ruajë karakterin e ndryshuar në të ardhmen. Termi relativisht i përhershëm e dallon të mësuarit nga ndryshimet e përkohëshme të sjelljes, që shkaktohen nga motivimet, lodhja, ilaçet. (Kur jemi të lodhur ne sillemi ndryshe nga zakonisht – shkojmë të flemë herët, bëhemi të pakujdesshëm, por ky ndryshim nuk ka të bëjë me të mësuarit.Po kështu edhe motivet, si uria, etja mund ta ndryshojnë përkohësisht sjelljen, porsapo kemi ngrënë e kemi pirë kthehemi tek sjellja e mëparshme.)

Së dyti, të mësuarit nënkupton një ndryshim në sjelljen e individit apo në aftësinë për të manifestuar një sjellje të caktuar. Shpesh bëhet dallimi midis të mësuarit dhe zbatimit të asaj që është mësuar. Sjellja konkrete që mund të vëzhgohet quhet zbatim, ndërsa për të mësuarit ne gjykojmë nisur nga sjellja. Zbatimi mund të mendohet si rezultat i kombinimit të të mësuarit me motivet. Le të supozojmë se kur shkoni në klasë e keni lexuar këtë mësim dhe e dini kuptimin e tij. Por edhe atëherë kur e dini kuptimin ju nuk e shprehni atë derisa të motivoheni për ta bërë diçka të tillë (të pyeteni apo të bëni provim). Edhe pse i referohemi zbatimit dhe të mësuarit sikur të ishin e njëjta dukuri, mes tyre ka dallim. Karakteristikë është se ju mësoni shumë më tepër nga sa shprehni.
 
Së treti, të mësuarit është rezultat i përvojës në mjedis. Për të mësuar ne duhet ti perceptojmë gjërat në mjedisin tonë dhe ti shoqërojmë apo ti lidhim ato me sjelljen tonë. (Ne mësojmë se në restorante të caktuara serviret ushqim më i mirë përmes përvojës që ne fitojmë duke ngrënë në të gjithë restorantet, dhe e ndryshojmë sjelljen tonë duke vazhduar të hamë vetëm në restorantet më të mira). Për tu realizuar të mësuarit është e nevojshme përvoja në mjedis. Ja pse ndryshimet në sjellje të shkaktuara nga rritja fizike, pjekuria ose dhimbja nuk janë shembuj të të mësuarit.
Shumica e psikologëve e studiojnë sjelljen e individit si diçka që shprehet në veprime specifike, të cilat quhen reagime. Po ta shikojmë një individ të izoluar dhe të injorojmë mjedisin ku ai jeton, nuk do të përparojmë shumë në kuptimin e sjelljes së tij. Është e qartë se duhet të llogarisim edhe mjedisin e individit, ngjarjet që ndodhin jashtë organizmit. Vetëm në lidhje me mjedisin bëhen të kuptueshme sjellje të tilla si puthja e fëmijës, pirja e ilaçit, kërcimi i një valsi. Sikurse sjellja, mjedisi duhet copëzuar në njësi të kuptueshme, të cilat janë quajtur ngacmime. Ngacmuesit mjedisorë na detyrojmë të veprojmë në mënyra të caktuara (dritat e semaforëve, bilbili i policit).Të mësuarit nënkupton vendosjen e shoqërimeve midis ngjarjeve në mjedis (ngacmuesit) dhe sjelljes sonë (reagimit). Shumë teoricienë mendojnë se përforcimi ose shpërblimi është i domosdoshëm për të realizuar të mësuarit, ndërsa të tjerë mendojnë se shpërblimi shërben si motiv për të shprehur atë që është mësuar.


Kushtëzimi klasik.

Shembulli më tipik i kushtëzimit klasik është eksperimenti i famshëm i Pavlovit me qentë. Pavlovi fillimisht i binte ziles pak çaste para se tu jepte ushqimin qenve. Fillimisht ata nuk shfaqnin ndonjë reagim të veçantë ndaj ziles, por pas disa provave tek ta fillonte sekretimi i lëngut gastrik me të dëgjuar zilen, edhe pa e parë ushqimin. Ai që fillimisht ishte një ngacmues neutral, tani e bënte qenin të sekretonte – qeni kishte mësuar ta interpretonte tingullin e ziles si një sinjal se së shpejti do të ushqehej. Ky lloj të mësuari
quhet kushtëzim klasik. Termi “kushtëzim” përdoret për të treguar një formë realtivisht të thjeshtë të mësuari, që shpesh studiohet në mënyrë shkencore. Të mësuarit është një term shumë i gjerë që përfshin në vetvete jo vetëm të mësuarit e kushtëzuar, por edhe format etjera të fitimit të sjelljeve të reja.
Terminologjia e kushtëzimit klasik:

 Ngacmuesi i pakushtëzuar (NP) – është çdo lloj ngacmuesi që provokon reagime automatike apo refleksive tek një individ. (zhurma e papritur, shpimi i gjilpërës)
 
Reagimi i pakushtëzuar (RP) – është reagimi i veçantë i shkaktuar nga NP. (tendosja e trupit pas zhurmës, brofja nga shpimi i gjilpërës)
Termi “i pakushtëzuar” përdoret për një sjellje që nuk është e nevojshme të përjetohet si reagim ndaj një ngacmuesi në situatën aktuale. Ai është një refleks i programuargjenetikisht apo i mësuar më parë. E rëndësishme është se subjekti manifeston automatikisht reagime të pakushtëzuara, kur ndeshet në ngacmues të pakushtëzuar.
Nëse ngacmuesi i pakushtëzuar vepron në mënyrë të vazhduar menjëherë pas disa ngacmuesish neutralë si zilja e Pavlovit, atëherë ngacmuesi neutral i vetëm do të mjaftojë për të shkaktuar reagim.

 Në këtë rast ngacmuesi neutral i fillimit quhet ngacmues i kushtëzuar (NK).
_ Reagimi i ri i mësuar ndaj NK quhet reagim i kushtëzuar (RK).
Parapëlqehet që kushtëzimi klasik të quhet “zëvendësimi i ngacmuesit” në të cilin NP zëvendësohet nga NK dhe reagimi mbetet i njëjtë.


Kushtëzimi veprues
Kushtëzimi veprues ka të bëjë me të mësuarit përmes provave dhe gabimeve.Padyshim macja mësoi diçka, por kjo nuk mund të shpjegohet me kushtëzimin klasik.Tërheqja dhe shtypja nuk ishin reflekse, por reagime të vullnetshme: ato nuk u shkaktuan automatikisht nga ndonjë ngacmues i pakushtëzuar
Në një studim tipik një mace vendoset në një kafaz të vogël dhe jashtë kafazit lihet pak ushqim, i dukshëm nga macja e uritur. Në fillim macja u vërdallos pa pushim, gërvishi hekurat e kafazit dhe gjithë objektet në të. Më në fund kur macja shtypi butonin e duhur, dera e kafazit u hap, macja doli dhe iu turr ushqimit. Pas kësaj macja u fut përsëri në kafaz dhe u la të përpiqej përsëri. Në çdo provë që pasonte maces iu desh gjithnjë e më pak kohë për të gjetur butonin që duhej shtypur e për të dalë nga kafazi.
Thordnike e quajti këtë formë të mësuari kushtëzimi instrumental, duke shtuar se individi shërben si instrument në kryerjen e nje reagimi. Për të shpjeguar këtë lloj të mësuari, Thordnike propozoi ligjin e efektit: çdo reagim që jep kënaqësi në një situatë të dhënë shoqëron atë situatë, dhe kur
situata përsëritet, ka shumë të ngjarë të përsëritet edhe reagimi. Ligji i efektit i përshtatet atij të mësuari që ndikon (ose ndryshon) mjedisin. Shkaku që reagimet përsëriten është pikërisht ndryshimi që ato sjellin në shkallën e kënaqësisë.Njëriu që ka kontribuar më shumë për ti dhënë formë drejtimit të kushtëzimit veprues ka qenë B.F.Skinner. Sjelljen që kontrollohet nga pasojat ose efektet e saj ai e quajti sjellje vepruese, sepse funksioni i saj është të veprojë mbi mjedisin. Në dallim nga kushtëzimi klasik, sjellja vepruese në fillim shfaqet pak a shumë si një veprim rastësor. Kjo sjellje
mësohet ose kushtëzohet në mënyrë vepruese vetëm atëhere kur ajo pasohet rregullisht nga përforcimi. Përforcim është ajo dukuri që rrit mundësinë e përsëritjes së sjelljes që i paraprin. Në përgjithësi përforcimi mund të mendohet si diçka që ka formën e shpërblimit.

Të mësuarit kognitiv
Si kushtëzimi klasik ashtu edhe ai veprues janë të dy shembuj të të mësuarit me anë të shoqërimit. Një tip tjetër i të mësuarit mbështetet më shumë në proceset njohëse. Të mësuarit kognitiv nënkupton se për të marrë vendime lidhur me sjelljen e tij, individi përdor strukturat mendore dhe kujtesën. Tre llojet e të mësuarit kognitiv janë: të mësuarit me anë të insajtit, të mësuarit latent (i padukshëm) dhe të mësuarit përmes vëzhgimit.
Insajti
Të mësuarit me anë të insajtit është një lloj i të mësuarit kognitiv. Në një eksperiment klasik, të kryer në 1927, psikologu geshtaltist Kohler vëzhgoi një shimpaze,që mundohej ë kapte një tufë bananesh, të varura aq lart sa ajo nuk mund ti kapte. Kafsha kërceu disa erë, por shpejt ndaloi dhe pa përreth kafazit. Pas afro një minute kafsha vuri disa kuti njëra mbi tjetrën, u ngjit mbi to dhe i arriti bananet me lehtësi. Kohler e quajti këtë rast një shembull të insajtit ose të perceptimit të papritur të marrdhënieve të elementëve
kognitivë, të domosdoshëm për të zgjidhur një problem. Në këtë situatë nuk ka ndonjë formësim gradual të reagimit përmes përforcimit. Kohler argumentoi se proceset kognitive e lejuan kafshën të zgjidhte problemin, pa patur nevojë të përdorte alternativa të ndryshme përmes provash e gabimesh.
Të mësuarit latent dhe hartat kognitive Faktorët kognitivë janë thelbësorë edhe për të mësuarit latent. Të mësuarit latent ndodh atëherë kur individi fiton dije për diçka, por nuk i manifeston ato derisa të jetë i motivuar
për ta bërë këtë gjë.Në librin e tij, të botuar në 1932, E. Tolman pohoi se qëllimi është i rëndësishëm në procesin e të mësuarit. Ai argumentoi se të kuptuarit është çelësi i të mësuarit dhe përforcimi duhet vetëm për të motivuar individin që të manifestojë sjelljen e mësuar. Në një eksperiment të bërë prej tij, tre grupe kaviesh u mbajtën për 17 ditë rresht në njëlabirint kompleks. Njëri grup nuk mori kurrë përforcim në formën e ushqimit, derisa arriti në fund të labirintit. Orientimi i tyre në labirint ishte i keq gjatë gjithë kohës së eksperimentit. Grupi i dytë mori vazhdimisht shpërblim në formën e ushqimit dhe kaviete përmirësuan orientimin e tyre (zgjodhën më pak rrugë qorre) gjatë gjithë eksperimentit.
Grupi i tretë nuk mori përforcim për tre ditët e para, por mori përforcim të vazhdueshëm në 7 ditët e fundit të eksperimentit. Orientimi i këtij grupi në 10 ditëshin e parë ishte i keq, por me të marrë shpërblim, orientimi i tyre u përmirësua po aq shumë sa edhe orientimi i grupit të dytë që ishte shpërblyer vazhdimisht. Tolman argumentoi se grupi i tretë kishte mësuar të orientohej në labirint, por nuk e kishte shfaqur këtë derisa u motivua për ta bërë. Në 1948 Tolman tregoi se tek kaviet ishte krijuar një hartë kognitive ose një përfaqsim mendor i labirintit. Hartat kognitive na ndihmojnë të mësojmë në
mënyrë të qëllimtë. P.sh: nëse do të ishit duke ngarë makinën për diku dhe rruga do të ishte e bllokuar, ju mund të mbështeteshit në hartën tuaj kognitive të rrugës për të marrë një drejtim tjetër.
Të mësuarit përmes vëzhgimit
Një lloj tjetër i të mësuarit kognitiv është të mësuarit përmes vëzhgimit. Psikologu social A. Bandura argumentoi se përforcimi është i rëndësishëm për të mësuarit. Ashtu si Tolman, ai mendonte se përforcimi ka më shumë të bëjë me motivimin sesa me vet provesin e të mësuarit. Sot kjo teori njihet si teoria e të mësuarit social. Një nga studimet më të mira të Bandurës ishte eksperimenti i vitit 1961 me të cilin ai studioi ndikimin e të mësuarit vëzhgues në agresivitetin e fëmijëve. Fëmijët e kopshtit vëzhguan të rriturit që ishin duke u sjellë ose në mënyrë pasive ose në mënyrë agresive me një kukull me përmasa njerëzore. Fëmijët ishin në gjendje të imitonin modelin e sjelljes agresive të të rriturve, veçanërisht kur sjellja u përforcua. Edhe pse nuk është një përfundim absolut, vëzhgimet kanë treguar se kur fëmijët shikojnë emisione televizive me akte dhune, sjellja e tyre bëhet më agresive. Por kur u paraqitën modele sjelljesh joagresive, fëmijët mundën të mësojnë lehtësisht të bashkëpunojnë me të tjerët.
Bandura mendonte se shumë lloje sjelljesh mësohen përmes vëzhgimit. Shpesh sjelljet e përshtatshme dhe rolet gjinore të tilla si të veshurit si mami, të rruajturit si babai, apo të gatuarit, fëmijët i përvetësojnë me anë të vëzhgimit dhe imitimit të prindërve të tyre.
Shpesh prindërit as i përforcojnë e as ua shpjegojnë sjelljet fëmijëve, por ata shërbejnë si modele, që vëzhgohen prej fëmijëve dhe bëhen për ta burim mësimi.Që të jetë efektiv të mësuarit vëzhgues duhet të kalojë nëpër katër faza:
_ Së pari, duhet ti kushtojmë vëmendje modelit të rolit. Ne jemi të prirur ta bëjmë këtë më shpesh kur jemi të motivuar dhe kur besojmë se ai model sjelljeje na përshtatet.
Kjo na ndihmon të shpjegojmë se përse disa herë studentët e kanë të vështirë të mësojnë konceptet e lëndëve mësimore, ndërkohë që mësojnë fare lehtë të kryejnë aktivitete sportive apo të mbajnë mend këngët e suksesshme të kohëve të fundit.
_ Së dyti, ne duhet të depozitojmë vëzhgimet në kujtesën tonë.
_ Së treti, duhet të jemi në gjendje të kujtojmë ç’ka kemi mësuar, në momentin që jemi të motivuar për t’u sjellë në një mënyrë të caktuar.
_ Së katërti, nëse dëshirojmë që sjellja jonë të përsëritet rregullisht, ajo duhet përforcuar.
Të mësuarit kognitiv përfshihet në shumë situata jetësore. Ne përdorim insajtin për të zgjidhur problemet dhe shfrytëzojmë atë ç’ka kemi vëzhguar për të marrë vendime lidhur me sjelljen tonë.

Kufizimet biologjike të të mësuarit.
Nuk ka dyshim se me anë të kushtëzimit, si njerëzit, edhe kafshët mësojnë lloje të ndryshme sjelljesh. Manipulimi i ngacmuesve, reagimeve dhe përforcimeve ndikon mbi të mësuarit, si në kushte normale, ashtu edhe në kushte eksperimentale. Ja pse delfinët mësojnë të kryejnë ushtrime mjaft të bukura, ja pse edhe njerëzit me prapambetje të theksuar mendore mësojnë të jetojnë normalisht, ja pse të mësuarit me ndihmën e kompiuterit ka patur kaq efektivitet në shkollë. Me gjithë këto suksese, a është e mundur që kushtëzimi të përdoret për të stërvitur çdo kafshë (apo njeri) që të kryejë çdo lloj sjelljeje? Megjithëse disa psikologë mendojnë se kjo është plotësisht e mundur, faktet ekohëve të fundit tregojnë se aftësitë e individit për të mësuar ka kufij biologjikë.
Prirja instinktive.
Prirja instinktive, procesi në të cilin sjellja e kushtëzuar ndryshon dhe shkon drejt sjelljes
më instinktive, është një shembull i kufizimeve biologjike të të mësuarit. P.sh: Keller dhe
Breland me anë të dhënies së një shpërblimi në formën e ushqimit, stërvitën një rakun
(kafshë që rritet në Amerikën e Veriut) që të mbidhte monedha në një enë. Por shumë
shpejt kafsha filloi ti mbante monedhat e ti fshihte ato, në vend të ti hidhte në enë. Edhe
pse rakuni ishte mësuar me sukses, u shfaq një kufizim lidhur me forcën dhe jetëgjatësinë
e qëndrueshmërisë në procesin e të mësuarit. Rakunët kanë një instinkt të lindur për ta
mbajtur dhe fshehur ushqimin para se ta hanë – kjo u duk se ishte më e qëndrueshme sesa
sjellja e mësuar përmes kushtëzimit veprues.
Formimi i gjurmës.
Ndikimet instiktive mbi të mësuarit i kanë detyruar psikologët të studiojnë me kujdes
faktin sesi përbërja biologjike e përgatit individin për të mësuar gjatë zhvillimit të tij.
Rosat e vogla dhe disa kafshë të tjera mësojnë ti shkojnë pas nënës apo një objekti që
lëviz, vetëm 11-18 orë pas daljes nga veza. Kjo formë e të mësuarit të hershëm në një
periudhë kritike quhet formimi i gjurmës. Periudha kritike është një kohë shumë e
shkurtër gjatë së cilës individi është shumë i ndjeshëm ndaj ndryshimeve në mjedis dhe
ndikohet shumë prej tyre. Ka gjëra që normalisht duhen mësuar brenda kësaj periudhe
kritike, e nëse kjo nuk ndodh, atëherë individi mund ta ketë shumë të vështirë ti mësojë
ato më vonë. K.Lorenz u mësoi patave të vogla ta ndiqnin atë pas kudo që të shkonte

No comments:

Post a Comment

Post a Comment