Saturday, January 14, 2012

MOTIVACIONI

MOTIVACIONI

Ç’është motivacioni?
Për psikologjinë motivacioni është një temë qëndrore për shumë arsye. Njerëzit
angazhohen vazhdimisht në sjellje të qëllimshme dhe prapa këtyre sjelljeve janë motivet.
Konceptet motivacionale na mundësojnë të kuptojmë gjithë larminë e sjelljeve të një
individi apo të sjelljeve midis individëve.
Motivet nxisin dhe drejtojnë sjelljen e individit për arritjen e disa qëllimeve. Ekzistojnë
tre kategori kryesore motivesh: motivet biologjike, motivet stimuluese dhe motivet e
mësuara në shoqëri. Motivet biologjike si uria, etja, rregullimi i temperaturës dhe seksi
kanë një bazë të përcaktuar fiziologjike. Motivet stimuluese si stimulimi ndijor, kërkimi,
kurioziteti, kënaqsia nga marrdhëniet me të tjerët, kompetenca bëjnë që individët të
kërkojnë stimulim ndijor përmes bashkëveprimit me mjedisin. Këto motive janë të
brendshme dhe të pamësuara, por nuk duket se kanë një bazë fiziologjike. Motivet e
mësuara në shoqëri si suksesi, pushteti dhe atashimi përcaktohen kryesisht nga të
mësuarit dhe kanë në bazë përvoja sociale.
Sjellja e motivuar nis dhe vazhdon të drejtohet drejt një qëllimi. Ajo ndryshon në
intensitet dhe qëndrueshmëri. Në këtë mënyrë motivacioni mund të mendohet se është
forca që nis dhe drejton sjelljen, si dhe faktori që përcakton intensitetin dhe
qëndrueshmërinë e kësaj sjelljeje. P.sh: kur jemi të uritur nisim të kërkojmë ushqime, apo
kur jemi të mërzitur nisim të bëjmë ndonjë gjë për të hequr mërzinë. Këto veprime
nxitëse (inicuese) mund të komandohen e të urdhërohen nga brenda individit ose nga
mjedisi i jashtëm. P.sh: ne mund të jemi të uritur për shkak të nivelit të ulët të sheqerit në
gjak (brenda individit) ose sepse sapo kemi parë një ëmbëlsirë të mrekullueshme (jashtë
individit). Motivacioni e bën sjelljen tonë të jetë e drejtuar. P.sh: kur jemi të uritur, ne
kërkojmë ushqim dhe nuk kërkojmë të lexojmë gazetën.
Motivacioni përcakton intensitetin dhe qëndrueshmërinë e sjelljes tonë. Intensiteti ka të
bëjë me faktin sesa e fortë është sjellja. P.sh: ju mund të jeni pak i uritur dhe nëse keni
ushqim pranë do ta hani, por nëse nuk keni ushqim gati ju ndoshta do të kryeni një sjellje
tjetër. Nga ana tjetër nëse jeni tmerrësisht të uritur, ajo që ka më shumë mundësi të
ndodhë është që ju të angazhoheni në kërkim të ushqimit, duke bërë çmos për realizimin
e qëllimit. Shkalla e motivacionit që ne kemi do të ndikojë mbi qëndrueshmërinë. Disa
herë ne do të këmbëngulim për një kohë të gjatë për arritjen e qëllimit, ndërsa herë të
tjera do të heqim dorë (nuk do të jemi të qëndrueshëm) pas një përpjekjeje të shkurtër.
Motivacioni nuk vëzhgohet drejtëpërsëdrejti, por për të konkludohet pasi vëzhgohet
sjellja e subjekteve.

Teoritë për motivacionin.
Fakti që koncepti i motivacionit është shumë i ndërlikuar, ka bërë që të lindin shumë teori
për të shpjeguar atë. Pyetja kryesore është: Pse bëjmë atë që bëjmë? Ka disa teori që
përpiqen të shpjegojnë motivet e sjelljes sonë.


Teoritë biologjike.
Instinkti. Zoologët dhe psikologët e hershëm vunë re se disa sjellje të kafshëve dukeshin
stereotipike dhe universale. Pra, çdo antar i species kryente të njëjtin model sjelljeje. Këta
vëzhgues e përcaktuan instiktin si një sjellje të trashëguar nga gjithë antarët e species. Në

fillim të shekullit të kaluar teoria instinktive e dominoi psikologjinë. Kjo teori i sheh
instinktet më shumë si prirje për të vepruar në një mënyrë të dhënë sesa si reagime
absolute, reflekse apo si gjëra të mësuara. Në fakt ai mendonte se instinktet formonin
bazën mbi të cilën ne, duke përdorur përvojat, formojmë zakonet. Sipas James njerëzit i
kanë të gjitha instinktet e kafshëve më të ulta, plus një larmi instinktesh përjashtimisht
njerëzore. Disa nga instinktet që përmend James janë: kurioziteti, ndrojtja, modestia,
frika, humori, keqardhja, pastërtia, xhelozia, të qenit i shoqërueshëm dhe rivaliteti. Me
listën e instikteve James u përpoq të argumentonte se sjellja njerëzore kishte tek instinkti
bazën e vet biologjike.
Teoritë e hershme mbi instinktet nuk zgjatën shumë. Kuó argumentoi se ato sjellje që
konsideroheshin instinktive, ishin në të vërtetë të mësuara. Ai tregoi gjithashtu se
instinktet shkaktoheshin më tepër nga ngacmues mjedisorë sesa nga faktorë të brendshëm
të lindur. Tolman argumentoi gjithashtu se problemi më i madh me konceptin
motivacional të instinktit ishte se ai në fakt nuk e shpjegonte dot sjelljen, por vetëm sa e
përshkruante atë.
Sociobiologjia.
Pse do ti sakrifikonin prindërit jetët e tyre për të shpëtuar fëmijët? Pse të gjitha kulturat i
kanë detajuar ritualet martesore dhe kanë përcaktuar rregulla për afinitetet komplekse? A
ekziston ndonjë bazë evolucioniste për sjellje të tilla njerëzore si ndihmë, agresioni,
zgjedhja e partnerit seksual, sjellja prindërore apo ajo territoriale? Përgjigjen e këtyre
pyetjeve e jep sociobiologjia.
Sociobiologjia është studimi i bazës gjenetike të sjelljes sociale. Një koncept kyç në këtë
teori është se individi është i programuar gjenetikisht për tu sjellë në mënyrë të tillë që
gjenet e tij të trashëgohen në gjeneratën tjetër. Literatura për sjelljen e kafshëve është e
mbushur me vëzhgime të modeleve martesore të kthyera në rituale dhe me shfaqe të
agresivitetit territorial.
Sociobiologjia është kontradiktore sepse shpall se bazë gjenetike ka jo vetëm biologjia
njerëzore por edhe sjellja sociale e tyre. Përderisa transmetimi i geneve nga një brez në
tjetrin bëhet përmes riprodhimit, përpjekjet njerëzore për të zgjedhur partnerin, martesa
dhe funksioni i prindit janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Sociobiologjia parashikon se
njerëzit do të kryejnë ato sjellje që do ti ndihmojnë ata gjenetikisht.
Sjellja e njerëzve është e motivuar themelisht nga egoizmi. Edhe njerëzit nuk martohen e
nuk bëjnë fëmijë, ata do të bëjnë përpjekje për ti transmetuar genet e tyre në gjeneratën
tjetër. Çdo fëmijë mbart 50% të geneve të një personi, ndërsa çdo nip a mbesë mbart
25% të tyre. Kështu nëse një person arrin ta shtyjë vëllanë ose motrën të ketë dy fëmijë,
kjo gjenetikisht konsiderohet njësoj sikur ai të kishte dy fëmijë.
Në martesë dhe në zgjedhjen e partnerit meshkujt dhe femrat kanë strategji të ndryshme
riprodhimi. Sipas kësaj teorie gjëja më e keqe për një mashkull do të ishte nëse partnerja
e tij do të ngelej shtatzënë me një mashkull tjetër. Pse? Sepse pasardhësi biologjikisht
nuk do të ishte i tij. Kështu meshkujve iu duhen të paktën 9 muaj bashkëjetesë për të qenë
të sigurtë që shtatzënia nuk është shkaktuar nga dikush tjetër. Një femër nga ana tjetër
kërkon dikë që të kujdeset për të (dhe foshnjën) e ti përkushtohet. Ajo do mbrojtje, kështu
që ajo është në kërkim të një mashkulli me pozitë, pushtet dhe pasuri.
_ Cili partner është më i madh kur bëhet martesa? Teoria sociobiologjike do të
parashikonte: mashkulli, përderisa ai piqet dy vjet më vonë se femra, përderisa për të
vënë pasuri duhet kohë, përderisa ai duhet të jetë i aftë të mbrojë gruan. Sipas një
studimi kur martohen burrat ka të ngjarë të jenë dy vjet më të mëdhenj se gratë.
_ Kur martohen për herë të parë me cilët prindër bashkëjeton çifti? Ata shpesh jetojnë
me prindërit e burrit, në mënyrë që prindërit e tij të kujdesen për gruan. Kur ata dalin
shëtitje dhe qëllon të kenë fëmijë të vogël, nëna e cilit prej bashkëshortëve vjen për të
ndihmuar? Vjehrra, sepse vetëm ajo është gjyshja absolutisht e sigurtë se fëmija është
nipi i saj.
_ Pse njerëzit i japin rëndësi pasjes së fëmijëve? Një arsye e rëndësishme është presioni
prindëror. Prind i suksesshëm është ai që bëhet gjysh, përderisa kjo gjë e siguron atë
se genet do të përjetësohen në brezat e ardhshëm.
_ Dhe më në fund, pse prindërit sakrifikojnë për fëmijët e tyre? Sepse fëmijët bartin
genet e tyre në brezin tjetër.
Sociobiologët ende nuk kanë patur kohë të mjaftueshme për të vërtetuar parashikimet e
tyre. Kështu ata do të duhet të presin para se të mund të nxjerrin konkluzione të bazuara.

Teoria motivacionale e Freud.
Përveç teorisë mbi instinktin e jetës dhe të vdekjes (që do të shqyrtohet në kapitullin për
personalitetin), Frojdi bën të ditur se instinktet kanë katër karakteristika: burimin, forcën
shtytëse, qëllimin dhe objektin. Burimi i instinktit është nevoja trupore që aktivizon
motivacionin. Forca shtytëse është intensiteti ose fuqia e motivacionit. Qëllimi i instinktit
është kënaqsia, e cila arrihet duke pakësuar nevojën trupore. Objekti i instinktit është
mjeti me të cilin plotësohet nevoja.
P.sh: ne mund të jemi të uritur (burim) dhe të motivuar për të ngrënë (forca shtytëse). Ne
mund ta pakësojmë urinë me ushqim (qëllimi) dhe kështu hamë (objekti). Teoria e Frojdit
është kritikuar sepse përpiqet të shpjegojë atë që porsa ka ndodhur dhe jo të shpjegojë
sjelljen. Megjithatë kjo teori ka shërbyer si model i hershëm i konceptit impuls.

Teoria e impulsit.
Termi impuls u përdor për herë të parë për të përshkruar forcat e brendshme që na shtyjnë
të bëjmë diçka. Ai argumentoi se impulse të ndryshme motivojnë sjellje të ndryshme.
P.sh: impulsi i urisë motivon të ngrënët dhe impulsi i etjes motivon të pirët.
Karakteristikat e impulseve janë: drejtimi, intensiteti dhe qëndrueshmëria apo
këmbëngulja (të cilat i kemi përkufizuar më sipër). Koncepti i impulsit shpesh lidhet me
procesin e homeostazës.
Homeostaza. Nëse e fshihni urinë do të vini re se ajo shfaqet periodikisht (tre apo katër
herë në ditë). Kur ndodh kështu uria çon në një sjellje të veçantë (ngrënien) e cila e shuan
atë. Pasi arrihet qëllimi i të ngrënit për disa kohë nuk jeni më të motivuar nga uria. Motivi
i urisë ndjek një cikël që shpjegon konceptin e homeostazës. Ky koncept u paraqit nga
Cannon në vitin 1939 për të shpjeguar sesi proceset e brendshme trupore mbahen në një
gjendje të qëndrueshme ekuilibri. Shembulli më i lehtë i mekanizmit homeostatik është
temperatura. Ne mund ta gradojmë termostatin e shtëpisë në 70°C. Kur temperatura bie
nën 70°C sistemi takohet. Po ashtu kur temperatura e trupit tonë ngrihet, ne djersijmë që
ta ftohim trupin tonë dhe kur temperatura e trupit bie ne dridhemi për ta ngrohur atë.
Sa herë që ndodh një shmangje nga homeostaza, krijohet një nevojë biologjike. Kjo
nevojë që shpesh vjen për shkak të mungesave, krijon një nxitje psikologjike apo një
impuls. Impulsi siguron energjinë për sjelljen që synon qëllimin. Kjo gjë rivendos
homeostazën dhe kështu pakëson impulsin. Ky cikël i homeostazës përsëritet vazhdimisht
dhe individi ruan ekuilibrin e brendshëm.

Teoritë e shtysës.
Në kundërshtim me teorinë që e trajton motivacionin si një impuls të brendshëm tërheqës,
psiokologët kanë propozuar gjithashtu edhe një teori shtytëse. Sipas kësaj teorie,
ngacmues të jashtëm, të quajtur shtysa e shtyjnë individin drejt disa qëllimeve. Disa herë
nuk është ndalimi ai që shkakton nevojën biologjike, e cila sjell si pasojë një impuls
psikologjik për të rivendosur homeostazën. Për më tepër ne jemi të motivuar nga
ngacmues të jashtëm, që quhen shtysa e që na shtyjnë drejt disa qëllimeve. P.sh: ju mund
të tundoheni të hani një ëmbëlsirë edhe kur jeni të ngopur pas një darke të bollshme.
Shtysat janë objekte apo ngjarje të mjedisit që motivojnë individin në mungesë të një
nevoje të dukshme biologjike: ju nuk kishit nevojë për ëmbëlsirën, megjithatë ju ishit të
motivuar për ta ngrënë. Shtysat mund të jenë pozitive apo negative. Ne jemi të motivuar
të presim disa shtysa pozitive dhe po ashtu të motivuar të shmangim shtysat negative.

Teoria e nivelit të nxitshmërisë.
Teoria e motivacionit e nivelit të nxitshmërisë e vë theksin në nivelin e energjisë së
nevojshnme për të rregulluar nxitshmërinë tonë të përgjithshme. Disa herë ne kemi
nevojë të rrisim nivelin e nxitshmërisë me anë të të ecurit, soditjes, të ndjerit ose me
sjellje të tjera aktive ndijore. Herë të tjera ne mund të kemi nxitshmëri të lartë dhe nevojë
për ta ulur nivelin e saj me anë të gjumit, pushimit apo duke u marrë me forma të tjera
qetësimi.
Teoria e nivelit të nxitshmërisë e sheh njeriun si një të tërë dhe shpall se për të kuptuar
sjelljen e tij ne duhet të studiojmë sesi e rregullon ai nivelin e vet të nxitshmërisë. Parimi
themelor i teorisë motivacionale të nivelit të nxitshmërisë është se nxitshmëria kryhet
brenda një kontinuumi (ndryshueshmëria rrjedhëse e një fenomeni brenda një intervali)
nga nivele shumë të ulta (si p.sh: në gjumë) e deri në nivele shumë të larta (gjatë ankthit
apo emocioneve të forta). Sjellja motivohet atëherë kur ndyshon niveli i nxitshmërisë dhe
ky nivel mesatar i nxitshmërisë krijon adaptim më efikas sjellor.

Motivet biologjike.
Motivet biologjike kanë një bazë të përcaktuar fiziologjikisht. Këto motive janë
biologjikisht të domosdoshme për mbijetesën e individit dhe species. Ato përfshijnë
urinë, etjen, rregullimin e temperaturës trupore, shmangjen e dhimbjes dhe dëshirën
seksuale.
Ushqimi, uji dhe një temperaturë e caktuar janë gjithnjë të domosdoshëm për të qenë
gjallë. Përpjekjet tona për ti plotësuar këto nevoja janë të ngjashme me impulset për tu
ngopur me ajër, për të kryer jashtëqitjen, për të fjetur e për të shmangur dhimbjen.
Mosplotësimi i këtyre nevojave bën që impulsi të bëhet më i fortë. Sa më e madhe të jetë
koha kur një organizmi i ka munguar ushqimi, aq më aktiv bëhet ai në kërkim të tij (në
një moment të caktuar mungesa e ushqimit bën që organizmi të fillojë ngadalësimin e
veprimtarisë).

Papërsëritshmëria e impulsit seksual. Nevoja seksuale, ndryshe nga disa nevoja të tjera
është e papërsëritshme. Megjithëse seksi është klasifikuar si një impuls biologjik,
mosplotësimi i tij nuk i rrezikon individit jetën dhe ai nuk aktivizohet përmes ndalimit.
Megjithëse seksi është i domosdoshëm për mbijetesën e llojit, jeta e një individi-anëtar i
këtij lloji nuk kërcënohet nga mungesa e aktivitetit seksual. Impulsi seksual është
krejtësisht i pavarur nga sasia e mungesës seksuale, megjithëse mashkulli nuk ka dëshirë
seksuale për një kohë të shkurtër pës ejakulacionit dhe megjithëse të dy sekset mund ta
ndërpresin aktivitetin seksual pasi të jenë konsumuar tërësisht. Në stimulimin apo
frenimin e motivacionit të njerëzve për aktivitet seksual aktivizohen faktorë të
rëndësishëm psikologjikë. Një ndryshim tjetër i seksit nga impulset e tjera biologjike
është se individët e kërkojnë aktivisht nxitshmërinë seksuale sepse çdo rritje e impulsit
është shpërblyese në vetvete. Edhe kafshët, edhe njerëzit e konsiderojnë shpërblim
nxitshmërinë seksuale edhe kur nuk ka konsumim seksual dhe megjithëse konsumi
shkakton vetëm kënaqsi momentare.

Motivet stimuluese
Kërkimi dhe kurioziteti. Njohja e mjedisit ku jetojmë me të mirat e me të keqijat e veta,
ka shumë rëndësi. Motivi i kuriozitetit na shtyn të kërkojmë të renë dhe kompleksitetin
dhe pa ndonjë motivacion tjetër të dukshëm ne kërkojmë dhe eksplorojmë mjedise të reja.
Kurioziteti dhe kërkimi (eksplorimi) vihen re shpesh tek bebet. Ato parapëlqejnë të
sodisin më shumë modelet komplekse sesa ato të thjeshta. Bebet janë në kërkim të
vahdueshëm të mjedisit të vet duke prekur, soditur, dëgjuar dhe shijuar. Ndërsa rritemi,
ne kërkojmë në mjedisin tonë gjithnjë e më shumë gjëra të reja e komplekse. Në të
njëjtën situatë ne e humbasim gradualisht interesin dhe parapëlqejmë shtimin e
elementeve të reja, megjithëse jo njëherësh tek shumë prej tyre. Fëmijët e vegjël mund të
luajnë me orë të tëra me lodra shumë të thjeshta, por vëllezërit dhe motrat e tyre më të
mëdhenj kërkojnë lodra më të detajuara (dhe sigurisht më të shtrenjta).
Motivacioni i brenshëm dhe i jashtëm. Mund të thoshim se ne veprojmë për dy arsye
kryesore: sepse veprimet që bëjmë janë të këndshme dhe argëtuese (motivacioni i
brendshëm) ose sepse ato veprime na çojnë drejt gjërash që i duam (motivacion i
jashtëm). Kjo mund ta përshkruante ndryshimin midis punës dhe lojës. Ju mund të lexoni
tekstin sepse thellë-thellë ai ju pëlqen (motivacioni i brendshëm), ose ju mund ta lexoni
atë për të marrë një notë të mirë (motivacion i jashtëm). Ose ka shumë mundësi që të
veproni për të dyja së bashku.

Motivet e mësuara sociale
Motivet e mësuara sociale përcaktohen kryesisht nga të mësuarit dhe kanë lidhje me
përvojat sociale.
Ecja përpara (suksesi, karriera) – psikologët që studiojnë motivet e mësuara i kanë
kushtuar një vëmendje të konsiderueshme nevojës për të ecur përpara, dëshirës për të
kryer diçka me cilësi të mirë apo dëshirës për të qenë i suksesshëm. Brenda disa kufijve
të caktuar nevoja për të ecur përpara nuk është e lidhur fort me aftësinë. Por njerëzit që
kapin sasi të mëdha pikësh në testet për nevojën për të ecur përpara kanë prirje të dalin
më mirë në testet verbale dhe matematikore dhe të marrin nota të mira në shkollë. Ata që
përjetojnë një nevojë të mprehtë për të ecur përpara shpesh kanë prindër që e kërkojnë
dhe e shpërblejnë pavarësinë e tyre që në vitin e dytë të jetës. P.sh: ata nxiten që kur janë
fëmijë të shkojnë vetë në shtrat, të argëtohen vetë dhe ti zgjedhin vetë veshjet e veta. Këta
njerëz ishin të prirur gjithashtu për të ndjerë përgjegjësi personale për sjelljen e vet dhe
për të parapëlqyer situatat në të cilat merrnin vlerësim për atë që kishin realizuar. Ata
kishin gjithashtu prirjen të ishin novatorë në mënyrën e zgjidhjes së problemeve.
Frika nga mossuksesi – studimet tregojnë se njerëzit që zënë pak pikë në testet e nevojës
për të ecur përpara e për sukses, priren gjithashtu të kenë frikë të madhe nga dështimi
(mossuksesi). Kur ata janë të lirë të zgjedhin qëllimet, pjesa me nevojë më të vogël për të
ecur përpara dhe me frikë më të madhe nga dështimi mund të zgjedhë ose qëllime shumë
të lehta (kështu shmang dështimin) ose shumë të vështira (kështu shmang akuzat për
dështim). Njerëzit me motive të larta për të ecur përpara dhe që kanë vetëm pak frikë nga
dështimi priren të zgjedhin qëllime vërtet sfiduese me të cilat ata rrezikojnë të dështojnë,
por kanë gjithashtu edhe shancin për ta arritur qëllimin.
Pushteti – nevoja për pushtet është dëshirë për kontroll dhe për të ushtruar ndikim.
Pushteti është vetëm njëra nga mënyrat me të cilat ne mund të ndikojmë mbi të tjerët kur
duam diçka prej tyre. Njerëzit me motiv të fortë për pushtet kanë vështirësi për të krijuar
marrdhënie të afërta shoqërore, sepse ata përpiqen të kontrollojnë marrdhënien. Ata
priren gjithashtu të rrezikojnë, të pinë më shpesh alkool dhe të sillen më të shkujdesur se
ata që nevojën për pushtet e kanë më të dobët.
Studimet e tjera tregojnë se njerëzit me nevojë më të madhe për pushtet mund të jenë
shumë të suksesshëm në jetë. Ata bëhen udhëheqës dhe janë të aftë të ushtrojnë ndikim
për të realizuar atë që duan. McClelland vuri në dukje se udhëheqësi nuk është
domosdoshmërisht edhe diktator. Udhëheqësit e suksesshëm janë të aftë ti bëjnë të tjerët
të ndjehen të rëndësishëm dhe shpesh iu hyjnë profesioneve të tilla ku mund të dallojnë
nga të tjerët. Motivi për pushtet ka prirje të veprojë njësoj si për burrat dhe për gratë.
Megjithatë shprehja e këtij motivi mund të jetë e ndryshme, për shkak të ndryshimeve në
ato që priten nga rolet seksuale. Burrat me një nevojë të madhe për pushtet priren të
zihen, të luajnë bixhoz, të rrezikojnë, ndërsa gratë priren të shfaqin një sjellje më të
përgjegjshme sociale (të tillë si vendimi dhe veprimi i duhur). Shumica e studimeve bëjnë
të ditur se motivi për pushtet është një tipar krejt i qëndrueshëm i personalitetit, i cili
është mësuar që herët dhe shprehet në lloj-lloj situatash.

Motivi i atashimit.
Njeriu e shpeh nevojën e vet për atashim duke kërkuar dhe formuar lidhje me njerëz të
tjerë dhe duke punuar që të pranohet dhe ti përkasë grupeve të njerëzve. Kjo përvojë
është edhe tipar i personalitetit dhe motiv. Si tipar i personalitetit atashimi mbetet
konstant gjatë gjithë jetës së individit. Si motiv brenda individit atashimi është një
gjendje që nxitet ose jo në situata të caktuara. Individët me motiv të fortë atashimi mund
të shihen më së shumti duke qëndruar me njerëz të tjerë. Ata janë më shumë të prirur të
gjenden në bashkëveprim me të tjerët, sesa ata që këtë motiv e kanë të dobët. Ata
gjithashtu kanë prirje të shmangin garën dhe konfliktin dhe prandaj nuk arrijnë shpesh të
zënë pozita drejtuese. Disa studime bëjnë të ditur se njerëzit me nevojë shumë të lartë për
atashim janë më pak të shquar, kanë më shumë ankthe për marrdhëniet shoqërore dhe i
frikëson mosmiratimi i të tjerëve. Këta individë priren që edhe nevojën për miratim social
ta kenë më të lartë. Por të dhënat tregojnë gjithashtu se shpesh njerëzit që duken më të
pavarur janë ata që kanë pasur në fëmijërinë e tyre mbështetjen më të madhe sociale.
Sjellja njerëzore është jashtëzakonisht komplekse dhe prandaj nuk është shumë e vështirë
të kuptohet arsyeja pse secila nga teoritë e motivacionit më vete nuk mund të shpjegojë
gjithçka ne bëjmë.


psikologji pytje dhe pergjigje, test psikologji, teste psikologjike, psikologji mjekesore, psikologjia mjekesore, mjekesi psikologji, shkenca e psikologjise, efekte paranormale,

No comments:

Post a Comment