Wednesday, October 20, 2021

KLSH/ A kanë qenë efektive masat e marra nga strukturat përgjegjëse për mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes të COVID-19?

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar auditimin sa i përket situatës së pandemisë në vendin tonë. Sipas këtij raporti Covid-19 mund të ishte menaxhuar shumë më mirë dhe se Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndjekur politikat e duhura. Gjatë këtij inspektimi ka rezultuar një mungesë e theksuar e stafit mjekësor së bashku me mungesën e materialeve mbrojtëse, teksa janë hedhur akuza edhe për shkelje të rënda të cilat sipas raportit shkojnë deri në pikën sa kanë falsifikuar vërtetësinë e tamponëve të përdorur për të gjurmuar personat e prekur me Covid-19.

A kanë qenë efektive masat e marra nga strukturat përgjegjëse për mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes të COVID-19?

Bazuar në nenin 6 të Ligjit nr. 15/2016, masat për mbrojtjen nga sëmundjet infektive janë masa të përgjithshme: -sigurimi i ujit të pijshëm higjienik, si dhe mbrojtja sanitare e burimeve, ruajtja e kushteve teknikosanitare dhe higjienike në ndërtesa publike dhe jopublike, në mjetet e komunikacionit publik dhe në mjediset publike; -aplikimi i lëndëve biocide, me karakter parandalues, në qendrat e banuara, hapësirat publike, objektet për furnizim me ujë të pijshëm, në objektet dhe mjetet e transportit publik, objektet për prodhimin dhe qarkullimin e artikujve ushqimorë, restorantet apo lokalet ku konsumohet ushqim dhe pije dhe në objekte të tjera publike; – sigurimi i mjeteve të mbrojtjes personale, që shërbejnë për mbrojtjen e punonjësve të shëndetësisë dhe personave të tjerë të ekspozuar ndaj agjentëve infektues nga kontaminimi, infektimi dhe prekja nga sëmundjet infektive; -sigurimi i infrastrukturës së përshtatshme për parandalimin e sëmundjeve infektive dhe për izolimin dhe karantinën, në veçanti; -sigurimi i burimeve njerëzore të arsimuara për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve infektive; -informimi, komunikimi, promovimi i shëndetit dhe edukimi i vazhdueshëm shëndetësor i personelit të organizatave shëndetësore dhe jo shëndetësore, si dhe i popullatës.

Përveç masave të përgjithshme në nenin 7 të Ligjit 15/2016 përcaktohen dhe masat e veçanta për parandalimin e sëmundjeve infektive.

Bazuar në planin e përgatitjes dhe përgjigjes ndaj pandemisë “Plani i veprimit COVID-19”, me identifikimin e rastit të parë në Shqipëri, në Mars 2020, zbulimi i burimeve të infeksionit dhe rrugëve të përhapjes së tij u krye duke u lidhur direkt me numrin e dedikuar 127 të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore për të garantuar ndjekje të mëtejshme sipas protokolleve të  përcaktuara për qytetarët, në mënyrë ambulatore dhe ata që do të hospitalizoheshin. Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore njoftonte NJVKSH-në, grupet e terrenit, për të kryer vrojtimin, survejancën epidemiologjike, hetimin epidemiologjik, diagnostikimin e menjëhershëm, konfirmimin e infeksionit apo sëmundjeve infektive, kontrollin shëndetësor të personave të tjerë në kontakt me pacientët pozitivë. Grupet e terrenit, në përbërje të të cilave kishin mjekë dhe infermier epidemiolog dhe përfaqësues të SISSI (Qendra Kombëtare e Sistemit të Integruar të Survejancës të Sëmundjeve Infektiv), fillimisht kanë qenë të pakët në numër, referuar numrit të popullsisë dhe rasteve të pacientëve të infektuar. Diagnoza, trajtimi, koordinimi, menaxhimi i diagnozës dhe trajtimi i sëmundjeve infektive të të sëmurëve me covid u kryen bazuar në protokollet përkatëse të hartuara nga Shërbimi Kombëtar i Sëmundjeve Infektive dhe Instituti i Shëndetit Publik dhe të miratuara nga KTE.

Në vijim, me rritjen e rasteve të personave pozitivë si edhe me zbutjen e masave kufizuese, me rihapjen, u bë e domosdoshme përfshirja e mjekut të familjes për zbulimin e burimeve të infeksionit dhe rrugëve të përhapjes së tij. Në varësi të shenjave klinike të pacientëve, komunikuar me telefon, mjeku i familjes njoftonte grupet e terrenit, për të kryer vrojtimin, survejancën epidemiologjike, hetimin epidemiologjik, diagnostikimin e menjëhershëm. Përfshirja e mjekut të familjes si edhe shtimi i numrit të grupeve të terrenit, bënë të mundur një menaxhim më të mirë të situatës, megjithatë dhe në këtë rast u evidentuan dobësitë e sistemit shëndetësor, konkretisht në:
-Mbështetur në Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit (2005, OBSH), me qëllim zbulimin dhe ndjekjen në kohë të rasteve të dyshuara, izolimin dhe menaxhimin e tyre, vërtet nga institucionet përkatëse u përforcua survejanca epidemiologjike, por në intervistat e kryera, qytetarët shprehën pakënaqësitë dhe shqetësimet për vonesat në kohë lidhur me sistemin e lajmërimit mbi situatën shëndetësore jo të zakonshme të tyre. Personave me shenja klinike të dyshuara u është dashur të komunikojnë disa herë me 127, “Linjën e gjelbër për COVID-19” dhe mjekun e familjes për të konfirmuar gjendjen e tyre, e cila është shoqëruar me vonesat e grupeve të terrenit për gjurmimin, hetimin dhe diagnostikimin e rasteve, gjë që ka ndikuar në shëndetin e pacientëve.

-Bazuar në udhëzuesin e survejances për rastet specifike të COVID-19, raportohet menjëherë pranë NJVKSH-së përkatëse dhe më pas ose direkt pranë ISHP-së me formularin e raportimit. Për shkak të numrit të vogël të grupeve të terrenit dhe mbingarkesës së tyre, kjo procedurë në disa raste nuk është kryer menjëherë dhe brenda 24 orëve. Për të shkuar më tej kontaktet në rritje me personat e infektuar si dhe ekspozimi ndaj virusit, përbënin një risk të lartë të infektimit të mjekëve në këto grupe.

-Bazuar në nenin 5 të ligjit 15/2016 çdo institucion publik apo jopublik ka detyrimin për të
raportuar sëmundjet, infeksionin ose kontaminimin e dyshuar te pacientët brenda 24-72 orëve, duke filluar që nga momenti i paraqitjes pranë mjekut. Rritja e numrit të kërkesave për testim dhe mundësitë e kufizuara të grupeve epidemiologjike janë shoqëruar me një rritje të kohës së pritjes së qytetarëve nga kryerja e tamponit deri në marrjen e përgjigjes së tij nga laboratoti i virologjisë. Nga auditimi në terren, u konstatua se disa pacientë nuk kanë marrë përgjigje për 72 orë, kishte dhe pacientë që nuk kanë marrë përgjigje qoftë dhe brenda një jave, apo 10 ditëve, konfirmuar nga intervistat me ta, si dhe në mediat audiovizive. Për më tepër në media është raportuar se qytetarët kanë pritur deri në 7 ditë për të bërë testin, gjë e cila i ka detyruar të paraqiten në institucionet shëndetësore jopublike për kryerjen e testimit. Këto vonesa rritën si numrin e pacientëve që filluan
trajtimin me antibiotikë pa u konfirmuar si të infektuar me COVID-19 ashtu dhe të atyre që filluan trajtimin vonë pasi prisnin për rezultatet e testit. Nga institucionet përgjegjëse u konfirmua se ky fenomen mund të ketë ndodhur në një periudhë kohore të ngarkuar, për shkak të shtimit të numrit të të infektuarve, shtimit të testimeve dhe për nevoja administrative, si edhe mosfunksionimit të laboratorëve rajonalë. Të gjitha këto fenomene kanë ulur eficiencën e shërbimit shëndetësor, mungesën e besimit te publiku dhe për më tepër një risk në rritje për shëndetin e qytetarëve, pa përfshirë këtu koston financiare që detyroheshin të paguanin në institucionet shëndetësore jopublike. Në këto kushte, politikat e ndjekura nga MSHMS dhe institucionet përkatëse shëndetësore publike dhe jopublike nuk kanë realizuar ofrimin e këtij shërbimi si një e mirë publike, qëllim i ekzistencës dhe politikave të tyre, për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve, por përkundrazi kanë ndikuar në shfaqjen e mjaft problemeve psikologjike, morale, shpirtërore dhe social ekonomike, të cilat tashmë i kemi ndeshur dhe jetuar dhe në familjet tona, në çdo sekondë të kësaj pandemie.

-Bazuar në udhëzuesin e hetimit të shpejtë të rasteve të dyshuara dhe kontakteve të tyre, është kryer gjurmimi i kontakteve nga ana epidemiologjike dhe janë plotësuar skedat përkatëse të hetimit, por nga verifikimi i kryer në sistemin SISSI në NJVKSH Tiranë, grupi i auditimit konstatoi raste ku nuk është kryer gjurmimi i plotë i kontakteve me personat e infektuar ose rast dyshimi me COVID19.

-Trajtimi i pacientëve me Covid -19 ishte një enigmë dhe sfidë njëkohësisht për sistemin
shëndetësor. Mosnjohja e këtij virusi, agresiviteti i shfaqjes së tij dhe gjetja e sistemit shëndetësor të papërgatitur për këtë pandemi, kërkonin nga ana tjetër një trajtim më human dhe social të pacientëve, pse jo dhe ekonomik të tyre, në kushtet kur vendi u përball me një krizë në të gjitha drejtimet. Bazuar në Ligjin Nr. 15/2016 “Për parandalimn dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjet infektive” të ndryshuar, si edhe Ligjin Nr. 10138 /2009 “Për shëndetin publik”, të ndryshuar, në një situatë të tillë, duke qenë se shëndetësia është një e mirë publike, qeveria e Republikës së Shqipërisë ka detyrimin ligjor ta ofrojë këtë shërbim falas dhe të marrë të gjitha masat për zbatimin korrekt të tij. Gjykuar në sa më sipër citojmë se: Urdhri Nr. 545 datë 19.11.2020 “Për disa shtesa në Urdhrin nr. 392, datë 01.07.2019 “Për caktimin e kufizimeve në përdorimin, sasinë dhe kohëzgjatjen e trajtimit me barna të listës së barnave që rimbursohen nga fondi”, i ndryshuar””, për rimbursimin e pacientëve Covid ka dalë 9 muaj pas shfaqjes së pandemisë. Ndërkohë dhe pas daljes pacientët nuk kanë qenë në dijeni të këtij urdhri, pasi ka munguar informacioni nga mjekët e familjes. Nga inspektimi i kryer në Qendrat shëndetësore në Tiranë, në shumë prej tyre nuk është kryer informimi i pacientëve me mjetet e duhura të informacionit, apo afishimi i posterave në mjediset e qendrës.

-Në fjalën e vet mbajtur gjatë një komunikimi me median më datë 19.11.2020 ministri i MSHMS43 deklaron se: “Bazuar në Urdhrin Nr. 545 datë 19.11. 2020 do të kryhet rimbursimi100% i trajtimit ambulator për pacientët me Covid-19, të siguruar dhe të pasiguruar. Paketa e mjekimit bazë përmban vitaminoterapi, antipiretikët, antibiotikët, antikoagulantët dhe kortizonikët, por është mjeku i familjes ai që përcakton se çfarë mjekimi duhet të marrë pacienti i diagnostikuar me COVID19. Pacienti nuk do ketë nevojë të shkojë fizikisht në qendrën shëndetësore për përfitimin e paketës, por lidhet me mjekun e familjes, nëpërmjet sistemeve të shëndetësisë elektronike. I gjithë procesi është online dhe një familjar mund të tërheqë barnat në farmaci me kodin e recetës”. Nga kontrrolli në disa qendra shëndetësore, komunikimi me mjekët e familjes, si dhe intervistat me pacientë covid pozitiv, grupi i auditimit konstatoi se ky rimbursim nuk është kryer në masën 100%, pacientët nuk kanë qenë në dijeni të këtij informacioni, duke mos harruar dhe faktin që çmimet e barnave në Shqipëri shpesh janë më të larta se në vendet e tjera të BE-së44. Kjo vërtetohej nga numri i vogël i recetave të lëshuara nga mjekët e familjes, gjë e cila na u komunikua në disa nga qendrat shëndetësore.

No comments:

Post a Comment