Wednesday, October 27, 2021

Vaksinat AstraZeneca dhe Pfizer lidhen me efekte të reja anësore

Vaksinat nga AstraZeneca dhe Pfizer janë lidhur me efekte të reja anësore të rralla, por potencialisht serioze. Megjithatë, ekspertët thonë se edhe më e rrezikshme po të mos merret vaksina.

Këto zbulime janë bërë nga studiuesit në Universitetin e Oksfordit të cilët analizuan të dhënat shëndetësore të më shumë se 32 milionë njerëzve në Angli. Ata vunë re se sindroma Guillain-Barre, paraliza e Bell-it dhe hemorragjia, ishin sëmundje të lidhura me infeksionin nga virusi dhe vaksinimin. Por, sipas ekspertëve, nuk ka asnjë arsye që duhet t’ju shtyjë të mos merrni vaksinën.

Studimi shtoi se, megjithëse një dozë e parë e vaksinës AstraZeneca dhe Pfizer mund të shkaktojë një problem neurologjik menjëherë pas administrimit, infeksioni nga COVID-19 mbart një rrezik shumë më të madh. Studimi i botuar në Nature Medicine, vlerëson se kishte 38 raste për 10 milionë njerëz të sindromës Guillain-Barre pas marrjes së vaksinës AstraZeneca, krahasuar me 145 raste për 10 milionë pas testimit pozitiv me Covid-19.

Dr. Lahiru Handunnetthi, një bashkautor i studimit, tha: “Në studimin tonë me mbi 32 milionë njerëz, zbuluam se disa komplikime neurologjike si sindroma Guillain-Barre ishin të lidhura si me infeksionin Covid-19, ashtu si edhe me vaksinimin me dozën e parë.

“Këto komplikime neurologjike ishin shumë të rralla, por ndërgjegjësimi për to do të jetë i rëndësishëm për kujdesin ndaj pacientëve gjatë programeve të vaksinimit masiv në të gjithë botën.” Profesor Aziz Sheikh, nga Universiteti i Edinburgut, tha: “Këto janë probleme shumë të rralla. Janë aq të rralla sa që duhet t’i raportojmë për një milion të popullsisë.

Studiuesit zbuluan gjithashtu një lidhje midis vaksinës Pfizer dhe hemorragjisë, megjithëse ekspertët që nuk janë përfshirë në studim e kanë vënë në dyshim këtë gjetje për shkak të dobësisë së të dhënave.

Peter Openshaw, një profesor i mjekësisë eksperimentale në Imperial College London, tha: “Kjo dukuri u vu re vetëm në një grup, nuk u zbulua gjithashtu në të dhënat nga Skocia dhe mua më duket një sinjal shumë i vogël dhe ndoshta jo domethënës.”

Prof Openshaw tha: “Komplikimet neurologjike nga vaksinat kundër SARS-COV-2 janë shumë më të rralla se komplikimet neurologjike nga Covid-19, çka tregon rëndësinë jetike të vaksinimit.”

Për të kontrolluar zbulimet, shkencëtarët vëzhguan së pari të dhënat nga Anglia dhe më pas i kontrolluan me ato nga Skocia.

Prof. Sheikh shtoi: “Rreziqet janë shumë më të larta në rast infektimi. Ka rreziqe që lidhen qartë me vaksinat, por ka rreziqe shumë më të mëdha që lidhen me infektimin.”/ Express

No comments:

Post a Comment