Wednesday, October 20, 2021

Vaksinimi/ Silva Bino e konfirmon: Shumë shpejt do të nisë aplikimi i dozës së tretë

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, konfirmoi se vendimi për aplikimin e dozës përforcuese është marrë nga Komiteti i Imunizimit dhe shumë shpejt pritet të nisë nga zbatimi.

Sipas Binos, vaksinimi me dozën e tretë do të kryhet sipas radhës. Kjo do të thotë që ata të cilët ishin në vijën e parë të vaksinimit do të kenë mundësi të marrin edhe një dozë të tretë, për të minimizuar riskun e infektimit. Studimet kanë treguar se me kalimin e muajve, niveli i antitrupave bie, ndaj edhe është parë e udhës injektimi i dozës përforcuese. Pavarësisht mosdakordësisë së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila e udhëhequr nga parimi për të garantuar akses të barabartë në sigurimin e vaksinave anti-Covid kërkoi shtyrjen e vendimit, shumë shtete europiane, përfshirë edhe SHBA-në, kanë nisur prej disa muajsh aplikimin e dozës së tretë për grupe të caktuara të popullatës të cilat janë më të riskuara nga koronavirusi. Krahas aplikimit të së njëjtës vaksinë, po shikohet mundësia edhe e vaksinave të kombinuara. Një gjë e tillë nuk ka marrë ende aprovimin nga autoritetet shëndetësore, por teza e parashtruar nga ekspertët është se përmes kombinimit të vaksinimeve mund të sigurohet një mbrojtje më e lartë ndaj koronavirusit. Kjo do të thotë që personat të cilët kanë kryer dy doza të vaksinës kineze “Coronavac” mund të kryejnë një dozë të tretë të “Coronavax” ose të “Pfizer”. Nga ana tjetër pritet po ashtu që shumë shpejt Ministria e Shëndetësisë të japë aprovimin për vaksinimin me një dozë të fëmijëve mbi 12 vjeç.

No comments:

Post a Comment