Wednesday, March 31, 2021

Komiteti Teknik nuk ndryshon masat, maturantët kthehen në shkolla

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka mbajtur një konferencë për shtyp, ku ka sqaruar se do të kthehen për të bërë mësim në klasa maturat, ndërsa masat e tjera nuk do të ndryshojnë, përfshirë baret, restorantet dhe orën policore, e cila nis në 20:00.

Duke u bazuar në analizën e shifrave ekspertët mendojnë që situata është e qëndrueshme në tendencën për uljen e inciendcës dhe shtrimin në spitaleve dhe në numrin e jetëve të humbura, por shifrat nuk janë aty ku duhet që të jenë për të liruar situatën. Prandaj mendojmë që masat të qëndrojnë me përjashtim të faktit që duke u bazuar në shifrat e infeksionit në grupmoshën në 15 20 vjeç duke marrë parasysh rezultatet me arsim në kushtet në momentin që zhvillohet mësimi akademik, maturat të zhvillojnë mësimin në klasë. Kjo masë do të mbahet në vëzhgim. Maturat duhet të zbatojnë me rigorozitet protokollet e mbrojtjes”, tha Rakacolli.

Të humbur në front: Goditja e rëndë e COVID-19 mbi personelin mjekësor në Shqipëri

Me 55 mjekë dhe infermierë të vdekur si pasojë e komplikacioneve nga koronavirusi, komuniteti i mjekëve në Shqipëri po ngre pikëpyetje të reja nëse mbrojtja e personelit ishte e mjaftueshme dhe nëse fatalitetet mund të parandaloheshin.

Në repartin e Neurologjisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, zyra e mjekut Drini Dobi qëndron e paprekur prej muajsh. Një kordele e zezë është vendosur në shenjë zie në krye të derës, ndërsa poshtë saj qëndrojnë dedikime të printuara kolegësh.

“Nuk kemi mundur dot ta hapim derën e zyrës së tij,” thotë me lot në sy Filja, kryeinfermiere e repartit. “Drini ishte një mjek i zoti dhe i përkushtuar me pacientët. Ishte një shembull pune për këdo,” shton ajo.

Drini Dobi –doktor shkencash në Neurologji, u infektua nga virusi SARS- CoV-2 në nëntor 2020 dhe u kurua fillimisht në spitalin Infektiv në Tiranë. Por gjendja e tij u rëndua dhe pas një fushate për mbledhje fondesh online, ai u transferua në Itali për trajtim të specializuar.

Beteja e mjekut 51-vjeçar me COVID-19 u ndoq me ankth nga familjarët, pacientët dhe kolegët e tij në Shqipëri dhe diasporë, por ai nuk mundi t’i mbijetonte sëmundjes.

Doktor Drini Dobi është vetëm një nga mjekët që Shqipëria humbi në vijën e parë të frontit.

Të dhënat e siguruara nga Urdhri i Mjekëve dhe ai i Infermierëve tregojnë se komuniteti i vogël i punonjësve shëndetësorë në Shqipëri është ndër më të goditurit nga pandemia e COVID-19 mes vendeve të Ballkanit.

Që prej shpërthimi të pandemisë një vit më parë, 2227 persona humbën jetën si pasojë e komplikacioneve nga virusi SARS-CoV-2. Mes viktimave janë edhe 55 mjekë dhe infermierë –ose gati 2.4% e numrit total të fataliteteve.

Sipas Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, 30 mjekë humbën jetën gjatë vitit 2020 dhe 16 të tjerë në valën e dytë të pandemisë mes janarit dhe marsit 2021. Ndërsa Urdhri i Infermierëve raporton për 9 infermierë të vdekur të moshave nga 29 vjeç në 63 vjeç prej fillimit të pandemisë.

Ndonëse shifrat janë të pjesshme dhe jozyrtare, ato tregojnë se pandemia vrau gati 0.31% të personelit shëndetësor prej gati 17 300 vetësh në Shqipëri- ose 2 herë mbi normën e Maqedonisë së Veriut dhe 4 herë mbi atë të Serbisë.

Humbja e mjekëve dhe infermierëve nga pandemia e COVID-19 konsiderohet një goditje e rëndë për sistemin shëndetësor shqiptar, që lëngon prej vitesh nga eksodi dhe mungesa e specialistëve të shëndetit publik. Pikëpyetje të reja janë ngritur gjithashtu nëse masat e marra për mbrojtjen e tyre kanë qenë të mjaftueshme apo nëse disa nga vdekjet mund të parandaloheshin.

“Në Shqipëri nuk u bë kurrë as testimi i mjekëve, ishin apo jo të sëmurë, dhe as testimi i pacientëve që vinin për shtrim,” thotë me keqardhje mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti.

“Punëdhënësi është përgjegjës për të ruajtur shëndetin e tyre në punë dhe nga ky aspekt duhej të ishte bërë më shumë,” shtoi ai.

Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj kërkesave të përsëritura mbi numrin e të infektuarve dhe viktimave mes personelit shëndetësor në Shqipëri.

Nën ankthin e infektimit  

Memoriali në nderim të mjekut Drini Dobi në qendrën universitare spitalore “Nënë Tereza”. Foto: Laureta Roshi.

Sipas Indeksit Global të Sigurisë Shëndetësore 2019, pandemia e gjeti Shqipërinë me nivele të ulëta të burimeve njerëzore dhe personelit shëndetësor –ku numërohen 4677 mjekë (përfshi edhe spitalet private) si dhe 12, 350 infermierë gjithsej.

Me shpërthimin e pandemisë, shumë gjëra ishin të paqarta me përjashtim të faktit se mjekët, infermierët dhe personeli tjetër shëndetësor do të ishin ndër kategoritë më të rrezikuara.

Ndonëse Ministria e Shëndetësisë e përqendroi trajtimin e pacientëve me COVID-19 në Tiranë dhe përmes mjekëve të familjes në distancë, spitalet rajonale dhe ato bashkiake u ekspozuan gjithashtu ndaj mijëra pacientëve të infektuar dhe frikës ndaj infektimit.

Me përjashtime të rralla, numri i punonjësve shëndetësorë të infektuar nuk është raportuar përgjatë një viti të pandemisë. Por me hartimin e planit të vaksinimit në muajin shkurt, Ministria e Shëndetësisë zbuloi se gati 10% e të infektuarve ishin pjesë e personelit shëndetësor.

Emine Ismaili, infermierja 56-vjeçare e spitalit rajonal të Fierit është njëra prej tyre. Ajo kujton se është ndër të parat “bluza të bardha” që u shtrua në spitalin COVID 1 në Tiranë, pas disa muajsh pune me turne të zgjatura dhe me kujdesin maksimal për të mos u infektuar, për shkak se i shoqi është një pacient kronik me diabet.

Kur simptomat e para u shfaqën, Ismaili nuk donte ta besonte se ishte infektuar.

“Nuk e harroj, u përpoqa ta mbaj temperaturën në kontroll… Nuk kisha dyshime, thosha është lodhje. Nuk kisha asnjë mundësi konstatimi, ishim të gjithë në tension pune dhe padije,” thotë ajo.

Ismaili tentoi të vetëkurohej me vitamina intravenoze dhe një skaner i nxorri mushkëritë e saj të pastra. Por situata ndryshoi shpejt brenda pak ditësh dhe kolegët e nisën me urgjencë në drejtim të Tiranës.

Tetë muaj pasi i mbijetoi betejës me COVID-19, Emine Ismaili kujton se sfida më e madhe ishte ajo psikologjike.

“Kjo sëmundje është këtu në kokë,” tha ajo, ndërsa drejtoi gishtin drejtues në një anë të kokës.  “Fati im i mirë që im shoq nuk u infektua, se unë nuk do t’ia falja kurrë vetes,” shtoi ajo.

Edhe kirurgu 45-vjeçar, Edlir Shuke përjetoi ditë të vështira në fillim të nëntorit, pasi rezultoi pozitiv me COVID-19. Shuke tregon se u infektua bashkë me 3 kolegë të tjerë ndërsa po operonin një pacient me apendesit akut- që siç rezultoi më pas, ishte gjithashtu i infektuar.

“Kalova ditë të rënda, kur mjekoja veten pas testit pozitiv. Temperaturë, ulje e oksigjenit, të gjitha nga kushtet e spitalit në shtëpi, dhe me shumë mbështetje emocionale nga bashkëshortja,” kujton Shuke, i cili i mbijetoi COVID-19 së bashku me bashkëshorten.

Betejën me COVID-19 ai e kujton të frikshme dhe rraskapitëse.

“Simptoma të paparashikueshme veç temperaturës së dukshme, ngulçeve në frymëmarrje, edhe pse kaq i padukshëm,” e përshkruan ai.

Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero kuroi me qindra pacientë dhe mori një dozë të vaksinës Phizer, përpara se të rezultonte pozitiv me COVID-19 në muajin shkurt. Në një intervistë në zyrën e tij, Pipero tha se e përjetoi me ankth infektimin dhe sëmundjen.

“Duke qenë se jemi shumë të ekspozuar, duke prekur shumë pacientë dhe duke ditur më shumë për sëmundjen, ne si mjekë e përjetojmë më keq,” tha Pipero, duke shtuar “unë vetë e kam përjetuar keq”.

Pipero theksoi se pandemia i ka vendosur bluzat e bardha nën një presion të jashtëzakonshëm përgjatë një viti –në situata të shoqëruara shpeshherë me tension, ankth dhe frikë.

“Është e vështirë të mjekosh veten, po më e vështirë është të jesh mjeku i fëmijës tënd të prekur nga virusi. Janë emocione shumë të forta të luftosh për jetën në një fushë të padukshme,” shtoi ai.

Drejtoresha e spitalit të Fierit, Nevila Doko Shuke mendon se personeli shëndetësor është më i rrezikuari, pavarësisht mbrojtjes së ofruar nga masat e ndërmarra. Ajo e konsideron testimin si një armë të fortë në mbrojtjen e “bluzave të bardha”.

“Marrja e tamponit të shpejtë tani e rrit më shumë sigurinë e personelit mjekësor,” shtoi ajo.

Humbje të pazëvendësueshme

Doktor Harilla Thanasko kujton kolegun e tij, Leonard Kamberi, që humbi jetën nga COVID-19. Foto: Laureta Roshi

Në qytetin e Vlorës në jug të Shqipërisë, mjeku gjinekolog Harilla Thanasko e ndoqi me ankth betejën e kolegut të tij, Leonard Kamberi dhe fundin e saj të dhimbshëm më 7 dhjetor 2020.

Mjeku obstetër gjinekolog, Leonard Kamberi humbi jetën në moshën 47-vjeçare si pasojë e komplikacioneve nga COVID-19 dhe pak orë më vonë erdhi në jetë vajza e tij e shumëpritur, Aurora.

“Ai nuk e pa dot vajzën. E panjohura e mori dhe pak kohë më vonë erdhi në jetë vogëlushja e tij,” tregon me trishtim doktor Thanasko.

Leonard Kamberi ishte më i vogli i një familjeje me pesë fëmijë nga Narta, i diplomuar shkëlqyeshëm në La Sapienza dhe me përvojë profesionale në spitalin e Breshias. Ai u kthye në Shqipëri në vitin 2015, ku punoi si gjinekolog dhe akademik në universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.

“Mjeku Leonard Kamberi ishte një koleg dhe shok i jashtëzakonshëm,” thotë Thanasko, ndërsa kujton se shpresuan deri në fund se ai do ta fitonte betejën me COVID-in.

Edhe mjeku Altin Cekodhima, i afërm i doktor Leonardit e kujton atë si natyrë optimiste deri në çastet e fundit, kur terapinë ia drejtonin në distancë kolegët e tij në Itali.

“Ai u mund nga virusi,” thotë Cekodhima, i cili pasi kujton mjekët Bledi Nini, Drini Dobi dhe Gerond Husi, shton: “duket se Perëndia zgjodhi më të mirët”.

Për mjekët dhe kolegët e tyre, Shqipëria humbi nga pandemia asete të pazëvendësueshme në mjekësi, të cilët krijuan vlera në fushat e tyre si dhe në marrëdhëniet me pacientët.

“Puna e tyre e papërtuar ka shpëtuar qindra jetë dhe nuk mundën dot t’ia dilnin, pasi virusi në trupa të ndryshëm ka reagime të pallogaritshme,” shtoi Cekodhima.

Mes komunitetit të mjekëve, vdekja e parë u shënua më 30 qershor 2020 me pedagogun e Fakultetit të Mjekësisë, Arjan Pushi, i cili e humbi betejën me COVID-19 në moshën 58-vjeçare.

Për kryetarin e Urdhrit të Mjekëve, Fatmir Brahimaj, kjo fatkeqësi krijoi pikën e parë të bashkëpunimit për përballimin e kësaj beteje përmes informimit të publikut, por edhe vetë komunitetit të mjekëve.

“Të gjithë u ndanë nga jeta në krye të detyrës, ashtu të heshtur dhe plot sakrifica,” thotë Brahimaj. “Në tunelin e errët të frikës nga pandemia, mjekët u bënë drita,” shtoi ai.

Mjeku Ilir Alimehmeti –një ndër zërat më të moderuar gjatë pandemisë tha se kishte humbur miq dhe profesorë nga COVID-19, por edhe kolegë, që ndonëse nuk i njihte personalisht, i lidhte puna e përbashkët.

“Të kesh një ekspozim kaq të madh, rreziku është çështje kohe…,” tha Alimehmeti. “Ne pamë mosha më të reja nga mjekët edhe pse të shëndetshëm, disa morën doza virale më të larta në ato spitale ku punojnë, pasi është profesioni më i ekspozuar ndaj kësaj sëmundjeje,” shtoi ai.

Për mjekun Pëllumb Pipero, dhimbja për humbjen e kolegëve shumëfishohet edhe nga fakti se kontributi i tyre nuk mund të zëvendësohet.

Tashmë kemi kolegë të tjerë që po luftojnë me vdekjen,” tha Pipero. “Duke qenë se jemi të ekspozuar, mundësia për ta kaluar rëndë është më e madhe,” shtoi ai.

Një sëmundje profesionale?

Kryetari i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, Fatmir Brahimaj. Foto: Laureta Roshi.

Ndërsa pandemia e COVID-19 ka shkaktuar vdekje në krye të detyrës mes punonjësve shëndetësorë në të gjithë botën, një diskutim i ri është hapur për përfshirjen e koronavirusit në listën e sëmundjeve profesionale.

Sipas kryetarit të Urdhrit të Mjekëve, Fatmir Brahimaj, një debat i tillë po diskutohet sot edhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

“Duhet ndërmarrë një nismë për të vlerësuar kontributin e mjekëve të ndarë nga jeta në krye të detyrës, si pasojë e COVID-19,” sugjeron Brahimaj.

Ideja e tij gjen mbështetje mes mjekëve të tjerë në Shqipëri.

Sipas mjekut epidemiolog, Ilir Alimehmeti, çdo sëmundje infektive është një sëmundje profesionale për mjekët dhe personelin tjetër shëndetësor, të cilët janë të rrezikuar për shkak të punës së tyre.

Alimehmeti është kritik me diferencat në shpërndarjen e pajisjeve speciale mbrojtëse mes spitaleve COVID dhe qendrave të tjera shëndetësore, ndërsa thekson se disa prej vdekjeve mund të parandaloheshin, sidomos ato ku personeli mjekësor nuk kishte lidhje direkte me trajtimin e virusit.

“Është shteti që duhet ta ofrojë mbështetjen për mjekët si për familjet e policëve, duhet të jetë një status i veçantë shoqëror, se humbën jetën në krye të detyrës,” thotë Alimehmeti. “Eshtë një obligim që duhet të kalohet dhe të familja për mjekët që humbën jetën,”shtoi ai.

Për mjekun infeksionist, Pëllumb Pipero, beteja me pandeminë do të jetë e gjatë, ndonëse ai thekson se tashmë ka më shumë dritë në fund të tunelit. Megjithatë, Pipero bën thirrje që qeveria e sotme apo ajo e nesërme të mos i lërë mjekët në harresë.

“Të mos mungojë suporti për të gjithë ata që humbën njerëzit e dashur dhe janë në vështirësi, e në veçanti të mos harrohen mjekët. Ndoshta do të duhet mbështetje me akte ligjore për mjekët dhe qytetarët, që humbën shtyllat e familjes,” përfundoi Pipero.

Autor: Laureta Roshi

Ky botim u realizua në kuadër të Projektit “Të luftojmë dezinformimin dhe të rrisim transparencën dhe llogaridhënien në sektorin e shëndetësisë”, i cili po zbatohet nga shoqata “Together for Life” dhe BIRN Albania  dhe mbështetet financiarisht nga British Embassy Tirana.

 

Dr Alket Koroshi: Gjak në urinë? Ja shkaktarët

Alket Koroshi, mjek nefrolog

E verteta është që ju nuk mund ta dini gjithmonë se keni gjak në urinën. Ndonjëherë, ka aq pak sa shfaqet vetëm nën një mikroskop kur mjeku ju teston për ndonjë problem tjetër. Kur e shihni vetë urinën me gjak , kjo mund të jetë alarmante. Por në shumicën e rasteve , shkaqet nuk janë serioze. Sidoqoftë, në disa raste, simptoma tregon një problem më të madh shëndetësor. Pra, gjithmonë duhet ta njoftoni mjekun tuaj për këtë.

Infeksionet urinare (IU)

Ndodh kur bakteret infektojnë fshikëzen apo uretren. Në disa raste, mund të keni dhimbje në bark ose ije. Por ndonjëherë, veçanërisht nëse jeni më i moshuar , mund të mos keni simptoma. IU janë shumë të zakonshme, dhe antibiotikët zakonisht mund t’i pastrojnë ato.

Infeksionet e veshkave

Infeksionin urinar mund të bëjë rrugën e saj drejt veshkave përmes kanaleve të traktit urinar. Kur keni infeksion të veshkave, ka shumë gjasa të keni ethe dhe dhimbje në ije. Kjo mund të jetë më serioze, veçanërisht nëse dhimbja përhapet në pjesë të tjera të trupit. Prandaj, sigurohuni që të njoftoni mjekun nëse vini re keto shenja .

Guret në veshka

Gurët në veshka fillojnë të formohen kur trupi ka shumë kalcium ose minerale të tjera. Dhe kalciumi në të vërtetë mund të dëmtojë. Ju mund të shihni gjak ose pjesë “guri” në urinë. Kur janë të vegjël gurët  “kalojnë” vetë në urinë, por në raste të tjera më të rënda mund të keni nevojë për kirurgji, veccanërisht nëse gurët në veshka janë të mëdhenj.

Prostata e rritur

Gjaku i dukshëm në urinë mund të jetë një simptomë e prostatës së rritur .

Infeksioni, operacioni ose një goditje e papritur në këtë gjëndër të vogël afër fshikëzës mund ta demtojnë atë. Përveçse shihni gjak, mund ta keni të veshtirë të urinoni . Ju gjithashtu mund të keni dhimbje në pjesën e poshtme të barkut . Trajtimi varet nga shkaku, por mund të keni nevojë për antibiotikë ose ilaçe për dhimbjen.

Glomerulonefritet

Këto patologji mund të dëmtojnë filtrat e vegjël në veshka. Zakonisht njerëzit nuk e dinë që kanë glomerulonefrit derisa mjeku i tyre ta zbulojëme një provë të urinës. Urina mund të ketë gjak ose të duket me shkumë dhe ngjyrë kafe, mund të vëreni ënjtje në fytyrë, këmbë dhe bark. Ënjtja mund të përmirësohet vetë, por nëse nuk ndodh, keni nevojë për trajtim në mënyrë që të parandaloni dëmtimin e veshkave.

Sëmundja polikistike e veshkave (PKD)

Gjaku në urinë është një simptomë e mundshme e sëmundjes polikistike të veshkave (PKD). Genet nga prindërit tuaj bëjnë që ciste te vogla, të mbushura me lëng, të rriten në veshka. Atp mund të dëmtojnë organet dhe të shkaktojnë gjak në urinë. Shumica e njerëzve nuk kanë simptoma deri në moshën 30-40 vjeç, por shenjat e para mund të jenë një bark më i madh, shumë shpesh IU dhe dhimbje në shpinë e në ije . Ju keni më shumë të ngjarë të keni presion të lartë të gjakut dhe të ndjeni kërcitje në gjoks, rrahje apo dhimbje kur keni PKD. Kjo semundje nuk kurohet , por mjeku juaj mund të ndihmojë në menaxhimin e simptomave.

Sëmundjet e trashëguara

Sëmundjet e trashëguara gjithashtu mund të shoqërohen me gjak në urinë. PKD nuk është sëmundja e vetme gjenetike që mund të japë gjak në urinë. Ka dhe kushte të tjera si psh anemia e qelizave në formë draperi, hemofilia ose sindroma Alport, e cila prek sytë, veshët dhe veshkat. Dhe ndonjëherë, simptoma mund të zhvillohet në familje pa ndonjë arsye të qartë. Nëse ky është rasti juaj, mund të mos keni nevojë për ndonjë trajtim.

Punët fizike të rënda

Të bësh punë fizike të rëndë është një shkak i mundshëm i gjakut në urinë. Kjo gjë mund të ndodhë tek vrapuesit por edhe te atletët e tjerë. Por nuk është aq e zakonshme, dhe mjekët nuk e dinë saktësisht pse ndodh. Mund të jetë mungesa e ujit, dëmtimi i fshikëzës ose prishja e më shumë qelizave të kuqe të gjakut gjatë ushtrimeve aerobike.

Medikamentet e ndryshme

Gjaku në urinë mund të rezultojë nga një efekt anësor i disa medikamenteve. Disa medikamente, si penicilina dhe antibiotikë te tjere ose medikamenti ciklofosfamid, mund të shkaktojë gjak në urinë. Mund të ndodhë gjithashtu nëse merrni medikamente të tilla si aspirinë ose heparinë për të holluar gjakun , veçanërisht kjo ndodh nese keni një gjendje, si një infeksion i traktit urinar, që e bëjnë fshikëzën tuaj të rrjedhë gjak më lehtë.

Trauma

Një dëmtim i shpinës nga një rënie nga lartesia ose aksident mund të prodhojë gjak në urinë. Një goditje e fortë, zakonisht në zonën e shpinës, mund të bëjë që gjaku të shfaqet në urinën. Mund të ndodhë në një aksident me makinë ose nëse diçka e rëndë ju godet. Shpesh trajtimi më i mirë është vetëm pushim e qetesi , megjithëse mjeku duhet t’ju ndjekë nga afer për t’u siguruar që jeni duke u rikuperuar mirë. Nëse dëmtimi është i rëndë, mund të keni nevojë për kirurgji.

Kanceri

Gjaku në urinë është një shenjë kryesore e kancerit të fshikëzës. Mund të jetë gjithashtu një shenjë e kancerit të veshkave ose prostatës. Në disa raste, mund të mos keni simptoma të tjera. Kjo është një arsye pse është e rëndësishme të njoftoni mjekun nëse vëreni  gjak në urinë.

Diagnostikimi i problemit

Mjeku mund të sugjeroje disa analiza për të ndihmuar në diagnostikimin e shkakut të gjakut në urinë. Për të zbuluar pse ka gjak në urinë, mjeku do t’ju ekzaminojë dhe do t’ju pyesë në lidhje me shëndetin dhe historinë e familjes tuaj. Urina do të testohet në laburator për qelizat e kuqe të gjakut, infeksion dhe probleme të tjera të mundshme. Në disa raste, mjeku mund të kërkojë dhe test gjaku ose të fotografojë veshkat ose fshikëzën me skanim CT, MRI, ose një aparat fotografik special, të quajtur cistoskop.

Trajtimi

Trajtimi i gjakut në urinë varet nga shkaku bazë . Një infeksion mund të pastrohet me antibiotikë. Kanceret e ndryshme kërkojnë qasje të ndryshme, dhe sëmundjet genetike mund të kenë nevojë për menaxhim afatgjatë.

Bisedoni me mjekun për llojin e trajtimit që keni nevojë.

Tërshërë me qumësht, arra dhe kanellë: mëngjesi ideal për të nisur ditën me energji

Tërshëra është burim shumë i mirë fibrash dhe ju mban të ngopur për një kohë të gjatë, ndërsa qumështi shërben si burim energjie. Arrat janë burim i omega-3 dhe mjalti ka plot antioksidantë që luftojnë infeksionet në trup.

  • 3 luge gjellë tërshërë
  • 1 gotë me qumësht të vakët
  • 1 filxhan kafe me arra
  • 1 lugë gjelle mjaltë

Në një enë ku keni shtuar qumështin e vakët shtoni edhe tërshërën që të zbutet.

Më pas shtoni arrat dhe në fund mjaltin.

Kjo pjatë mund të konsumohet çdo mëngjes apo darkë. Ju bëftë mirë!

Dy fjalë për “elitat” që rrënuan mjekësinë shqiptare

Nga Nderim Horeshka

Sot, në ditën ndërkombëtare të mjekëve, kisha dy fjalë me thënë për një përqindje të vogël të armatës së madhe të mjekëve shqiptare. Janë shumë të paktë në numër, por të mëdhenj në “vlerat” shkatërrimtare.

E kam fjalën për ato të ashtuquajtur ose të vetëquajtur “Elita “ të mjekësisë shqiptare, të cilët e kanë drejtuar dhe sunduar mjekësinë shqiptare, që e kanë katandisur në derexhenë ku është sot. Ato që e rrënuan mjekësinë në shërbimin publik me veprime aktive si drejtues dhe administrator.

Si drejtues shërbimesh e departamentesh, që rrënuan mësimdhënien dhe përgatitjen e brezave të mjekëve të rinj.

Që nuk e ngritën njëherë zërin për problematikat e sistemit shëndetësor ndër vite, por që u bënë palë në vjedhje dhe me administratën e lartë dhe politikën.

U pasuruan me gjithfarëlloj allishverishesh dhe nuk deshën t’ia dinin për armatën e shumtë të mantel bardhëve, që përpëliteshin e strapacoheshin duke punuar në kushte tejet të vështira dhe nën presionin dhe tutelën prepotente dhe arrogante të shefave të “mëdhenj”, që sundonin në feudet e tyre duke mbytur çdo zë kritik dhe kundërshtues për t’u siguruar qetësi qeveritarëve të radhës bashkëpunëtorë në këtë shkatërrim pa dallim.

Po kujtoj vetëm koncesionet shkatërrimtare me dëme të pallogaritshme për sektorin publik, që nuk pati as edhe një nga këto “elitare” që t’i kritikonte dhe jo me t’i kundërshtonte.

Më ka mbetur në kujtesë një takim i kryeministrit aktual me shefat e shërbimeve në 2014, në kohën që deshën të merrnin mjekët në “testim” për njohuritë mjekësore iniciative e ministrit dhe Ministrisë së Shëndetësisë së kohës dhe asnjë nuk e hapi gojën për të kundërshtuar atë akt të pashembullt dhe të turpshëm që ishte një fyerje në radhë të parë për ato vetë që merrnin pjesë aty si ish profesorët tanë që nuk paskëshin formuar si duhet mjekët.

Një mungese dinjiteti njerëzor, profesional dhe një nënshtrim i turpshëm.

E kundërshtuan pjesa dërrmuese e mjekëve.

Dhe gjithë ky presion u bë për të mbyllur gojën për koncesionin e check up-it dhe të tjerë që erdhën më pas.

Ato me këto qëndrime u bënë pjesë e vendimmarrjes dhe e përgjegjësisë.

E gjitha kjo për të ruajtur privilegjet e posteve të tyre fitimprurëse prej milionash dhe nepotizmin asfiksues të sistemit shëndetësor.

Mjaft të shohësh klinikat e tyre private me vlerë miliona euro.

Turp, turp, turp.

Paçin faqen e zezë!

E njollosen bluzën e bardhë që mbajnë veshur, që u mbulon të zezat e tyre.

Monday, March 29, 2021

500 pacientë në ditë te Dispanceria në Tiranë, ndërsa prej dy muajsh aparatura e skopisë është prishur

Prej dy muajsh tek Dispanceria në Tiranë aparatura e skopisë është jashtë funksionit. Mos funksionimi i kësaj aparature ka bërë që shumë pacientë t’i drejtohen klinikave private ose të qëndrrojnë në pritje prej disa orësh për të bërë një grafi.

Në ditë numri  i pacientëve shkon deri në 500 të cilët vijnë për të bërë konsulta me mjekun ose ekzaminime me skopi ose grafi. Ka edhe nga ato pacientë të cilët vijnë me ekzaminimet e bëra në klinika private,  vijnë që mjeku ti japë një përgjigje. Kur i themi që skopia ka dalë jashtë funksioni fillojnë dhe bërtasin, ka nga ato të tjerët që marrin numrin dhe presin tek grafia në rradhë”- thonë recepsionistët.

Shumë pacientë janë të irrituar nga fakti që i duhet të presin disa orë në rradhë, ku shumë prej tyre pas pritjes disa orëshe dhe lodhjes që i krijohet duke qëndruar në këmbë,  detyrohen ti drejtohen një klinike private për ta bërë tashmë  edhe grafinë.

Kam të pakën dy orë që qëndroj këtu në pritje, jam numri 162 dhe kam përsëri shumë persona para meje, diku tek 10-15 persona . Do detyrohem të shkoj ta bëj tek privati për ta bërë grafinë sepse nuk mundem të qëndroj më shumë në rradhë. Edhe pse jam 37 vjeçe, nuk mund të qëndrroj aty në këmbë sepse nuk kam fuqi dhe mbi të gjitha është plot me njerëz të sëmurë kun ë asnjë moment nuk respektohet distance.

Kur më thanë që skopia është e prishur dhe të duhet të presësh në rradhë për tek grafia nuk reagova se nuk kam çfarë ti them. Nuk kam kujt ti drejtohem për këtë, edhe recepsionisti nuk ka faj ai punën po bën. Sa e sa veta qëndrojnë si unë në pritje për të bërë një grafi, dhe pasi ta bësh grafinë do qëndrrosh përsëri në pritje për tek mjeku që ta shikojë ai, cdo ditë kështu është këtu në cdo orë që të vish plot me njerëz”.-shprehet pacientja nga Tirana.

Kontrollet radiologjike të pa justifikuara, si po rrezikojnë shëndetin e njerëzve

Përgatiti Gerta Halilaj *Pedagoge dhe Teknike Imazheri Mjekësore, S. U. Sh. Ndoqi, Tiranë

Të ndërgjegjësohemi në përdorimin me kujdes dhe të justifikuar të rrezatimeve jonizuese.(Përdorim të justifikuar klinikisht dhe shkencërisht dhe të kujdesshëm të ekzaminimeve radiologjike, Grafi/Skaner)

Imagjinojeni botën përpara 1895, shumë pak teknologji që sot konsiderohet thelbësore: pa kompjuter, televizion, aviacion dhe pa teknika diagnsotikuese apo terapeutike imazherike. Përpara se të shpikeshin paisjet me rrezatim X, frakturat kockore, tumoret, trupat e huaj mund të vlerësoheshin dhe diagnostikoheshin vetëm përmes ekzaminimit fizik.

Në 8 Nëntor të vitit 1895 fizikanti Wilhelm Conrad Röntgen zbuloi në Universitetin e Würzburg, Gjermani, një lloj rrezatimi të panjohur që ai e quajti rrezatimi X. Ky zbulim do të shënonte fillimin e një ndryshimi revolucionar në fushën e mjekësisë që do të ndihmonte miliona pacientë në mbarë botën më vonë.

Tre ditë përpara Krishtlindjeve në 1895, Wilhelm Conrad Röntgen realizoi radiografinë  e parë të dorës së bashkëshortes së tij. Shoqata Fiziko-Mjekësore e Würzburg ishte e para që dëgjoi për  rrezet e reja që mund të depërtonin një regjion anatomik dhe të siguronin një imazh të tij. Në janar 1896, bota u përfshi nga “mania e rrezeve X” dhe Roentgen u shpall zbuluesi i një mrekullie mjekësore.

Fig.1. Radiografia e parë e dorës e realizuar nga Wilhelm Conrad Röntgen.

Ndërsa Rontgen dhe kolegët e tij po lavdëroheshin për zbulimin dhe përdorimin e këtij lloj rrezatimi, filluan të shfaqen dëmtimet e para serioze si humbja e gjymtyrëve, djegia e lëkurës, humbje e flokëve. Efekte stokastike të vona si kanceri u vunë re në mjekët dhe laborantët që themeluan  klinikat e para rëntgenologjike.

Clarence Dally (1865-1904) ishte e para që vdiq si pasojë e ekspozimit ndaj rrezatimit X në moshën 39 vjecare nga një karcinomë metasatike. Vdekja e radhës që u raportua ishte Elizabeth F Ascheim (1859-1905) në San Francisco.

Në këto kushte lindi nevoja e implementimit të paisjeve mbrojtëse të plumbuara të cilat nuk mund të depërtoheshin nga rrezet X. Përvec kësaj, në 1902 u përdorën për herë të parë paisjet për matjen e dozës së absorbuar të rrezatimit X. Sakrifica e këtyre pionerëve një shekull më parë, krijoi një teknologji diagnostike terapeutike që është jetike për shëndetin tonë sot.

Me zhvillimin e teknologjisë strategjitë e reduktimit të dozave të rrezatimit u përmirësuan ndjeshëm, teknikat imazherike po sofistikohen gjithmonë e më tepër, por kjo nuk duhet të na bëjë të humbasim vëmendjen dhe të harrojmë efektet e dëmshme të rrezatimit jonizues në indet humane.

Sipas të dhënave të OBSH ekzaminimi radiografik i pulmonit përbën 40 % të të gjithë ekzaminimeve imazherike në mbarë botën. Ekzaminimi i Tomografisë së Kompjuterizuar (CT) përbën 6.3 % të të gjitha ekzaminimeve imazherike. Është vlerësuar që 3-10 %  e të gjitha këtyre procedurave radiologjike kryhen në pacientë pediatrik.

Figura 2 Ilustrim imazhe X Ray

Gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19 numri i ekzaminimeve imazherike, si radiografia dhe CT e pulmonit janë rritur ndjeshëm për qëllime të diagnostike, te prekjes pulmonare nga virusi SARS-Cov-2. Sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, RT-PCR (tamponi) duhet të përdoret për të konfirmuar diagnozën e Covid-19 (përjashto rastet e procedurave emergjente intervencionuese kur RT-PCR nuk është në dispozcion ose rezultatet vonojnë).

 

Figura 3. Iustrim ekzaminimi skanimi CT

Shumica e shoqërive mjekësore shprehen kundër përdorimit rutinë të teknikave imazherike për diagnozën e rasteve të dyshuara për Covid-19. Ato rekomandojnë përdorimin e ekzaminimeve imazherike për pulmonin vetëm në rastet e pacientëve të konfirmuar pozitiv për Covid-19 (bazuar në të dhënat e testeve laboratorike) dhe përbërës klinik në të cilët dyshohet për progresion të sëmundjes dhe komplikacione si pneumoni, tromboemboli pulmonare etj.

Nëse përzgjidhen modalitetet imazherike për të vlerësuar ecurinë e Covid-19, atëherë duhet të merren në konsideratë rekomandimet e mëposhtme:

Krahasuar me CT, radiografia e pulmonit ka dozë më të ulët të rrezatimit. Mënyra më e mirë për të kuptuar dozën e rrezatimit nga një ekzaminim imazherik është të krahasohet kjo dozë me dozën e rrezatimit që marrim cdo ditë nga mjedisi që na rrethon.

Doza e rrezatimit të marr gjatë një CT pulmoni është e barabartë me 730 ditë të rrezatimit natyral, pra me rrezatimin natural që marrim në pëerditshmërinë tonë.

Doza e rrezatimit të marr gjatë një radiografie pulmoni është e barabartë me 2.5 ditë të rrezatimit natyral.

Figura 4. Radiografi portabël e pulmonit (COVID 19). 

Nëse rekomandohet kryerja e radiografisë apo CT të pulmonit duhet të përdoren protokolle me dozë të ulët të rrezatimit duke mos kompromentuar cilësinë e ekzaminimit. Në pacientë pediatrik dhe paciente femra shtatzëna duhet të favorizohet përdorimi i radiografisë karahasuar me CT.

Për ekografinë e  pulmonit  ka pak evidence që mbështesin saktësinë e saj diagnostike në Covid-19, por mund të jetë e  dobishme si një modalitet shtesë ose alternative sidomos në rastin e pacientëve pediatrik apo pacienteve femra shtatzëna.

Zgjedhja e modalitetit imazherik duhet të bëhet përmes vendimarrjes së përbashkët të mjekut referues, mjekut imazherist. teknicientëve të mjekësisë dhe pacientit, në mënyrë që të evitohet cdo ekspozim i panevojshëm.

Figura 5 Imazhe CT të pulmonit të prekur nga Covid-19.

Teknologjia e përparuar imazherike ka hapur horizonte të reja për diagnostikimin dhe përmirësim të kujdesit ndaj pacientit. Kjo kërkon adaptimin e praktikave që mundësojnë reduktimin e dozave të rrezatimit aq sa është e mundur në mënyrë të arsyeshme (ALARA-As Low As Reasonably Achievable).

Cdo ekzaminim imazherik që përdor rrezatim jonizues duhet të jetë i justifkuar, duhet tʼi shërbejë një indikacioni të caktuar diagnostik ose terapeutik, në të kundërt nuk ka arsye përse të realizohet.

Përdorimi i arsyeshëm i rrezatimeve jonizuese sot do të reduktojë ndjeshëm numrin e pacientëve onkologjik në dekadat e ardhshme.

Figura 6. Ilustrim rrezatimi dhe covid 19

Aplikimi i protokolleve strikte, përditësimi me të dhënat të bazuara në evidencë, kualifikimi i vazhdueshëm i personelit, mjekësor, dhe infrastruktura teknike me aparatura te gjeneratës së re, së bashku me konsultimet muldidisiplinore dhe sensibilizimin e vazhdueshëm të personelit mjekësor por edhe të popullatës do te na bënte që te ishim më të kujdesshëm në kërkesat e indikacioneve klinike të nevojshme për të kryer një ekzaminim radiologjik por edhe do të shmangimin efekte anësore dhe shtimin e parandalueshëm deri diku të pacienteve onkologjike nesër.

Sindroma post-Covid, nga lodhja deri tek mpiksja e gjakut, ja cilat organe vuajnë më shumë

Nga doktor Henrik Zotaj

Ne, po shohim çdo ditë se një numër  jo i vogël njerëzish që kanë kaluar COVID-19 vazhdojnë të ndiejnë efektet e kësaj sëmundjeje për javë dhe muaj edhe pasi shërohen nga simptomat ose ndërlikimet e tyre, të Covid-19.

Këta individë nganjëherë referohen si “transportues të gjatë COVID” dhe ekspertët këtë gjendje tani po e quajnë Sindromë post-COVID. Një studim, në pavionin e spitalit të Bergamos ku më shumë se 1500 pacientë – iu nënshtruan ndjekjes midis muajit:

Maj – tetor 2020 tre muaj e gjysëm, pas shfaqjes së simptomave të Covid-19, rezultoi me një numër të konsiderueshëm pacientësh, me simptomash post -Covid, thotë Dr. Marco Rizzi, drejtori i Sëmundjeve Infektive të Spitalit Papa Gjoni XXIII, i cili në vlerësimet e tij, referon si simptomat më të zakonshme post-Covid:

  • Lodhja – e konstatuar kjo, ne 48.5% te rasteve (pacientëve)
  • Vështirësi në frymëmarrje – nga e cila vuajnë rreth 36.2% e pacientëve
  • Dëmtimi i funksionit të mushkërive – vërehet në rreth 29% te rasteve
  • Ndër pasojat afatgjata të Covid, ekziston gjithashtu
  • Një ekspozim ndaj rrezikut të komplikacioneve trombotike në rreth 39% të rasteve.
  • Tendenca për të zhvilluar tiroidit post-Covid, arrin në rreth 9-17% të rasteve
  • Problemet e ankthit i shfaqin rreth 11% e pacientëve,
  • Ndërsa çrregullimi i stresit post traumatik, shfaqet në rreth 30% të rasteve.
  • Ndryshim të erës/nuhatjes – e shfaqin rreth 4% te rasteve.
  • Simptoma të tjera të dukshme ishin:
  • Dhimbje të kyçeve
  • Dhimbje gjoksi
  • Konfuzion mendor, duke përfshirë një paaftësi për t’u përqendruar dhe memorie të dëmtuar
  • Çrregullim i gjumit etj.

Ndërsa me një ecuri normale, një pacient me COVID-19, për pjesën më të madhe të individëve kërkon 3 javë për t’u rehabilituar, nuk dihet me siguri se:

  • Sa kohë do te vazhdojnë simptomat pos-Covid, të disa individëve
  • Sa kohë do ti duhet këtyre individëve, për t’u rehabilituar gjendja e tyre shëndetësore post Covid.?
  • Por, të dhënat e shumë studimeve thonë që ato mund të zgjasin të paktën tre, gjashtë ose më shumë muaj dhe më gjatë tek disa individë.

SINDROMA post-COVID DHE MPIKSJA E GJAKUT!

Një vëzhgim i rëndësishëm i bërë në pacientët me COVID-19 është formimi i mpiksjes së gjakut. Ndërsa mpiksjet e mëdha mund të çojnë drejtpërdrejt në sulme në zemër dhe goditje në tru, mpiksjet më të vogla mund të zhvendosin trombin  drejt organeve te tjera si mëlçia, veshkat, etj, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme të këtyre organeve.

Sipas, po ketyre studimeve rreth 39% e pacientëve që kanë simptoma post-Covid – dhe te dhena laboratorike, qe rezultojne kryesisht me nje D-dimer të lartë, jane shenjë e aktivizimit të mpiksjes se gjakut, gje e cila do te thote se, eshte prezent akoma…rreziku i ngjarjeve trombotike edhe per jave ose muaj më vonë.

Protokollet aktuale të trajtimit, përfshijnë përdorimin e medikamenteve te grupit te heparinës, i cili është një antikoagulant tipikisht i indikuar për trajtimin e trombombozave venoze, kryesisht te pacientet qe  qendrojne me gjate në regjim shtrati dhe ne mungese te rehabilitimit fizik.

Nderkohe qe studimet theksojne, se për të gjitha rastet e Covid dhe post Covid, terapia mund të optimizohet duke futur anti-agregantin më të njohur dhe më të përdorur gjerësisht: Acidin Acetilsalicilik, (Aspirinën)

Ajo qe vlen te theksohet ne keto raste eshte se,

per cdo simptome post Covid dhe trajtimin perkates duhet te monitorohemi dhe ndjekim, keshillat  e mjekut tuaj ose  atij specialist!

CILAT ORGANE VUAJNE ME SHUME NGA SINDROMA post-COVID!

Disa studime te fundit tregojne se ankesa kryesore  post-Covid, rezultojne kryesisht ne 6 organe.

1.Sistemi i frymëmarrjes post-COVID:

Sipas disa studime, disa pacientë pasi jane  shëruar nga COVID-19, priren të ankohen për lodhje të vazhdueshme, gulçim dhe nevojën për të marrë frymë thellë, si dhe veshtiresi per te kryer edhe disa pune rutine…shkaku kryesor mendohet të jete, dëmtimi prej kohësh i qeseve të ajrit dhe indeve të mushkërise, simptoma keto te formuara në mushkëri si rezultat i ndryshimeve inflamatore pergjatë periudhes se sëmundjes.

2. Zemra dhe enët e gjakut post COVID:

Efektet post-COVID, në zemër dhe sistemin e qarkullimit të gjakut mund të jenë kërcënuese për jetën, veçanërisht në pacientët me sëmundje kronike të zemrës.

Mjekët, kanë vërejtur se edhe pasi kanë testuar negativisht për COVID-19, pacientët kanë pasur lodhje kronike,  crregullime te ritmit,  dhimbje gjoksi dhe dëmtim të muskujve te zemres, keto demtime priren drejt komplikimeve të tjera si kardiomiopatia.. etj!

3.Veshka post-Covid!

Një  tjetër organ i prekur është veshka,  funksioni i ulët i veshkave,  vërehet jo vetem tek  pacientët e shtruar në spital por, edhe tek ato post-Covid.

Nje arsye per kete ulje te funksionit te veshkes eshte, prania e presionit të lartë të gjakut dhe prezenca e diabetit, te cilat  rrisin më tej rrezikun e mosfunksionimit të veshkave post-COVID. Pacientët, kanë renie te sasise  së urinës, urinim të rrallë.. etj Dëmtimi i veshkave i “atribuohet” kryesisht sulmit të drejtpërdrejtë nga virusi, niveleve të ulëta të oksigjenit në gjak, stuhisë së citokinave dhe mpiksjes së gjakut që mund të bllokojë veshkat.

4.Mëlçia post-COVID:

Demtimi i heparit (mëlçisë) është pasojë e shumëzimit viral dhe dëmtimit të indit hepatik gjatë infeksionit. Pacientët e hospitalizuar për COVID-19, me simptoma të moderuara deri në të rënda, janë vërejtur të kenë nivele të larta të enzimeve të mëlçisë dhe funksion jonormal të mëlçisë. Edhe ne kete rast, kjo mund t’i “atribuohet” gjithashtu stuhisë së citokinave dhe niveleve të ulëta të oksigjenit ne gjak

5.Truri post-COVID:

Disa pacientë që kanë kaluar COVID-19, kane zhvilluar goditje, kriza dhe inflamacion të lehtë deri të rëndë në tru, duke çuar deri në ndikime afatgjata.

Disa pacientë që shërohen me simptoma të lehta,, kanë raportuar se ndihen të hutuar, kanë mendime të mjergullta, marramendje, vizion të paqartë, paaftësi për t’u përqëndruar..etj. Studiuesit besojnë se, format e renda te COVID-19, mund të shkaktojë edhe paralizë të përkohshme (sindroma Guillain-Barre) dhe të rrisë rreziqet e zhvillimit të sëmundjes Parkinson dhe Alzheimer në disa pacientë.

6.Sistemi i tretjes post-COVID:

COVID-19, mund të prishë potencialisht thithjen e lëndëve ushqyese nga sistemi gastrointestinal, duke e bërë më të vështirë për trupin të thithë lëndët ushqyese thelbësore dhe elektrolitet.

Shumë pacientë post-Covid, shpesh ankohen për të përziera, siklet në bark, humbje të oreksit, diarre të vazhdueshme dhe simptoma të gastritit, duke kerkuar kohe per rikthimin në një dietë të rregullt dhe  normale..

Sidoqoftë:

Shumica e pacientëve shërohen shpejt pa efekte afatgjata por, edhe pacientë te tjere, duket se lehtësohen ngadalë nga këto simptoma, me kalimin e diteve dhe javeve.

Ndërkohe, prania dhe konsulta e mjekut edhe disa jave, pas kalimit te Covid, po duket cdo dite dhe me domosdoshme..!

Kërkesë për vaksinim COVID-19 përmes e-Albania

Në platformën e-Albania tashmë mund të bëhet kërkesë online për t’u vaksinuar kundër COVID-19.

Në faqen zyrtare të e-Albania (kliko këtu) gjendet edhe informacioni i plotë mbi procedurën online.

Kërkesë për vaksinim Covid-19

Shërbimi elektronik “Kërkesë për vaksinim Covid-19” ju mundëson të gjithë qytetarëve që dëshirojnë të kryejnë vaksinimin për Covid-19, të dërgojnë kërkesën e tyre online pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Baza ligjore: – Ligji nr.10107 datë 30.03.2009 “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; – Ligji nr. 15/2016, datë 10.03.2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”.

Dokumentacioni i nevojshëm
Për këtë shërbim nuk nevojitet dokumentacion shoqërues.

Hapat e procedurës
– Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania; – Zgjidhni shërbimin “Kërkesë për vaksinim Covid-19”; – Klikoni butonin “Përdor”; – Plotësoni të dhënat tuaja dhe klikoni butonin “Dërgo”; – Ju do të njoftoheni me SMS ose do të kontaktoheni nga mjeku i familjes për datën dhe vendin e vaksinimit.

Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit
Menjëherë

Kostot
Pa pagesë

Më shumë
Për çdo pyetje apo paqartësi mbi përdorimin e shërbimit mund të kontaktoni në adresën helpdesk@e-albania.al

https://ift.tt/31s3nWz

 

Ndahet nga jeta deputeti Bashkim Fino

Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare. Fino, prej kohësh luftonte me Covid-19, por pavarësisht përpjekjeve nuk mundi t’ja dalë.

Lajmin e ka bërë me dije zëvendëskryeministri Erion Braçe përmes një postimi në Facebook.

“Tani je në qiell miku im!”- shkruan Braçe në foton e publikuar me ish-kryeministrin shqiptar.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se sot për Partinë Socialiste do të jetë ditë zie që do të thotë çdo aktivitet elektoral do të ndalet për të nderuar dhe kujtuar të ndjerin.

Sunday, March 28, 2021

Nisja e vaksinimit masiv

Kryeministri i vendit, Edi Rama e ka cilësuar nisjen e vaksinimit masiv si një nga ditët më të bukura të jetës së tij politike, në një fjalim nga tarraca e bashkisë së Tiranës.

Rama shtoi më tej se ky është një hap kolosal drejt fitores përfundimtar e mbi këtë mortje, kjo pandemi që ka ndryshuar kuptimin e jetës sonë.

“Më besoni që kjo e sotmja është një nga ditët më të bukura të jetës time politike mbase më e bukura është shumë më tepër se çdo ditë e çdo fitoreje zgjedhore, sepse sot ka nisur çlirimi nga ankthi me shpirtin e mijëra gjysheve e gjyshërve të këtij vendi që për shkak të rrezikut të madh që i kërcënon në këtë kohë të mallkuar ku bota përballet me armikun e padukshëm kanë qenë të detyruar të mbyllen brenda dhe të privohen nga shumë orë në ajër të pastër. Sot kemi hyrë në fazën finale të kësaj lufte dhe nga sot është një hap kolosal drejt fitores përfundimtare mbi këtë mortje, që e ka ndryshuar kuptimin e jetës sonë dhe ka penguar çdo njërin prej nesh të shikojë të ardhmen, nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të shohësh mijëra e mijëra gjyshe e gjyshër” , tha Rama./ top channel

 

Saturday, March 27, 2021

Vetëm 21-vjeç! Covid-19 i merr jetën studentit të mjekësisë nga Librazhdi

Mësohet se i riu që vdiq për shkak të virusit covid-19, quhej Emiljano Tola dhe ishte një student i mjekësisë. Mësohet se i riu kishte sëmundje të tjera bashkëshoqëruese dhe prej kohësh vuante nga astma.

Edhe faqja zyrtare në “Facebook”, e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, i ka kushtuar një shkrim vdekjes së 21-vjeçarit, ku i shprehin ngushëllimet e tyre familjarëve për këtë humbje të madhe.

Postimi i plotë i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë:

Nje rrugetim i nderprere ne gjysme!
Sot mungon mes nesh Emiljano Tola. Student i shkelqyer i vitit te trete ne progamin mesimor Mjekesi e Pergjithshme. Dekanati i Fakultetit te Mjekesise, shpreh ngushellimet me te sinqerta familjes per kete humbje te madhe.
U prehsh ne paqe!
DEKANATI/topchannel

Friday, March 26, 2021

Covid-19/ Besimi i ulët në cilësinë e ilaçeve dhe koha e gjatë e kryerjes së ekzaminimeve, shkak për mosmarrjen e barnave me rimbursim

Numri i qytetarëve që kanë marrë barnat me rimbursim, sipas skemës së miratuar nga MSHMS për trajtimin e Covid-19 në kushte shtëpie (për dy stade) është shumë më i ulët sesa numri i personave të prekur me covid-19, të dhënat për të cilët janë bërë publike nga MSHMS. Ky është konstatimi i Avokatit të Popullit, në një deklaratë të publikuar pak ditë më parë. Pyetjes se pse ndodh kjo i është përgjigjur për shëndeti.com.al mjeku Bledar Bakiaj si dhe një farmaciste e cila ka preferuar të mos identifikohet.

Doktor, a kanë pacientët mungesë informacioni rreth marrjes së medikamenteve me rimbursim?

Ne kemi një protokoll i cili thotë: Nëse vërtetohet që je pozitiv me COVID-19, mjekimin e merr mujor. Më tepër se një muaj ti nuk mund ta marrësh. Kur pacienti del pozitiv me dy mënyrat e testit i shpjegohet ne cilën fazë është dhe se si e merr ai medikamentin.

Protokolli për çdo mjek familjeje është: Alternativa e parë është mjekimi më i lehtë. Nëse gjendja pas 3-4 ditësh pas bërjes së grafisë ose ekzaminimeve të tjera tregojn avancim, jemi të detyruar të luftojmë infeksionin me mjekim me injeksion ose e bën në spital.

Medikamentet të cilat merren me injeksion nuk janë në fashën e rimbursimit. Ne ja referojmë mjekut pneumolog dhe ai e vendos nëse është për spital ose jo. Shtrimi në spital është vendim I I pacientit.

A ka pacientë të cilët refuzojnë shtrimin në spital dhe pranojnë mjekimin në shtëpi?

Po një pjesë e pacintëve e refuzojnë shtrimin në spital, dhe ne jemi të detyruar që t’ja bëjmë në shtëpi mjekimin. Edhe pse ne ngulmojmë që të shkojë në spital sepse ky është protokolli.

Cila është arsyeja që këto pacientë refuzojnë të shkojnë në spital?

Frika që kanë. Vijnë e na thonë: Atje vdes, nuk shkoj në spital. Shumë pacientë e kanë kaluar me mjekime dhe nën kujdesin tonë. Dje pata një rast i cili po merrte mjekim në shtëpi, filloi të rëndohej mori 127 në telefon dhe u shtrua në spital.

A është proces i komplikuar ky i rimbursimit, si funksionon?

Apsolutisht jo! Është shumë e thjeshtë, e njëta procedurë që merr mdikamentet e tjera të një sëmundje tjetër me rimbursim. Pacienti duhte ti dalë tamponi negativ e para dhe shumë e rëndësishme. Pastaj në varësi të analizave të bërë i jepet mjekimi me rtimbursim. Bëhet dhe analiza e D-dimer për të parë kaugulimin e gjakut nëse duhet ti jap hollues ose jo.

Kjo analizë që ju përmendët, a bëhet në laboratorin e qendrës?

Këtu bëhet por është me planifikim. Koha nuk të pret derisa të vijë data e planifikimit, pas një jave për pacientin është shumë, kështu që njerëzit janë të detyruar ti drejtohen privatit. Është një analizë e cila duhet shumë shpejt për ti dhënë sa më shpejt mjekimin, nuk të premton koha.

A ka kufizim të firmave farmaceutike në marrjen e medikamenteve me rimbursim? Pacienti mund të marrë vetëm ato që janë përcaktuar nga Ministria apo mund të zgjedhë se çfarë firme farmaceutike do apo I rekomandon mjeku?

Nuk e di këtë gjë rreth zgjedhjes që duhet të bëjë pacienti, e di farmacisti. Unë kam një protokoll ku thuhet:

Mjekimi me rimbursim jepet në varësi të pozitivitetit dhe gjendjes së pacientit, të cilat janë:

  • Gjendje e lehtë ose fillestare
  • Mesatare
  • E rëndë

Me vërtetim i cili është me tampon, test PCR ose testin e shpejt (Rapid Test) nëse këto të dyja dalin pozitive atëherë ti mund ta marrësh recetën me rimbursim, në të kundërt jo.

Problemi qëndron se me rimbursim merret ajo që quhet gjeneriku, mjekimi jo thjesht emri i firmës. Të të jap një shembull: Unë shkruaj vitaminë  C 500 ashtu si në protokoll apo vitamin D ose antibiotik Levofloxacinën  e cila ka disa marka. Njëra nga këto marka është në rimbursim dhe unë i jap këtë me rimburisim, pastaj se kë merr ai unë nuk e di. Ai mund të mos e pëlqejë këtë dhe merr një më të mire dhe i duhet të paguajë.

Ne kemi vizituar pacientë të cilët kanë qenë me COVID-19 dhe  nuk e kemi ditur, i është bërë tampon ku ka rezultuar pozitiv. Para disa ditësh më erdhi një paciente e cila kishte patur shenja, kishte bërë një grafi dhe kishte prekje të lehte. I dhashë mjekim por pa rimbursim sepse nuk ishte me tampon. Nuk pranoi të bëjë tamponin me idenë se i duhet të priste në rradhë.

 

Për ta pyetur sesi funksionon procesi i rimbursimit të medikamenteve në farmaci shëndeti.com.al ka intervistuar farmacisten me iniciale J.Z.

A ka alternativa, për medikamentet të cilat janë me rimbursim? 

Ka alternativë dhe kjo është vetëm për vitaminën C dhe vitamin D. Për vitaminën C janë 5 alternativa të cilën mund ta zgjedhë pacienti. Ndërsa për Levofloxacinën  e cila është antibiotik(Levalox, marka Krka)është e përcaktuar nga Ministria dhe është vetëm një markë.

E njëjta është dhe për holluesin e gjakut që është vetëm një e cila është Xarelto. Të gjitha këto medikamente merren sipas fazës së agravimit të sëmundjes. Dhe merren nga mjeku i familjes me anë të një kodi.

Nëse pacienti nuk do ti marrë këto medikamnte që i ka dhënë mjeku dhe që janë në fashën e rimbursimit atëherë ai është i lirë të zgjedhë një medikament tjetër të një firme tjetër por, i duhet të paguajë, sepse nuk është në rimbursim.

A është e vërtetë që nuk po merren medikamentet me rimbursim, sepse pacientët nuk kanë besim tek cilësia e tyre?

Mund të jetë edhe kjo. Ka paciente që marrim recetën me rimbursim, dhe pas 2-3 ditësh vijnë për të marrë medikamentin e një firme tjetër të një cilësie më të mire sepse ky që mori më parë nuk i dha efekt.

Cilët janë më të shumtë në numër pacientët me COVID-19 të cilët vijnë me recetën me rimbursim apo pa rimbursim?

Patjetër që janë pacientët PA rimbursim. Vijnë me recetën e mjekut specialist si penumolog dhe infeksionist dhe detyrimisht e marrin me lekë.

Pacientët e sëmurë më COVID-19 të cilët vijnë për të marrë medikamete me rimbursim janë shumë të paktë. 15 ditëshin e parë të muajit Mars NUK kam patur as një recetë me rimbursim për COVID-19 por, kisha pacientë që vinin me receta nga mjeku specialist për të marrë medikamentet me lekë.

Cila është arsyeja që ndodh kjo?

Do thoja disa arsye:

  • e para është mosbesimi që kanë për ilacet të cilat janë në fashën e rimbursimit;
  • e dyta është që nuk duan të sorollaten ose të shkojnë të planifikojnë ditën për të bërë tamponin, grafinë, skanerin ndërkohë pacienti është i sëmurë dhe ka frikë të pres.

Është një angari shumë e gjatë kur koha nuk të premton as gjë, sepse sëmundja e tij agravon nga moment në moment. Zgjidhja është kjo që më mirë po i blej dhe po i bëj këtë gjëra pa pritur dhe pa harxhuar kohë në jetëshpëtimin e të sëmurit.

 

Çfarë kuptojmë me depistim për kancerin e qafës së mitrës?

Meqë HPV është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës, depistimi për këtë kancer ka të bëjë me identifikimin e pranisë së infeksionit me HPV, dhe konsiston në marrjen e një sasie qelizash nga sipërfaqja e qafës së mitrës ose vaginës për t’u analizuar.

Kampioni çohet në laborator dhe analizohet për praninë ose jo të tipeve HPV, shkaktare të kancerit të qafës së mitrës të quajtura ndryshe me rrezik të lartë (hr-HPV). Nëse identifikohet prania e infeksionit me HPV nuk do të thotë se keni kancer por thjesht jeni e infektuar me HPV, dhe nëse nuk ndiqeni apo nuk trajtoheni më tej, ky infeksion mund të përparojë në kancer. Prandaj, në një situatë të tillë, për të kontrolluar më mirë qafën e mitrës duhet të kryeni një ekzaminim të dytë që quhet kolposkopi. Nëse specialisti që kryen kolposkopinë do të identifikojë qeliza anormale, do t’ju sugjerojë t’i hiqni ato, dhe kjo bëhet si rregull gjatë procedurës së kolposkopisë.

Kjo është mënyra se si depistimi parandalon kancerin e qafës së mitrës./QSUNT

Samiti i BE: Certifikata e vaksinimit po vjen! Po vaksinat?

Kur të jenë vaksinuar të gjithë në BE ndaj COVID-19, kjo duhet të dokumentohet në një certifikatë, që personi mund ta paraqesë nëse i kërkohet. Por në fakt aktualisht vaksinat janë një mall jo i lehtë për t’u poseduar.

Në samitin virtual të BE-së (25.03) u ra dakord që deri në verë në BE të ketë një certifikatë të njësuar për vaksinimin. Kancelarja gjermane e mbështeti vendimin, por tërhoqi vëmendjen për disa pengesa. Në BE vazhdon të jetë e diskutueshme nëse liria e lëvizjes do të kondicionohet nga kjo certifikatë.

Këtij vendimi i parapriu hapja e rrugës për certifikatën nga Parlamenti Europian një ditë më parë. Deputetët votuan që kjo çështje të trajtohet me procedurë të përshpejtuar. Komisioni i BE-së preferoi një proces të përshpejtuar, në mënyrë që bisedimet mes institucioneve të mund të fillojnë sa më shpejt. Certifikata e planifikuar e vaksinimit do të aplikohet qysh në qershor.

“Me certifikatën digjitale” Komisioni i BE-së do të krijojë një zgjidhje të përbashkët teknike për të 27 vendet e BE-së për të kapërcyer kufizimet aktuale të udhëtimeve. Certifikata, që do të njihet në mbarë BE-në, duhet të dokumentojë vaksinimet, rezultatet e testeve të licencuara dhe informacionet për shërimin nga infeksioni me koronavirusin. Lidhur me zbatimin teknik ka një sërë pyetjesh.

Kritika dhe rezerva

Edhe pse deputetët votuan në procedurë të përshpejtuar, paraprakisht pati kritika të ashpra. Kryetari i grupit parlamentar të kristiansocialëve, Manfred Weber (CSU), kritikoi, që propozimi i komisionit është bërë shumë vonë. “Dhe tani kërkohet të veprohet me procedurë të përshpejtuar”. Kryetari i grupit të ekologjistëve, Philippe Lamberts, nënvizoi, që një proces i tillë e kufizon fort debatin demokratik dhe verifikimin ndaj është e gabuar. Deputetët tërhoqën vëmendjen gjithashtu për pabarazitë lidhur me një certifikatë vaksinimi dhe theksuan, që përmes saj duhet të garantohet edhe ruajtja e të dhënave.

Po vaksinimi?

Përveç kritikave është edhe problemi që mungon furnizimi me vaksinat. Samiti virtual i BE-së (25.03) shqyrtoi problemet me furnizimin e vaksinave dhe kontrollin e eksporteve në vendet e treta. “Ne theksojmë rëndësinë e transparencës si dhe përdorimin e licencave të eksportit”, thuhet në deklaratën përmbyllëse të samitit. Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi që në sfondin e problemeve me pandeminë të analizohen “pa doreza” dobësitë e BE-së. Shtetet e BE-së duan që të rrisin shpejtësinë në procesin e vaksinimit të popullsisë ndaj koronavirusit. Megjithatë me orë të tëra në samit u zhvilluan debate për shpërndarjen e vaksinave, për të cilat ka vvshtirësi furnizimi. Në tre muajt e ardhshëm duhet të furnizohen tri herë më shumë vaksina se deri tani, deklaroi presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen. Deri tani nga gati 450 milionë qytetarë të BE-së të paktën 65 milionë janë vaksinuar një herë. Deri në fund të marsit vendet e BE-së do të marrin rreth 100 milionë doza. Për periudhën prill – qershor janë premtuar nga koncernet farmaceutike 360 milionë doza.

Çfarë bën Britania e Madhe?

Prodhuesit e vaksinës duhet t’u përmbahen afateve të kontraktuara të furnizimit, theksohet në deklaratën e samitit. Sfondi ka të bëjë kryesisht me grindjen lidhur me prodhuesin britaniko-suedez AstraZeneca. Sipas Komisionit të BE-së kompania gjatë tremujorit të parë do të duhej të furnizonte 120 milionë doza. Ndërkohë bëhet fjalë për maksimumi 30 milionë doza. Komisioni i BE-së për shkak të këtij debati i ka ashpërsuar rregullat e eksportit në BE. BE-ja druan, se AstraZeneca favorizon britanikët në furnizim edhe me vaksinat që prodhohen në BE. Sipas Komisionit deri tani 21 milionë doza kanë shkuar në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithsej BE ka eksportuar 77 milionë doza./DW

COVID-19/ Humb jetën shkencëtari i njohur shqiptar

Covid-19 i ka marrë jetën në moshën 56-vjeçare fizikantit dhe profesorit të talentuar Artan Boriçi, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Akademia e Shkencave shpreh dhimbjen për këtë humbje të parakohshme.

Boriçi ishte i vlerësuar në rrethin e kolegëve të ASH dhe të Universitetit të Tiranës si një shkencëtar, i cili ia ka dalë të jetë pjesë e komunitetit shkencor ndërkombëtar me kontributin e tij të veçantë në shkencën e fizikës, duke hyrë në panteonin e elitës intelektuale.

Postimi i Akademisë së Shkencave

Është një humbje e madhe dhe e papritur në botën e shkencës ndarja nga jeta e akad. asoc. Artan Boriçit, pas një beteje të vështirë të javëve të fundit me COVID-19. Akad. asoc. Artan Boriçi ishte i vlerësuar në rrethin e kolegëve të ASH dhe të Universitetit të Tiranës si një shkencëtar, i cili ia ka dalë të jetë pjesë e komunitetit shkencor ndërkombëtar me kontributin e tij të veçantë në shkencën e fizikës, duke hyrë në panteonin e elitës intelektuale.

Artan Boriçi u bë anëtar i Akademisë së Shkencave në vitin 2020. Kryesia e Kryesia e Akademisë së Shkencave e tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të akad. asoc. Artan Boriçit, i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve, anëtarëve të Akademisë së Shkencave, trupës së profesoratit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku ai ushtroi veprimtarinë e tij akademike dhe universitare, brezave të studentëve që u formuan me dijet dhe etikën e tij, që i la në pikëllim.

I njohur në botën shkencore në botën e teorisë rrjetore të fushës për “fermionet Boriçi-Creutz”, akad. asoc. Artan Boriçi bashkëpunoi ngushtë me institucionet shkencore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe me institucione të tjera prestigjioze si Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë), Qendra e Kërkimeve Bërthamore Evropiane CERN, Qendra e llogaritjeve intensive në Jylih të Gjermanisë etj.

Së bashku me këto institucione dhe personalitete të shquara të fizikës dhe matematikës botërore ka marrë pjesë në organizimin e konferencave ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Ai ka mbrojtur gradën doktor i shkencave matematike në ETH, Zurich, Zvicër, më 1996. Titullin profesor e ka marrë në Universitetin e Tiranës, në vitin 2010. Punoi në drejtimet kërkimore të fizikës teorike dhe llogaritëse dhe në fushën e financës llogaritëse në Institutin Paul Scherrer të Zvicrës; në shkollën e lartë politeknike federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut (1996-2003). Akad.asoc Artan Borici ka 64 artikuj, të cituar 531 herë (ResearchGate), me 34 artikuj të indeksuar në SCOPUS, me indeks H = 9.

Ka botuar në revistat e mirënjohura të fizikës, si Physical Revieë D dhe Journal of Computational Physics. Është pjesëmarrës me referime në 49 konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, në 11 prej tyre si referues i ftuar. Artan Boriçi punoi mbi 20 vjet si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ka shërbyer si zëvendësdekan i këtij fakulteti (2012) dhe si anëtar i këshillit shkencor. Që prej vitit 2012, ai drejtonte grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizikës. Ka udhëhequr dy teza doktorale në fushën e fizikës së thërmijave elementare. U prehsh në paqe miku dhe kolegu ynë i shtrenjtë, i paharruari Artan Boriçi.

Thursday, March 25, 2021

Rreth 300 punonjës shëndetësor të Kosovës kanë marrë vaksinat antiCOVID në Shqipëri

Rreth 300 punonjës shëndetësor të Kosovës kanë marrë vaksinat antiCOVID në Shqipëri.

Procesi i vaksinimit pritet të përfundojë këtë të shtunë. Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, kryetari i Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

“Procesi i vaksinimit të punëtorëve shëndetësorë është duke shkuar mirë. 300 punonjës janë vaksinuar deri sot dhe të shtunën do të mbyllet ky cikël. Për fat të mirë nuk kemi pasur asnjë ankesë deri tani. Mirëpo fat i keq është se ka kërkesa të mëdha për vaksinim, por ne i kemi mundësitë e limituara”, ka thënë Syla.

Syla tha se shpreson që ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Vitia të kontaktojë me Republikën e Shqipërisë dhe të vazhdojë procesi i vaksinimit të punonjësve shëndetësor.

“Por shpresojmë se ministri i ri Shëndetësisë të vjen në kontakt me Republikën e Shqipërisë dhe të vazhdojnë këtë proces që e kemi nisur ne si Federatë. Më tepër se 500 vaksina nuk kanë mundur as ata të sigurojnë, kërkesat janë shumë në rritje”, u shpreh ai.

Syla tha se në përgjithësi punonjësit që kanë marrë këto vaksina kanë kaluar mirë dhe me ankesa që janë normale.

Shqipëria kishte siguruar 500 vaksina për COVID-19 për punonjësit shëndetësor të Kosovës. Vaksinimi kishte filluar javën e kaluar dhe punonjësit kanë marrë vaksinat në qytetin e Kukësit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kishte deklaruar se vaksinimi duhet të bëhet në Kukës, pasi kompania që ka prodhuar ato vaksina nuk lejon që ato të dalin jashtë shtetit.

“Ne nuk do t’u lëmë në asnjë mënyrë vetëm atje sepse në fund të fundit jemi një. Edhe fakti që bëhet në Kukës lidhet me atë që kompanitë nuk lejojnë nxjerrjen e dozave jashtë. Kukësi është dhe i Shqipërisë dhe i Kosovës”, kishte deklaruar Rama.

Ndërkohë, në Kosovë ende nuk kanë arritur vaksinat antiCOVID përkundër së është thënë se tashmë kanë kryer të gjitha procedurat e nevojshme për sigurimin e tyre.

Numri i rasteve me COVID-19 vazhdon të rritet në Kosovë, ku vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 781 raste të reja, kurse numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 803./topchanel

 

Dr Alket Koroshi: Gjuha si luleshtrydhe në faringitin streptokoksik

Alket Koroshi, mjek

Një vajzë 5-vjeçare paraqitet në klinikën pediatrike me një histori 3-ditore të etheve, dhimbje fyti dhe dhimbjeje me gëlltitje. Ajo nuk kishte kollë shoqëruese, rinorre ose ngjirje të zërit. Temperatura ishte 40 ° C.

Në ekzaminim, ajo u duk se ishte e sëmurë, me membrana mukoze të thata . Ajo kishte buzë të çara dhe një gjuhë të kuqe me papila të zmadhuara, pamje kjo e referuar si gjuhë luleshtrydhe. Bajamet ishin zmadhuar dhe edematoze me eksudate. Ajo nuk kishte skuqje, kongjestion te konjuktivës, ulçera orale, ose splenomegali.

Studimet laboratorike treguan një numër të përgjithshëm të leukociteve prej 14,400 qelizave me 73.0% neutrofile, 19.0% limfocite dhe 0.9% limfocite atipike. Kultura e fytit ishte pozitive për streptokokun e grupit A dhe u bë një diagnozë e faringjitit streptokoksik. Një gjuhë luleshtrydhe mund të jetë e pranishme edhe në kushte të tjera, përfshirë sëmundjen Kaëasaki.

Vajza mori trajtim me amoksicilinë orale për 10 ditë dhe u shërua plotësisht, nuk kishte përsëritje të simptomave në ndjekjen 3 dhe 6 muaj më vonë.

Muajt pandemikë të 2020-s, vdekjet në Shqipëri u rritën me 38%, shumë më e lartë se gjithë shtetet e tjera të Europës

Janari dhe shkurti të një viti më parë ishin dy muaj të qetë në gjithë globin dhe askush nuk do të mund ta parashikonte stuhinë që do të vinte më pas. Pas zbulimit të rastit të parë me Covid-19 në Itali në shkurt, marsi ishte fatal për këtë shtet, i cili pa një rritje të menjëhershme të vdekjeve me 48% me bazë vjetore atë muaj, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti Statistikor, pasi ishin tkurrur me 6.1% në janar-shkurt. Shtimi i fataliteteve tronditi Europën, me shtetet që nxituan të vendosnin karantinat më të ashpra që ishin parë ndonjëherë, duke zgjedhur të vuanin pasojat në ekonomi, përballë humbjeve të jetëve të njerëzve.

Pas Italisë, që ishte e para që priti valën fillestare të pandemisë, tendenca e rritjes së fataliteteve u konstatua në të gjithë Europën. “Monitor” ka përpunuar të dhënat për rritjen e vdekshmërisë për mars-dhjetor 2020, periudhën kur filloi e kulmoi pandemia, e krahasuar me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019, bazuar në të dhënat e Eurostat, që i publikon me bazë javore dhe instituteve statistikore përkatëse për vendet e rajonit.

Nga të dhënat rezulton se Shqipëria, e cila zgjodhi të zbatojë kufizime të rrepta vetëm në mars-maj ka përjetuar valën më fatale të pandemisë, me një rritje të numrit të vdekjeve me 38% për mars-dhjetor 2020, krahasuar me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019, pasi janari dhe shkurti kishin shënuar tendencë rënëse. Sipas INSTAT dhe Eurostat, për periudhën në fjalë (përjashtuar janarin dhe shkurtin) janë regjistruar rreth 6 mijë jetë të humbura më shumë.

Shqipëria ka një diferencë rreth 30% më të lartë për shtesën e vdekshmërisë në periudhën e pandemisë me të gjithë shtetet e tjera të Europës (vetëm të dhënat për Bosnjë Hercegovinën nuk janë ende të disponueshme). Shteti i dytë pas nesh, me rritjen më të lartë të fataliteteve për periudhën pandemike është Maqedonia , me +29%, e ndjekur nga Spanja (+27.2), Polonia (27.1%), Sllovenia (+26.4%), Belgjika (24.5%), Italia (24.4%), Çekia (23.8%), Bullgaria (23%), Rumani (21.5%), Zvicër (21.3%), Maltë (20.6%), Kosovë (20.4%, e krahasuar vetëm me vitin 2019). Për shtetet e tjera rritja ka qenë më e ulët se 20%, ndërsa pandeminë pothuajse nuk e kanë vuajtur fare Islanda (1.5%) dhe Norvegjia (2.7%)- shiko grafikun: Rritja e vdekjeve, mars-dhjetor 2020 kundrejt mesatares përkatëse 2016-2019.

Karantina e ashpër, që në pothuajse gjithë Europën zgjati mes marsit dhe majit e frenoi disi valën e parë të pandemisë. Në Itali, psh, pas rritjes së fataliteteve dhe në prill me 40%, maji deri në shtator ishin të qetë, me rritje të ulët mes 3-6%, madje në qershor treguesi ra me 0.75 me bazë vjetore, sipas ISTAT. Në Shqipëri, vala e parë nisi nga qershori, disa javë pas lehtësimit të masave të rrepta kufizuese, për të kulmuar në gjysmën e dytë të vitit. I njëjti krahasim për shtetet e Europës, por për 6 mujorin e dytë 2020 në raport me mesataren përkatëse katërvjeçare 2016-2019 tregon se në Shqipëri, rritja e fataliteteve ishte 53.2%, sërish më e larta e Europës. Në përgjithësi, shtetet e rajonit nuk arritën të menaxhonin pandeminë pas daljes nga karantina. Në Maqedoni, fatalitetet u rritën me 51%, ndërsa në Kosovë me 48.5%, në 6 mujorin e dytë 2020. Situata e rënduar ishte dhe në Poloni, Slloveni, Bullgari, Çeki, Rumani, Serbi, Mali i Zi. (shiko grafikun: Rritja e vdekjeve 6 M II 2020/ 6 M II 2016-2019 (%)).

Në tremujorin e katërt 2020, rritja vjetore në raport me mesataren përkatëse katërvjeçare ishte më e larta në Maqedoni (83.7%). Nëntori dhe dhjetori ishin fatalë në shtetin fqinj, me rritje të jetëve të humbura përkatësisht me 103% dhe 143%, sipas të dhënave zyrtare të institutit të statistikave të Maqedonisë.

Sllovenia dhe Polonia ishin dy shtetet e tjera që panë rritje dramatike të pasojave që Covid-19 dha në humbjet e jetëve, me rritje përkatësisht 74.7 dhe 73.6%. Shqipëria është e katërta në tremujorin e katërt, me shtim të fataliteteve me 70.3%. Bullgaria, Çekia, Zvicra, Rumania, Sllovakia shënuar rritje me mbi 50%. (shiko grafikun: Rritja e vdekjeve T IV 2020/ T IV 2016-2019).

Janar- shkurti 2021, pjesa më e madhe e Europës qetësohet, Shqipëria jo

Teksa Shqipëria duket se po eksperimenton me krijimin e imunitetit natyror të tufës, me kufizime minimale, ndryshe nga mbylljet e reja të Europës, vala e tretë e pandemisë ishte e fortë edhe në muajt e parë të këtij viti. Të dhënat nga Zyra e Gjendjes Civile, e cila raporton vdekjet e ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë, bëjnë të ditur se fatalitetet u rritën përkatësisht me 30.7% në janar dhe 78.6% në shkurt, me bazë vjetore (53% për janar-shkurt), ose rreth 2.2 mijë jetë të humbura më shumë se dy muajt e parë të 2020-s, kur nuk kishte filluar ende pandemia, duke e çuar në mbi 8 mijë bilancin që nga fillimi i pandemisë.

Kjo shifër mbetet deri tani më e lartë, e krahasuar me ato shtete për të cilat Eurostat ka nxjerrë të dhëna për 2 mujorin e parë të vitit. E dyta renditet Portugalia, që po përjeton një kulm të ri të pandemisë, me rritje 51%, por ky shtet në gjysmën e dytë të vitit të kaluar raporti rritje 21% të fataliteteve, kundrejt 53% të Shqipërisë.

COVID-19/ Sa na mbrojnë antitrupat nga ri-infektimet?

Gjatë gjithë vitit të pandemisë, të gjithë ata që e kanë kaluar SarsCov2 kanë qenë në dyshim, a do të ishin të mbrojtur pasi ja kanë “hedhur” virusit.

Në fakt ka një lajm të mirë dhe shumë inkurajues. Një nga publikimet shkencore të “Rockefeller University” i ditëve të fundit ka prova të qarta se sistemi imunitar siguron një mbrojtje afatgjatë pas shërimit nga COVID-19.

Ata që shërohen nga COVID-19 mbrohen nga virusi për të paktën gjashtë muaj dhe me gjasë shumë më gjatë.

Publikimet e botuara në revistën Nature, tregojnë se ka prova të forta, se sistemi imunitar “kujton dhe njeh” virusin, po ashtu vazhdon të përmirësojë cilësinë e antitrupave edhe pasi infeksioni ka kaluar.

Antitrupat e prodhuar muaj pas infektimit treguan një aftësi të shtuar për të bllokuar SARS-CoV-2 dhe mutacionet e tij siç është varianti i Afrikës së Jugut.

Për të folur në lidhje me këtë studim ishte i ftuar në “Wake Up”, drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj.

“Janë lajme të mira shkencore, të provuara që tregojnë se imuniteti jonë edhe pasi nuk kemi antitrupa jemi të mbrojtur për një kohë të gjatë, ose jemi të gatshëm.

Pas infektimit, të çdo njëri nga ne bëhet prodhimi i antitrupave dhe me kalimin e infeksionit, me disa javë ose disa muaj, antitrupat qëndrojnë. Pastaj, deri në 2-3 muaj fillon dhe zbritja e tyre.

Është parë nga studimet edhe më parë, që janë bërë që nga viti i kaluar që 6-8 muaj maksimumi, por 6 muaj kryesisht kapen antitrupat në plazmën tonë. Pas 6-8 muajsh nuk ke mundësi t’i kapësh nëpërmjet analizave të gjakut, por nuk është e thënë që nuk e ke më imunitetin”, theksoi Brataj.

Wednesday, March 24, 2021

“Kufizimet nuk ndryshojnë”, Komiteti Teknik i Ekspertëve: Masat në fuqi edhe për 2 javë të tjera

Komiteti Teknik i Ekspertëve gjatë mbledhjes së sotme ka vendosur që masat që janë fuqi do të jenë edhe për 2 javë të tjera.

Zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha ditën e sotme se ka një ulje të ndjeshme të të infektuarve dhe rasteve që raportohen në spitale.

“Komiteti mendon që këto shifra janë si rezultat i masave dhe tendence pozitive që është vënë re në respektimin e masave. Ka një respektim i masave por gjithsesi nuk është në nivelet e dëshiruara. Për këtë arsye që komiteti ka vendosur që masat deri tani të mbeten në të njëjtin nivel edhe për dy javë të tjera, ora policore, deri në 6 të mëngjesit, ku do të lëvizet vetëm për arsye emergjente. jemi në të njëjtin nivel masash që kemi qenë edhe më parë”, tha Rakacolli.

Ndërsa kreu i Urgjencës Kombëtare në vend, Skender Brataj tha se është ulur numri i thirrjeve në urgjencë.

“Në urgjencën kombëtare ka një ulje të thirrjeve me 1500. Edhe numri i misioneve për covid ka rënë në 100”, tha mjeku.

Brataj: Sistemi imunitar siguron mbrojtje afatgjatë pas shërimit nga COVID

Kreu i Urgjencës, Skënder Brataj ka publikuar të dhënat e një studimi, ku thuhet se sistemi imunitar siguron një mbrojtje afatgjatë pas shërimit nga COVID-19.

“Ndërsa numri i njerëzve që kanë kaluar SARS-CoV-2 rritet, është shumë e rëndësishme të dimë: sa do të zgjasë imuniteti i tyre ndaj koronavirusit të ri? Një studim i ri i Rockefeller University ka një përgjigje inkurajuese, se ata që shërohen nga COVID-19 mbrohen nga virusi për të paktën gjashtë muaj, dhe me gjasë shumë më gjatë”, thotë kreu i Urgjencës përmes faqes zyrtare.

Brataj ka sjellë rezultatet e një publikimi shkencore të “Rockefeller University” të ditëve të fundit, të cilat thotë se ata që shërohen nga COVID-19, mbrohen nga virusi për të paktën gjashtë muaj dhe  me gjasë  shumë më gjatë.

Brataj shkruan se antitrupat e prodhuar muaj pas infektimit, kanë një aftësi të shtuar për të bllokuar virusin dhe mutacionet e tij siç është varianti i Afrikës së Jugut.

“Publikimet e botuara në revistën Nature, tregojnë se ka prova të forta, se sistemi imunitar “kujton dhe njeh” virusin, po ashtu vazhdon të përmirësojë cilësinë e antitrupave edhe pasi infeksioni ka kaluar. Antitrupat e prodhuar muaj pas infektimit treguan një aftësi të shtuar për të bllokuar SARS-CoV-2 dhe mutacionet e tij siç është varianti i Afrikës së Jugut. Antitrupat, që trupi krijon në përgjigje të infeksionit, vazhdojnë në plazmën e gjakut për disa javë ose muaj, por nivelet e tyre bien ndjeshëm me kalimin e kohës. Sistemi imunitar ka një mënyrë më efikase për të trajtuar patogjenët(viruset): në vend që të bëjë antitrupa gjatë gjithë kohës, krijon memorie(kujtesë) të qelizave B që njohin patogjenin dhe mund të lëshojnë shpejt një raund të ri antitrupash kur e hasin për herë të dytë”, shton Brataj.

Top Channel

Roli i ushqyerjes në rastin e kancerit kolorektal

Prof. Bledar Kraja, mjek pranë Shërbimit të Gastrohepatologjisë, QSUNT

Kanceri kolorektal është një problem mbarëbotëror, me një incidencë vjetore prej afro një milion rastesh dhe me prirje për rritje të numrit të rasteve për shkak të plakjes dhe shtimit të popullatave si në vendet e zhvilluara ashtu edhe në ato në zhvillim. Risku për kancerin kolorektal varion nga një vend në tjetrin, brenda të njëjtit vend, si dhe nga individi në individ në varësi të mënyrës së  ushqyerjes, stilit të jetesës dhe faktorëve gjenetikë.

Elementë të ndryshëm ushqimorë janë të lidhur me zhvillimin e kancerit por sfida më e madhe me të cilën po përballen ata të cilët kërkojnë të shfrytëzojnë ushqyerjen si një strategji për parandalimin e kancerit kolorektal është krijimi i  hipotezavembi ndërveprimet midis faktorëve dietetikë dhe zhvillimit të sëmundjes.

Për këtë qëllim, ne intervistuam Prof. Bledar Kraja, mjek gastrohepatolog dhe endoskopist në Shërbimin Universitar të Gastrohepatologjisë, QSUNT, bashkautor i dy studimeve të kryera në bashkëpunim me Erasmus Medical Center, Roterdam, Hollandë, mbi rolin e ndërveprimit të elementëve ushqimorë në riskun për kancer kolorektal.

  1. Cilët elementë ushqimorë njohim sot si faktorë risku për kancerin kolorektal?

Dieta besohet se vepron si një faktor modifikues i rrezikut në të gjithë proçesine tumoregjenezës kolorektale, duke përfshirëtë gjitha hapat e saj që nga fillimi, zhvillimi dhe avancimi i tumorit.Sidoqoftë, elementët ushqimorë më ndikues të këtij procesi ende nuk janë të njohur mirë.

Bazuar në njohuritë tona aktuale dhe në nivelin e deritanishëm të evidencave, rekomandimet ushqimore për uljen e rrezikut të kancerit kolorektal përfshijnë (1) konsumin mesatar të mishit të kuq dhe të përpunuar; (2) gatimine mishit në mënyrë të sigurt dhe në një temperaturë të ulët për të shmangur djegien ose nxirjen e tij; (3) konsumine moderuar të alkoolit, veçanërisht për burrat (jo më shumë se dy gota në ditë = 20 gr / ditë); dhe (4) rritjen e konsumit të fibrave me origjinë bimore, veçanërisht konsumine bishtajoreve.

  1. Cila janë njohuritë aktuale (duke përjashtuar studimin tuaj) mbi lidhjen e yndyrnave të marra me ushqime dhe kancerit kolorektal?

Studimet mbi kafshët sugjerojnë që një dietë e pasur me yndyrna është e lidhur drejtpërdrejt me një rrezik të rritur të kancerit kolorektal përmes stimulimit të sekretimit të acideve biliare të cilat mund të dëmtojnë mukozën e zorrës së trashë dhe të rrisin aktivitetin proliferativ të epitelit duke çuar në rritje të rrezikut për mutacione endogjene.

Sidoqoftë, gjetjet nga studimet epidemiologjike mbi ndikimin e yndyrnavetë marra me ushqime në riskun për kancer kolorektal kanë qenë jo përfundimtare. Raporti i fundit nga WCRF (World Cancer Reasearch Fund) ka arritur në përfundimin se evidencat aktuale për lidhjen midis yndyrnave të marra me ushqime dhe kancerit kolorektal janë pak të qëndrueshme dhe shumë të kufizuara për të nxjerrë konkluzione.

Diferencat në rezultatet e raportuara deri tani mund të jenë për shkak të faktit se përbërës të ndryshëm të dietës mund të modifikojnë ndikimin e acideve yndyrore të marra me ushqime në riskun përkancer kolorektal.

  1. Përshkruani shkurtimisht metodat e studimit tuaj (p.sh. si u mat marrja me ushqime e yndyrnave dhe fibrave)?

Një nga hipotezat e studimit tonë ishte nëse marrja me ushqime e acideve yndyrorë shumë të pangopur (PUFA) apo acideve yndyrorë të ngopur (SFA) ndikon në riskun për CRC dhe nëse ky risk modifikohet nga marrja e fibrave.

Ky studim është kryer me të dhëna të mbledhura nga Rotterdam Study, një studim prospektiv, në vazhdim, që ka filluar në vitet 1990-1993 dhe që vlerëson në mënyrë periodike sëmundshmërinë dhe faktorët e riskut në individët mbi 55 vjeç. Në studim u përfshinë 4902 individë të cilëve iu mblodh informacion për mënyrën e ushqyerjes. Marrja me ushqime e acideve yndyrore dhe fibrave u vlerësuame anë të pyetësorit mbi frekuencën e konsumit të ushqimeve të caktuara (FFQ) që përfshinte 170 artikuj;pjesëmarrësit raportuan frekuencën (në ditë, javë ose muaj) të ushqimeve dhe pijeve që kishin konsumuar gjatë vitit paraardhës. Llogaritja e elementëve ushqimorë të konsumuar u krye nëpërmjet formulës [(racioni ushqimor (gr.) x shpeshtësinë e konsumimit të ushqimit (frekuenca) x përmbajtjen e elementëve ushqimor në këtë ushqim (gr.)].Gjatë një ndjekje prej mesatarisht 24 vitesh u identifikuan 218 raste të reja me CRC.Diagnoza e CRC u konfirmua nga ekzaminimi patologjik.

  1. Cilat ishin rezultatet tuaja kryesore?

Gjetëm se marrja e acideve yndyrore të pangopura n-3 (n-3 PUFA) shoqërohej me rritjen e riskut për kancer kolorektal; duke qenë më preçiz, njerëzit që konsumojnë n-3 PUFA në sasi të larta në dietën e tyre kanë një rritje prej 50% të mundësisë për zhvillimin e kancerit kolorektalnë krahasim me ata që konsumuan më pak.

Gjithashtu, një zbulim i ri i këtij studimi ishte ndërveprimi i vëzhguar midis acideve yndyrore dhe fibrave të marra me ushqime në riskun e zhvillimit të kancerit kolorektal. E thënë thjesht: efekti i acideve yndyrore në riskun e kancerit kolorektal varet nga sasia e fibrave që ne konsumojmë në dietën tonë.

Ne vëzhguam nga të dhënat tona që rreziku i rritur për zhvillimin e kancerit kolorektal nga acidet yndyrore të marra me ushqime, ishte i pranishëm vetëm në atoindividëtë cilët merrnin sasi më të ulët të fibrave me ushqime, ndërsa në individët që karakterizoheshin nga marrja e lartë e fibrave, ky rrezik nuk ishte më i pranishëm.

  1. Cilat rezultate ishin më befasuese për ju?

Padyshim, ne nuk po prisnim një efekt të tillë të pafavorshëm të n-3 PUFAs në riskun për kancerin kolorektal. Sidoqoftë, duhet të theksoj se ne vlerësuam efektin e n-3 PUFAs në total, qëpërfshinte n-3 PUFA si me prejardhje bimore ashtuedhe nga produktet e detit. Më herët,në literaturë është treguar që burimet e ndryshme të acideve yndyrore mund të kenë efekte të ndryshme në shëndet.

Gjithashtu, jo siç ne e prisnim, konsumi i peshkut në studimin tonë ishte shumë i ulët; rreth 30% e pjesëmarrësve nuk konsumonin fare peshk, duke sugjeruar marrje të lartë të n-3 PUFA me prejardhje bimore në krahasim me atënga produktet e detit. Sidoqoftë, ne nuk ishim në gjendje të shikonim efektin individual (ose per-se‘) të n-3 PUFA-ve me prejardhje nga produktet e detit dhe atyre bimore, për të cilat mendojmë se do të sillte diferenca në rezultate.

  1. Si do t’i shpjegonit rezultatet tuaja?

Studimet eksperimentale sugjerojnë seacidet yndyrorë shumë të pangopur dhe fibrat e marra me ushqime mund të veprojnë së bashku në zorrën e trashë. Ndërveprimi i këtyre elementëve ushqimorë në lumenin e zorrës së trashë mund të ketë ndikim thelbësor në metabolizmin dhe kinetikën e popullatave të qelizave epiteliale të zorrës së trashë dhe mund të ndikojë në inflamacionin dhe ndryshimet neoplazike. Gjithashtu, fibrat ushqimore mund të ndikojnë në proteinat lidhëse të acideve yndyrore (FABP) të cilat ndërmjetësojnë efektin e acideve yndyrore të marra me ushimendërmjet dhe brenda qelizave. FABP kanë aftësinë të buferojnë nivelet e larta të acideve yndyrore në enterocite (qelizat e zorrës). Një numër studimesh kanë demonstruar gjithashtu se raporti yndyrë/fibra ka një ndikim të rëndësishëm në larminë e mikrobeve të zorrës dhe të produkteve përfundimtare metaboliketë tyre. Për më tepër, studimet e fundit sugjerojnë një bashkëveprim midis mikroflorës së zorrëve, dietës dhe metabolizmit të yndyrnave, të cilat të gjitha janë të përfshira në riskun për kancerkolorektal. Për shembull, mikroflora e zorrës ndikohet nga dieta dhe, anasjelltas, mikroorganizmat mund të ndikojnë në riskun e kancerit duke modifikuar metabolizmin e elementëve ushqimorë (p.sh. tëfibrave, acidit linoleik që gjenden në vajin vegjetal) duke gjeneruar përbërës të rinj që janë biologjikisht më aktivë. Megjithatë, ne akoma nuk e dimë se si këta faktorë ndërveprojnë saktësisht me proceset metabolike.

  1. A mund të jepni një vërejtje kritike në lidhje me studimin apo rezultatet?

Ky është studimi i parë prospektiv që tregon një ndërveprim midis yndyrnave dhe fibrave të marra me ushqime. Megjithëse besojmë se një ndërveprim i tillë ekziston, ne nuk kemi pasur mundësinë t’i kontrollojmë rezultatet tona edhe në studimetë tjetra.

Gjithashtu, siç u përmend më parë, do të ishte mjaft interesante të vazhdohej më tej dhe të studioheshin efektet e n-3 PUFAsme prejardhje të ndryshme në riskun për kancerit kolorektal.

  1. Çfarë ndikimi mund të kenë këto rezultate në jetën e përditshme?

Gjetjet tona mbi ndërveprimin midis yndyrnave dhe fibrave të marra me ushqime lënë të kuptohet se një ndërveprim i mundshëm i elementëve dhe mikroelementëve të shumtë që ne marrim me ushqime duhet të merret parasysh në lidhje me riskun për kancer kolorektal.

Ndërlidhja e fiziologjisë njerëzore me aktivitetin biologjik të ushqimeve që njerëzit konsumojnë është tepër komplekse. Unë besoj se studime të mëtejshme mbi ushqimet, modelet e të ushqyerit, mbi veprimin e elementëve ushqimorë dhe përbërësve specifik të tyre do të përmirësojnë njohuritë tona mbi ushqyerjen dhe shëndetin. Në mënyrë metaforike mund të themi se, studimi dhe njohja e një gjetheje në një pyll nuk do të thotë domosdoshmërisht se ne njohim gjithë pyllin./QSUNT

Kos me tërshërë dhe fruta të thata: mengjesi ideal

Përveçse duhet konsumuar përditë, në sasi të kufizuar, kosi duhet shoqëruar edhe me diçka tjetër që të plotësojë një vakt të lehtë. Sigurisht që zgjidhja më e shpejtë është përsheshi me bukë e kos por, alterativat tona janë shumë të të shijshme dhe kanë brenda edhe vlerat ushqyese të frutave. Këtë herë kemi zgjedhur manaferrat meqenëse sapo kanë dalë ‘nga ferrat’! 🙂

Përbërësit për 2 persona:
400 gr kos
6 lugë gjelle tërshërë të bluar
2 lugë mjaltë
Përzierje farash të ndryshme
Manaferra (sasia që dëshironi)

Përgatitja:
Së pari bashkoni kosin me tërshërën. Kjo e fundit ka nevojë të qëndrojë për disa minuta në kos që të zbutet (nëse keni kohë mund ta lini edhe gjysmë ore). Shtoni më pas mjaltin dhe farat dhe përziejeni mirë që të bëhet masë e njëtrajtëshme. Shtoni në fund manaferrat dhe shijoni verën.

Tuesday, March 23, 2021

Trajtim falas në spital: Policia italiane zbulon skemën e mashtrimit nga shqiptarët

Një mashtrim i madh kombëtar në sistemin shëndetësor në Itali ka bërë që të humbin 1 milion euro dhe 150 pacientë shqiptarë të jenë nën hetim. Ata janë të akuzuar sepse kishin mashtruar sistemin shëndetësor duke përfituar kurim falas për sëmundjen e kancerit ndërkohë që nuk duhet ta përfitonin. Shumë prej këtyre personave kishin shkuar në Itali vetëm për t’u kuruar.

Sipas karabinierëve të komandës provinciale të Torinos, ishin tre persona që krijuan këtë mekanizëm: dy gra, shtetase shqiptare, ndërmjetësues kulturorë në qendrat “Isi”, informacione shëndetësore të emigrantëve – të Torinos dhe djali i njërës prej tyre, një punonjës i agjencisë së të ardhurave. Këtë mëngjes u morën masat për të tre dhe u vendos nga gjyqtari që njëri  të merrte arrest shtëpie dhe tjetri me detyrimin paraqitje ndërsa djali u pezullua nga puna.

Ata dyshohet se kanë krijuar një sistem për të mashtruar sistemin shëndetësor kombëtar dhe për të lejuar bashkatdhetarët të trajtohen. Në praktikë, për hetuesit ata do të kishin shfrytëzuar rregullin e Nenit 35 të aktit të konsoliduar të imigracionit i cili lejon qytetarët që nuk janë në gjendje të mirë për të hyrë në trajtim për raste urgjente. Nëse kriteret njihen, caktohet një kod identifikimi  dhe ka qasje në trajtim në objektet publike.

Falë këtij rregulli, dy gratë, kur punonin i kërkonin qytetarëve të deklaronin një datë të rreme të hyrjes në Itali, prej më shumë se tre muajsh. Ata gjithashtu i thanë atyre të raportonin humbjen e dokumentit për të parandaluar gjetjen e datës reale kur kanë kaluar kufirin.  Sipas hetuesve ky sistem  vazhdonte për muaj të tërë dhe hetimet nisën që prej shtatorit të vitit 2019 dhe përfunduan në  tetori të vitit 2020. Rreth 152 shqiptarë kanë shfrytëzuar këtë sistem, për të trajtuar sëmundjen e kancerit falas./buissnesmag

“Së shpejti vaksinim masiv”: Manastirliu me Ramën: Dozat e Sputnik do përdoren në moshat +80

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Ogerta Manastirliu panë nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve.

Ministrja Manastirliu tha se pritet të vijnë doza të tjera vaksinash në mënyrë që procesi i vaksinimit masiv të nisë sa më shpejt.

Manastirliu: Dozat e Sputnik do përdoren në moshat +80, në tërësi bashkë kemi 90 mijë, presim doza të tjera nga Pfizer si dhe të konkludojmë negociatat për fillimin e vaksinimit masiv.

Presim dhe nga Covax një sasi 60-80 mijë dozash nga Astrazeneca.

Rama: Me të Kosovës mbaruam?

manastirliu: Po, janë dhe diza që do administrohen për të përmbyll premtimin prej 500 dozash.

Sunday, March 21, 2021

19-vjeçarja me Covid-19 sjell në jetë foshnjën tek “Shefqet Ndroqi”

Një 19-vjeçare e infektuar me koronavirus ka sjellë në jetë foshnjën e saj në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’. Lindja është realizuar në ambientet e spitalit Covid 2 në bashkepunim me kolegët e spitalit Obsetrik Gjinekologjik “ Koço Glozheni”.  Mësohet se prej më se 10 ditësh, nëna e re e diagnostikuar me Covid-19 trajtohej në shtëpi. Por, pasi gjendja e saj shëndetësore nisi të rëndohej, 19-vjeçarja Manuela Hemollari u shtrua tek “Shefqet Ndroqi”, më 9 mars. Hemollari ka Pneumoni Bilaterale për shkak të koronavirusit e ka sjellë në jetë fëmijën më 12 mars. Lajmi është ndarë në rrjetet sociale nga një mjeke e spitalit.

“Urojme qe lajme te tilla te bukura t’i ndajme me ju cdo dite!Gezimi juaj eshte forca jone per ta vazhduar kete lufte deri në fund me fitore per Triumfin e Jetes”, shkruan mjekja Alma Cani në mediat sociale.

 

Friday, March 19, 2021

Përse ka mpiksje gjaku pas vaksinës së AstraZeneca? Shkencëtari norvegjez zbulon arsyen

Një studim i realizuar nga Spitali Universitar Rikshospitalet në Oslo, pretendohet se ka gjetur arsyen përse tre punonjës shëndetësisë në vend, të imunizuar me vaksinën e AstraZenecas pësuan mpiksje gjaku, dhe njëri prej tyre më vonë vdiq.

Të tre ata ishin nën moshën 50 vjeç. Grupi i ekspertëve të drejtuar nga profesor Pal Andre Holme kanë punuar intensivisht këto ditë për të gjetur një përgjigje. Ata mbështesin hipotezën se vaksina ka nxitur një reagim imunitar më të fortë nga sa pritej, e pas tij janë krijuar mpiksjet e gjakut. “Ne e njohim këtë fenomen në sektorë të tjerë të mjekësisë, por aty nxitësi nuk është vetë mjekimi“, shprehet Holme.

“Verifikuam, por për një reagim të tillë, të rëndë imunitar në këto raste nuk gjetëm shkak tjetër veç vaksinës”, shtoi ai. “Asnjëri prej pacientëve nuk kishte histori të mëparshme shëndetësore që ta justifikonin një gjë të tillë. Kam bindjen se arsyeja janë antitrupat specifikë që krijohen dhe praktikisht vetë vaksina“.

Deri tani, 120 mijë norvegjeze janë vaksinuar me AstraZeneca-n dhe shumë pak raste efektesh serioze anësore janë raportuar. Megjithatë, Norvegjia ka vendosur ta ndaloje vaksinën britaniko-suedeze për momentin. Edhe pas vendimit të EMA-s për ti dhënë asaj drite jeshile, vendi nuk iu rikthye përdorimit të vaksinës, e cila vazhdon të mbetet e bllokuar edhe nga Suedia e Danimarka./topchannel

Mjeku shqiptar: Varianti britanik, më agresiv në të gjitha drejtimet

Mjeku shqiptar Gani Zekaj i cili prej vitesh punon në Poloni ka rrëfyer për “Wake Up” eksperiencën e tij mbi Covid-19 si dhe ka argumentuar mbi mutacionet që qarkullojnë sot në botë.

Dr.Gani Zekaj në një lidhje skype ka treguar për masat më të efektshme si dhe ka ndarë mendimin e tij lidhur me vaksinën AstraZeneca.

Gani Zekaj: “Covid 19 u shfaq si një shok për njerëzimin për shkak të së panjohurës. Tashmë pas kapërcimit të së panjohurës përballemi me mutacione të ndryshme si virusi britanik i cili është dyfish më i rrezikshëm.”

I pyetur mbi agresivitetin e variantit britanik ai shprehet se tashmë ky mutacion ka provuar se është më i rrezikshëm në nivelin e përhapjes dhe infektimin e moshave të reja.

Gani Zekaj: “Së pari varianti britanik është lehtësisht i transmetueshëm, jashtëzakonisht më i ashpër ku si pasojë dhe mortalitet janë më të larta. Gjithashtu ka treguar se prek të gjitha grupmoshat, po ashtu dhe ato të reja.”

Doktori gjithashtu ndau eksperiencat e tij për masat më të efektshme të njohura deri tani.

Gani Zekaj: “Distanca , ruajtja e higjienës dhe maskat kirurgjikale të cilat duhen dyfishuar për një efektshmëri më të lartë. Duhen evituar maskat të cilat shiten jashtë farmacive, ku do të veçoja llojin e maskës Kn95 si ndër më efektivet.”

I pyetur mbi sigurinë e vaksinës AstraZeneca pohoi se tashmë kjo vaksinë është e certifikuar si e sigurt.

Gani Zekaj: “AstraZeneca është një ndër vaksinat më të sigurta , vetvetiu ekzaminimi ka treguar sigurinë e saj edhe në Poloni e cila është përdorur masivisht.”/TopChannel

U tha se nënës i hoqën tre organe, reagon mjeku: Kam 30 vite në shërbim të pacientëve, ja e vërteta e rastit

Një ngjarje është raportuar ditën e djeshme në Spitalin e Strugës, ku një nëne të re nga Dibra e Madhe e Maqedonisë së Veriut i janë hequr tre organe, pas lindjes. Pas këtij rasti, ka reaguar vetë mjeku:

Deri më sot kam heshtur, jo se nuk kisha ç’të thoja dhe as se nuk e kisha ndërgjegjen e qetë, siç mund të kenë menduar disa! Kam heshtur vetëm në respekt të vendimit të autoriteteve ligj-zbatuese. Pra, edhe pse jam vendosur përballë sulmeve të drejtuara ndaj meje ligësisht dhe në mënyrë krejt të qëllimtë, kam menduar se do ishte e arsyeshme të flisnin më parë institucionet përgjegjëse.

Por vërej që kjo heshtje mund të jetë keqinterpretuar nga një pjesë e publikut.
Është mjaft e dukshme që e gjithë kjo batërdi me sulme të njëpasnjëshme nga individë dhe portale që nuk më njohin as mua personalisht dhe as punën time, duke përjashtuar këtu mediat serioze, është thjesht dhe vetëm një sulm i iniciuar nga akuza të njerëzve që janë nxitur nga konkurrenca dhe individë me frymë anti-shqiptare nacionaliste. Pavarësisht se në dukje është një sulm për pozicionin tim si mjek, në fakt ishte një sulm i mirëfilltë për pozicionin tim si drejtues i Spitalit të Strugës, pozicion të cilin unë e mbajta me meritë dhe duke përmbushur të gjitha kriteret, prej më shumë se një viti.
Në lidhje me rastin e publikuar në media, janë thënë e stërthënë gjëra të cilat vetëm imagjinata e dikujt që do me çdo kusht të gjejë një fajtor mund t’i thotë.
Pacientja është pranuar në spital dhe është bërë përgatitja për operacion sipas të gjitha protokolleve. Ka qenë operacioni i dytë Cezarian dhe dihet që pasi është kryer më parë një operacion, rreziqet edhe komplikimet shtohen në ndërhyrjen pasardhëse. Pacientes i është shpjeguar procesi i operacionit, rreziqet edhe komplikimet që mund t’i vinin gjatë dhe pas operacionit dhe ajo me vetëdije të plotë i ka pranuar dhe ka nënshkruar për këtë gjë.
Në periudhën post-operatore ka qenë nën kontroll të vazhdueshëm çdo ditë prej ekipeve kujdestare (nga dy mjekë specialistë gjinekologë dhe katër motra akushere çdo ditë), të cilët kanë vërtetuar gjendjen stabile të pacientes. Në ditën e pestë post-operatore pacientja ka pësuar një komplikacion të menjëhershëm (hemoragji abdominale) duke çuar deri në shok hemoragjik, gjendje shumë serioze dhe e rëndë që rrezikon jetën e pacientes, nëse nuk bëhet një ndërhyrje adekuate dhe e shpejtë. Urgjentisht hymë në sallë të operimit një ekip i përbërë nga dy gjinekologë, dy kirurgë dhe dy anestezistë, pra një grup mjekësh të specializuar, duke punuar secili në fushën tonë. Pas një pune të jashtëzakonshme, e cila zgjati plot 8 orë, arritëm të shpëtonim jetën e pacientes.
Dua të theksoj dhe sqaroj njëherë e mirë, se gjinekologu NUK HEQ VESHKA. Një aludim ky i bërë nga disa portale e individë të cilët, ose nuk e kanë absolutisht idenë e mjekësisë, ose e thonë vetëm për qëllime tendencioze. Heqja e veshkës është bërë nga ana e kirurgëve të cilët kanë patur indikacion për atë veprim, sepse vetëm duke sakrifikuar veshkën kanë pasur mundësinë të ndalojnë hemoragjinë që vinte nga aty (kjo është lehtësisht e verifikueshme në të gjitha dokumentacionet).
Puna e bërë gjatë këtij operacioni është një punë e vështirë, që mund të bëhet në klinika më të specializuara, por me një përkushtim dhe këmbëngulje nga i gjithë ekipi, ne e përfunduam me sukses. Më pas pacientja u dërgua në klinikën intensive për trajtim të mëtejshëm dhe evaluim.

Në momentin e parë të pranimit të pacientes në klinikë, doktorë dhe specialistë nga ai spital dhanë një vlerësim maksimal për punën e kryer nga ana jonë.
Profesionalizmi ynë për shpëtimin e jetës së pacientes u vërtetua edhe nga komisioni i formuar nga Oda e Mjekëve, e cila, e urdhëruar nga Ministri i Shëndetësisë, krijoi menjëherë një komison ekspertësh, i përbërë nga pesë specialistë të fushave të ndryshme, të gjinekologjisë, kirurgjisë, urologjisë dhe anesteziologjisë. Pasi është hetuar detajisht rasti në fjalë, është arritur me një konkluzion dhe vendim se: Nuk ka ndodhur asnjë shkelje gjatë intervenimit, asnjë gabim mjekësor gjatë operacionit dhe se çdo veprim është kryer sipas protokollove mjekësore.

Ajo ç’ka mund të them unë personalisht, është që nuk e besoj se ekziston ndonjë mjek që do të dëshironte që gjendja shëndetësore e një pacienti të komplikohej gjatë kurimit të tij, apo akoma më keq, t’i vdiste në dorë gjatë një operacioni. Por ja që, sado përkushtim dhe dëshirë të ketë një mjek gjatë kryerjes së detyrës, nuk është gjithçka në dorën e tij.
Sigurisht që mund të ketë edhe mjekë neglizhentë në punën e tyre, por kushdo që më njeh mua, e di mirë se unë nuk bëj pjesë në këtë kategori. E kam treguar me punën time për më shumë se 30 vjet në shërbim të pacientëve të mi, ku në çdo moment të punës sime kam punuar me profesionalizëm dhe përkushtim, duke vënë mbi gjithçka jetën e pacientit. Kam sakrifikuar shpesh herë orët e mia të pushimit, kohën me familjen, me fëmijët e mi, për të qenë në shërbim të çdokujt që ka pasur nevojë për mua. Në gjithë punën time mbi 30-vjeçare, këta individë e portale, (apo më mirë faqe interneti që hapen pa kriter), më vendosin përballë dy rasteve fatkeqësish duke më akuzuar si kriminel.
Në rastin e pacientes nga Dibra, unë e kuptoj dhimbjen e familjarëve dhe e di që në raste të tilla, kur i ndodh një fatkeqësi, njeriu kërkon gjithmonë të gjejë me patjetër një fajtor, por duhet të dini se gjatë punës sime unë nuk kam bërë asnjë faj, asnjë shkelje. Më vjen vërtetë keq që pacientja u përball me një fatkeqësi të tillë, por menjëherë pas operacionit familjarëve të saj u është bërë e qartë gjendja e pacientes dhe arsyet se pse ne si ekip mjekësh vepruam në atë mënyrë. Informacionin profesional dhe gjithë dokumentacionin e nevojshëm për këtë rast ua kam dorëzuar autoriteteve dhe do të respektoj çdo vendim të tyre.

Ajo që më vjen keq është shfrytëzimi dhe përdorimi i fatkeqësive të këtyre pacientëve nga kundërshtarët e mi, si dhe nga portalet që duan të marrin sa më shumë klikime, pa marrë parasysh se cënojnë reputacionin tim si mjek, por ajo çka mund t’u them është vetëm kjo:
Unë e kam ndërgjegjen time shumë të qetë, sepse e theksoj sërish se në çdo moment kam punuar me profesionalizëm dhe përkushtim.
Këtë mund ta vërtetojnë me mijëra pacientë të mi ndër vite, të cilët edhe sot nuk reshtin duke më falenderuar sa herë më hasin në rrugë apo në spital.
Unë i jam mirënjohës gjithësecilit prej tyre, sepse besimi dhe mbështetja që ata më japin është shtysa kryesore për vazhdimin e punës sime me korrektësi dhe dashuri!

Faleminderit!