Friday, November 26, 2021

Sistemi i menaxhimit shëndetësor në parashkollor inekzistent/ Ofrohet vetëm në Tiranë

Sistemi i menaxhimit shëndetësor për moshat parashkollore në çerdhe dhe kopshte është thuajse inekzistent në vend.

Kontrolli i lartë i Shtetit (KLSH) konstaton në një raport të fundit se kjo ofrohet vetëm në Bashkinë e Tiranës ndërkohë që në pjesën tjetër të vendit jo. Sikurse nënvizohet edhe në raport, audituesit e kanë pasur të vështirë të mbledhin informacion pse shtrirja është e kufizuar vetëm në kryeqytet ndërkohë që nuk ka evidenca nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Sistemi i menaxhimit të Shërbimit Shëndetësor në IAP nuk ekziston. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) nuk ka shfaqur iniciativa për të përditësuar dhe plotësuar me akte nënligjore të mjaftueshme të gjithë kuadrin ligjor në lidhje me Sistemin e Menaxhimit të Shërbimit Shëndetësor në IAP dhe nuk e ka përfshirë në dokumentet politikë të saj. Aktualisht ky shërbim ofrohet i pjesshëm vetëm në Bashkinë Tiranë duke ju referuar kuadrit rregullator të pa përditësuar të vitit 1998.

Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Tiranë dhe Autoriteti Shëndetësor Rajonal Tiranë (si struktura e mëparshme) kanë ofruar shërbimin pa patur në strukturë të specifikuar mjekët që do të ofrojnë shërbimin dhe pa një kuadër rregullator të mirë përcaktuar në lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë” thuhet në raportin e KLSH-së.

I njëjti raport nënvizon se Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor(OSHKSH) me Drejtoritë Rajonale të OSHKSH-të si struktura të reja, të krijuara ne vitin 2019, shfaqin problematika në menaxhimin e këtij sistemi duke shfaqur të paqarta rolet dhe përgjegjësitë e tyre. Duke marrë si bazë një auditim të kryer në Vlorë po për këtë aspekt audituesit konstatojnë se në rrethe shfaqen problematika sa i takon njohjes së shërbimeve dhe koordinimit mes institucioneve.

“Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Vlorë nuk e njeh si shërbim direkt të saj duke ua lënë si kompetencë Qendrave Shëndetësore. Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve, strukturë e mirë organizuar në ofrimin në tërësi të shërbimit për mirë rritjen e fëmijëve në çerdhe e kopshte shfaq mangësi në argumentimin e pozicionit të mjekut, pjesë e organikës së saj. Bashkia Vlorë për periudhën në auditim 2017–2019 nuk ka strukturën e përshtatshme për menaxhimin e institucioneve të  arsimit parashkollor(IAP) dhe nuk ka të parashikuara objektivat e saj për ofrimin e shërbimit të mjekut në IAP” thuhet në auditim.

KLSH ka kërkuar që të bëhet vlerësimi i situatës dhe të unfikohet shërbimi në të gjithë njësitë vendore sa i takon kujdesit shëndetësor në këto institucione./ Monitor

No comments:

Post a Comment