Wednesday, August 25, 2021

Çfarë pritet në vjeshtë-dimër/ Albana Fico: Kemi përgatitur planin, ja pse nuk i ndryshuam masat anti-Covid

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, tregoi në një lidhje për “News24” arsyet pse Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk i ndryshoi masat anti-Covid, pavarësisht rritjes së infektimeve. Fico deklaroi se Komiteti ka vlerësuar se masat në fuqi janë të mjaftueshme, por duhen implementuar.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve ka komunikuar përgjatë gjithë kësaj kohe, shpërndarë informacione dhe vëzhguar se çfarë ndodh mes nesh. Në këtë mbledhje ne deshëm të kishim një komunikim publik për të shpjeguar situatën ku ndodhemi dhe për masat që nuk do të ndryshonin. Kemi rritje të infektimeve, kemi zona që kanë një përqindje më të lartë të rasteve të reja, si Saranda, Malësia e Madhe, Shkodra, Tirana e me radhë; kemi dhe një indikatorë interesat që tregon se mosha 35-64 vjeç ka më tepër infektime në këto momente. Janë mosha që nuk kanë vendosur akoma të vaksinohen.

Sa i përket vendimit për mos ndryshim të masave, gjetjet tona kanë qenë që këto masa nuk respektohen. Duhet të fuqizohet implementimi i masave që kemi. Nëse përdoret maska në ambientet e mbyllura dhe në vendet ku nuk ruhet distancimi social, frenohet përhapja e virusit. Duhet zhbërë praktika e shoqërimit të pasagjerëve në aeroporte. Po të krahasojmë shtator për shtator, puna e madhe e bërë nga të gjithë, përfshirë dhe qytetarët, ka bërë që të kemi më pak të shtruar në spital. Pozitiviteti i mostrës, që është një indikator teknik, e kemi 7.8%, ndërkohë që vjet e kishim te 52%. Pra, situata është nën kontroll. Kjo është arsyeja pse nuk i kemi ndryshuar masat. Por kjo nuk do të thotë se nëse do të ketë përshkallëzim të situatës, ne nuk do të marrim masa shtrënguese”, deklaroi drejtoresha e ISHP.

E pyetur se “Çfarë parashikimesh bëni për vjeshtën dhe dimrin? A do të kemi një valë tjetër?”, Fico u shpreh se “Së pari, ka një ndryshim vitit të shkuar dhe këtij viti. Fakti që ne po përshkallëzojmë vaksinimin, ku edhe shtatori është një muaj i hapur, na çon drejt ambicies tonë për të rritur mbulesën vaksinale. Vjeshta dhe dimri sjellin me vete viruse respiratore, diarre, të vjella, të përziera, temperatura, etj. Ndërkohë, koronavirusi i përket viruseve respiratore, dhe nëse këto bashkohen, pa diskutim që kemi një situatë më të vështirë. Shkurtimi i ditës, rënia e temperaturave, tendenca për grumbullim në ambiente që nuk ajrosen, janë elementë që të bëjnë të mendosh për një rëndim të situatës. Koronavirusi pëson mutacione, që do të vazhdojnë të jenë aty. Për sa kohë të mos kemi atë lloj imunizimi, që të paralizojë shpërndarjen, do të ketë gjithmonë variante të reja, që do të sfidojnë sistemin dhe do prekin performancën e vaksinës. Por, ne nuk kemi ndenjur duarkryq, kemi parë të gjithë protokollet e ISHP, kemi përgatitur planin vjeshtë-dimër për çështjen e koronavirusit dhe për vaksinimin. Nuk kemi frikë, kemi më shumë dije, por kemi dhe vaksinën”.

No comments:

Post a Comment