Monday, August 30, 2021

“Vaksinim me detyrim për disa kategori”, Manastirliu: Shtatori muaj i hapur, vaksinohuni

Në fjalën e saj në mbledhjen e komitetit të eskpertëve, ministrja e Shëndetisisë Ogerta Manastirliu ndërsa komentoi situatën e covid si pasojë e shtimit të rasteve me variantin Delta, tha se mbetet shqetësuese mes moshave të reja, ka raste të formave të rënda të sëmundje.

“E dhëna tjetër shqetësuese është se mes moshave të reja, ka raste të formave të rënda të sëmundjes.
Ndërkohë, e përsëris se pavarësisht moshës, për ata pak qytetarë të vaksinuar që janë prekur nga ky variant i ri dhe janë spitalizuar, në shumicën dërrmuese të tyre mjekët më informojnë se nuk kanë shfaqur rrezik për jetën si rezultat i krijimi të mbrojtjes imunitare nga vaksina.

Neglizhenca dhe refuzimi i vaksinës, deri pak javë më parë, kur regjistronim 0 vdekje dhe shumë pak infeksione, mund të ishin reagime të kuptueshme, edhe pse aspak të arsyeshme.
Sot, qasja indiferente ndaj thirrjes për t’u vaksinuar dhe mosvaksinimi ndërkohë që rreziku rritet përditë, janë thjesht të papranueshme.

Sepse sot, në Shqipëri ashtu si kudo në botë, mosvaksinimi është bërë një pengesë e rrezikshme në përballimin e valës së re të infektimeve. Kjo sjellje ia shumëfishon forcën goditëse Armikut të Padukshëm.” tha Manastirliu, ndërsa foli me shifra lidhur me numrin e personave të vaksinuar në vend.
“Mbi 615 mijë qytetarë janë vaksinuar deri më sot me dy doza. Afro 813 mijë kanë marrë të paktën një dozë. Dhe kemi ende rrugë përpara, për të arritur atë nivel imunizimi me vaksina, që ta pengojë deri në maksimum përhapjen e Covid.

Ekspertët vlerësojnë se Shqipëria ndodhet sot në një situatë më të kontrolluar, në lidhje me infektimet, shtrimet në spital dhe fatalitetet, krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Në listën e arsyeve, është fare e qartë se arsyeja e parë është shpejtësia e futjes në fushatën e vaksinimit dhe shtrirja e saj domethënëse në një periudhë relativisht jo të gjatë.

Zërat më autoritarë të shkencës dhe mjekësisë në botë, janë UNANIME NË KËTË PIKË: Vaksina shmang format e rënda të sëmundjes dhe fatalitetet. Vaksina bën dallimin a madh, mes jetës dhe vdekjes. Zgjedhja për të bërë apo jo vaksinën nuk është thjesht personale. Nuk është rasti klasik “ç’punë ke ti ç’bëj unë me trupin tim”. Jo! Refuzimi i armës mbrojtëse, që sot çdo qytetar e ka në dispozicion, falas, në çdo qendër shëndetësore në çdo cep të Shqipërisë, vë në rrezik jo vetëm jetën e kujt refuzon.
Ai vë në rrezik jetën e familjarëve. Vë në rrezik jetën e miqve. Vë në rrezik jetën e shoqeve dhe shokëve në klasë apo auditor, të kolegëve e kolegeve në vendin e punës.” tha Manastirliu.

Ndër të tjera ministrja e shëndetësisë u shpreh se shtatori do të jetë muaji i dytë i hapur për vaksinimin, duke theksuar se për disa kategori, vaksinimi do të jetë i detyruar.

Shtatori do të jetë muaji i dytë i hapur për vaksinimin. Do të nisim shumë shpejt zbatimin e planit për kalimin në një tjetër fazë të fushatës së vaksinimit, ku detyrimi i disa kategorive për t’u vaksinuar do të bëhet në emër të së drejtës së të tjerëve për të mos u infektuar. Të gjitha vendet po lëvizin në këtë drejtim dhe ne do ta bëjmë pa humbur kohë në ditët në vijim. Nga ana tjetër plani i masave për përballimin e vjeshtë dimrit është gati po ashtu. Vaksinohuni, vaksinohuni, vaksinohuni!” tha Manastirliu.

No comments:

Post a Comment