Tuesday, September 28, 2021

Pandemia e Covid-19 shkaktoi rënien më të madhe të jetëgjatësisë që nga Lufta e Dytë Botërore

Pandemia e Covid -19 ka ulur jetëgjatësinë në vitin 2020 në niveli më të lartë që nga Lufta e Dytë Botërore, sipas një studimi të publikuar këtë hënë nga Universiteti i Oksfordit, ku më të prekurit janë meshkujt amerikanë me një rënie të jetëgjatësisë me më shumë se dy vite.

Jetëgjatësia ra me më shumë se gjashtë muaj në krahasim me vitin 2019 në 22 nga 29 vendet e analizuara në studim, i cili përfshin Europën, Shtetet e Bashkuara dhe Kilin. Kishte ulje të jetëgjatësisë në 27 nga 29 vendet në përgjithësi.

Universiteti tha se shumica e rënies së jetëgjatësisë në vende të ndryshme mund të lidhet edhe me vdekjet zyrtare nga Covid-19. Deri tani janë regjistruar gati 5 milionë vdekje të shkaktuara nga koronavirusi, sipas një raporti të Reuters.

“Fakti që rezultatet tona nxjerrin në pah një ndikim kaq të madh që i atribuohet drejtpërdrejt COVID-19 tregon se sa tronditës dhe shkatërrues ka qenë ai për shumë vende,” tha Dr Ridhi Kashyap, bashkëautore e studimit.

Në shumicën e vendeve kishte një rënie në jetëgjatësinë e burrave sesa të grave, me rënien më të madhe të meshkujt amerikanë, te të cilët pati një rënie prej 2.2 vite në krahasim më vitin 2019.

Në përgjithësi, burrat kishin më shumë se një vit rënie në 15 vende, krahasuar me gratë në 11 vende.

Në Shtetet e Bashkuara, rritja e vdekshmërisë ishte kryesisht midis atyre në moshë pune dhe atyre nën 60 vjeç, ndërsa në Europë, vdekjet e njerëzve mbi 60 vjeç kontribuuan në mënyrë më të konsiderueshme në rritjen e vdekshmërisë.

Kashyap u bëri thirrje shumë vendeve, përfshirë shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, për t’i vënë në dispozicion të dhënat e vdekshmërisë për studime të mëtejshme.

“Ne bëjmë thirrje urgjente për publikimin dhe disponueshmërinë e të dhënave më të qarta për të kuptuar më mirë ndikimet e pandemisë në nivel global”, tha ajo./ Reuters

No comments:

Post a Comment