Tuesday, September 21, 2021

Pandemia i “shëndoshi” shqiptarët, tani po nxitojnë të dobësohen

Anila Kalleshi, dietologe dhe drejtuese e një qendre dobësimi në Tiranë, u shpreh për “Monitor” se në periudhën e izolimit, shumë njerëz shtuan në peshë, për shkak të ndërprerjeve të aktivitetit fizik dhe faktorëve të tjerë psikologjikë.

Numri i personave që trajtohen në qendrën e dobësimit, nuk ka shënuar rënie, por sipas zonjës Kalleshi, ka qenë në rritje të vazhdueshme, me kërkesa për dieta të personalizuara dhe testin e intolerancës ushqimore.

 Si ka qenë tendenca e konsumit të shqiptarëve këto dy vite?

Gjatë periudhës së pandemisë, njerëzit u desh të përballen me rrethana të reja, kategoritë e njerëzve që kanë bërë jetë dinamike dhe që kanë qenë të imponuar të konsumonin ushqime jo të shëndetshme, kërkuan të kishin një regjim krejt të ndryshëm ushqimor, duke e përgatitur në shtëpi.

Njerëzit janë bërë të vetëdijshëm se duhet të jemi në gjendje gatishmërie gjatë tërë kohës që të luftojmë sëmundjet e ndryshme, jo vetëm në këtë rast të pandemisë, por për sëmundje tjera që janë të lidhura ngushtë me ushqimin. Tashmë çdokush e di se ushqimi është baza e një jete të shëndetshme dhe e kundërta baza e një sërë sëmundjesh. Të ushqyerit e shëndetshëm në vazhdimësi, mendoj këtu për të gjitha moshat, në njëfarë mënyre edhe e përgatit trupin tonë, na mbron ndaj të gjitha rreziqeve të jashtme.

A pati ndikim pandemia në ndryshimin e stilit të jetesës?

Padyshim që unë besoj në ndërgjegjësimin e të gjithëve. Vë re se një pjesë e mirë e njerëzve kërkojnë mjaft këshilla për çaje bimore, po përpiqen të krijojnë regjime të shëndetshme ushqimore.

Si shihet e ardhmja e sektorit të dietologjisë në Shqipëri?

Dietologjia ka lidhje të drejtpërdrejtë me shëndetin tonë. Shëndeti është gjëja më e çmuar që ka njeriu, por, për çudi, në jetën e përditshme ai vlerësohet më pak se shumë gjëra të tjera. Shumica e njerëzve e kuptojnë vlerën e shëndetit vetëm kur e humbasin atë dhe krejt papritmas ndërgjegjësohen për faktin që po nuk pate shëndet, nuk ke asgjë.

Një proverb italian flet më së miri për këtë: “Ai që gëzon shëndet të mirë, është i pasur, edhe pse nuk e di një gjë të tillë”. Megjithëse, sa kohë jemi mirë, rrallë mendojmë për shëndetin tonë, ne kujtohemi për vlerën e tij sa herë na zë gripi apo rrufa, ose sa herë na duhet të zëmë shtratin. Kur sëmuremi, e vetmja gjë që duam është të shërohemi. Asgjë tjetër nuk na hyn në sy!

Shëndeti i mirë është një dhuratë që nuk ka çmim: është diçka që ne e gëzojmë përditë. Përveç kujdesit që duhet të tregojmë për ta ruajtur atë, nuk duhet të harrojmë kurrë që të tregohemi mirënjohës në mënyrë që të vazhdojmë të jemi të shëndetshëm./ Monitor /

No comments:

Post a Comment