Thursday, September 16, 2021

Situata pandemike/ Mjeku Alimehmeti: “Delta” nuk lejon përhapjen e variantit “Mu”

Varianti “Mu” i Covid-19 ka ngjallur frikë te qytetarë nga disa vende të ndryshme. Në lidhje me këtë, me anë të një postimi në Facebook, epidemiologu Ilir Alimehmeti është shprehur se “Delta” e dominon variantin “Mu” dhe nuk lejon përhapjen e tij. Alihmehmeti ka qetësuar qytetarët duke thënë se “virusi nuk di greqisht, kështu që emërtimi i varianteve me shkronja greke nuk pasqyrohet domosdoshmërisht në agresivitet apo infektueshmëri më të lartë”.

Postimi i plotë

“Injoranca është prindi i frikës”

Cit.: Herman Melville (1819-1891)
Sapo një variant i SARS-CoV-2 pagëzohet me një shkronjë greke fillon një valë e re mediatizimi miqtë e mi! Këtë herë e kishte rradhën varianti Mu. Le t’i hedhim një sy së bashku! Duke përdorur platformën dhe të dhënat zyrtare të GISAID mund të shohim që: varianti Mu është i përhapur gjerësisht në Kolumbi dhe në shtetet përreth saj në pjesën veriperëndimore të Amerikës së Jugut (varianti Mu me ngjyrë të kuqe).

Por nuk shfaqin fare përqindje domethënëse asnjë nga: shtetet e tjera të Amerikës Jugore, shtetet e Europës, apo shtetet e Amerikës Veriore.

Varianti Mu është shfaqur për herë të parë më 7 janar 2021, ndërsa Varianti Delta është shfaqur më vonë, rreth shkurtit 2021. Por varianti Delta (ngjyrë e gjelbër) u bë dominant në të gjithë botën brenda pak muajve, duke reduktuar qarkullimin e të gjitha varianteve të tjera.

Ndërsa varianti Mu nuk është në gjendje të tregojë këtë dominancë. Dominanca e Deltës ndaj Mu-së vërehet edhe për faktin që sapo ka hyrë në qarkullim ka ulur përqindjen e variantit Mu në Amerikën Jugore. Pasi hyri në korrik 2021 në Kolumbi varianti Delta ka filluar të zërë vend, fillimisht në kurriz të varianteve lambda dhe gama, por ka filluar një tkurrje e lehtë edhe e variantit Mu. Në Brazil shohim shumë qartë që varianti Mu është pothuajse inekzistent, pasi shfaqja e tij ndodhi njëkohësisht me variantin Delta dhe qartësisht u dominua prej këtij të fundit. Në Europë vëzhgohen me interes Britania e Madhe që bën nivele shumë të larta sekuencimesh gjenetike të varianteve, Spanja për marrëdhëniet e ngushta me ish-kolonitë spanjolle dhe Portugalia për marrëdhëniet e ngushta me Brazilin.

Vërejmë se: Britania e Madhe pothuajse nuk ka pasur asnjë ndikim nga varianti Mu, krejtësisht i padukshëm në grafik. Spanja ka pasur pak raste Mu nga maji deri në korrik 2021, kur është vendosur dominimi i plotë i variantit Delta. Portugalia nuk ka pothuajse asnjë rast me variantin Mu.

Shkurtimisht mund të dalim me përfundimet se: Delta duket se e dominon variantin Mu dhe nuk lejon përhapjen e tij, dhe Virusi nuk di greqisht, kështu që emërtimi i varianteve me shkronja greke nuk pasqyrohet domosdoshmërisht në agresivitet apo infektueshmëri më të lartë.

No comments:

Post a Comment