Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se me ngritjen e qendrave të mjekësisë familjare në qendrat shëndetësore, do të shtohet më tej vemendja për evidentimin dhe kujdesin për personat që kanë probleme të shëndetit mendor.
“Kemi një plan veprimi, i cili shtrin efektet e tij në të gjithë sistemin parësor dhe atë spitalor. Kemi ndërtuar shërbimet alternative për persona që preken nga probleme të shëndetit mendor. Ka një plan për të integruar shërbimet sociale dhe shëndetësore. Ndaj në Strategjinë tonë të Kujdesit Parësor, ngritja e qendrave të mjekësisë familjare ku për herë të parë në qendrat tona shëndetësore do të jenë edhe punonjës social dhe psikologë, si pjesë e Planit të Veprimit të MSHMS për evidentimin dhe kujdesin në vazhdim për problematika të shëndetit mendor, është një nga objektivat e këtij plani, implementimi i të cilit fillon duke u mbështetur me buxhetin e vitit 2022”, deklaroi Manastirliu.
Këtë deklaratë Ministrja Manastirliu e bëri pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku bëri me dije vendimet e fundit të qeverisë, për miratimin e Planit Kombëtar 5- vjeçar të Veprimit për Komunitetin Rom dhe Egjiptian dhe Planit Kombëtar të Veprimit për mbështetjen e personave LGBT+. Plani Kombëtar i Veprimit për Komunitetin Rom dhe Egjiptian është hartuar me bashkëpunimin dhe me mbështetjen e të gjithë aktorëve të shoqërisë civile, me synim për të rritur aksesin në shërbime, për më shumë punësim, më shumë arsimim, më shumë mbështetje përsa i përket politikave të strehimit social dhe për integrimin e komunitetit Rom dhe Egjiptian.
Po sot, në mbledhjen e qeverisë është miratuar Plani Kombëtar i Veprimit për personat LGBTI+ 2021-2027, i cili vendos theksin tek lufta kundër diskriminimit, homofobisë dhe garanton nëpërmjet nismave konkrete rritjen e aksesit të personave LGBTI+ në arsimim, shëndetësi, strehim, mbrojtje dhe mbështetje për punësimin për personat LGBTI+.
No comments:
Post a Comment