Wednesday, May 26, 2021

Nis vaksinimi për punonjësit e Transportit Publik, mjeku Kalo: Është koha për hapje graduale

Sot ka nisur procesi i vaksinimit për punonjësit e transportit publik. Në total do të jenë 14 mijë punonjës që do të marrin dozën e vaksinës në çadrën e ngritur prej disa javësh në sheshin ‘Skënderbej’. Ndërkohë në ditët në vijim, ky proces do të vijojë me vaksinimin e punonjësve të transportit ndërqytetas.

Ky sektor ka qenë ndër të parët që kanë kërkuar të vaksinohen për shkak të rrezikut që i kanosej si rrjedhojë e numrit të madh të udhëtarëve, duke pamundësuar ruajtjen e distancës fizike.

Në total, që nga fillimi i këtij procesi, janë vaksinuar 736 mijë e 365 persona.

Ndërkaq, mjeku Tritan Kalo pohon se vaksinimi dhe kalimi i Covid-19 nga shumë njerëz kanë bërë që rastet e reja të ulen ndjeshëm. Sipas tij, shqiptarët kaluan dy sprova të mëdha siç ishin zgjedhjet e 25 prillit dhe festimi i Bajramit, pra dy raste këto kur ka pasur grumbullime njerëzish dhe nuk ka pasur shtim të rasteve.

Mjeku epidemiolog shprehet se ka ardhur koha për një hapje graduale dhe se ardhja e turistëve nga vende ku ka variante të reja të COVID, e rrit rrezikun e hyrjes së këtyre varianteve në vendin tonë.

Në Shqipëri deri më tani kanë mbërritur më shumë se 847 mijë doza të vaksinës kundër COVID, ku vaksinimi masiv vijon me program kalendarik për kategoritë e ndryshme, ndërsa qeveria ka vendosur si objektiv kryerjen e 1 milion vaksinimeve brenda qershorit.

Vaksinimet kanë ndikuar edhe në uljen e kurbës së infektimeve në vendit tonë, ku si rezultat i 3,366 testimeve, dje u konfirmuan pozitivë 14 qytetarë. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë vendosi edhe mbylljen e pavijoneve COVID në spitalet Rajonale.

No comments:

Post a Comment