Wednesday, July 14, 2021

Kufizimi i së drejtës për informim, kur (nuk) lejohet

Danjela Burnazi, juriste

E drejta për të kërkuar informacion është e drejtë ligjore. Gjithsesi, ka raste kur kjo e drejtë mund të kufizohet. Më poshtë, një shpjegim ligjor se kur informacioni nuk jepet.

E drejta e informimit mund të kufizohet në rast se dhënia e informacionit dëmton interesat e mëposhtëm:
a) të drejtën për një jetë private;
b) sekretin tregtar;
c) të drejtën e autorit;
ç) patentat.
E drejta e informimit kufizohet në rast se dhënia e informacionit shkakton një dëm të qartë dhe të rëndë ndaj interesave të mëposhtëm:
a) sigurinë kombëtare, sipas përkufizimit të bërë nga legjislacioni për informacionin e klasifikuar;
b) parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale;
c) mbarëvajtjen e hetimit administrativ në kuadër të një procedimi disiplinor;
ç) mbarëvajtjen e procedurave të inspektimit dhe auditimit të autoriteteve publike;
d) formulimin e politikave monetare dhe fiskale të shtetit;
dh) barazinë e palëve në një proces gjyqësor dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor;
e) këshillimin dhe diskutimin paraprak brenda ose midis autoriteteve publike për zhvillimin e politikave publike;
ë) mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërkombëtare ose ndërqeveritare.

E drejta e informimit kufizohet, dhe në qoftë se përhapja e informacionit do të shkelte sekretin profesional të garantuar nga ligji.
E drejta e informimit kufizohet edhe kur, pavarësisht nga ndihma e dhënë nga autoriteti publik, kërkesa mbetet e paqartë dhe bëhet i pamundur identifikimi i informacionit të kërkuar.

Kushtetuta dhe Ligjet ndërkombëtare parashikojnë se e drejta për informim nuk është absolute. Gjithsesi, kufizimet duhet të përcaktohen qartë.

Kushtetuta përmban një dispozitë të veçantë (neni 17), që parashikon rregullimin për kufizimet e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë edhe të drejtën për informim.

Konkretisht neni 17 parashikon se:

  1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj, për interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar atë.
  2. Këto kufizime nuk mund të cënojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky nen, duke përcaktuar rastet dhe kushtet kur mund të kufizohen të drejtat dhe liritë themelore, në fakt përforcon garantimin kushtetues të këtyre të drejtave, duke shmangur kufizimet arbitrare të tyre. Kështu neni 17 ka përcaktuar se kushtet për kufizimin e të drejtave janë:

  • Kufizimi duhet të jetë i parashikuar nga ligji.
  • Kufizimi duhet të vendoset për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.

Më specifikisht, çdo kufizim i kësaj të drejte duhet të përmbushë një test të rreptë tripjesësh. Ky test, i cili është konfirmuar se zbatohet përgjithësisht për lirinë e shprehjes (pjesë thelbësore e së cilës është liria e informimit), si nga Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe nga një sërë gjykatash kombëtare dhe ndërkombëtare, kërkon që çdo kufizim të përcaktohet në ligj, të ketë për qëllim mbrojtjen e një interesi legjitim, si dhe të jetë “i nevojshëm” për ruajtjen e këtij interesi.

Kuptimi i fjalës “i nevojshëm” është kritik për të kuptuar këtë test në kontekstin specifik të lirisë së informimit. Minimalisht, kufizimi i marrjes së informacionit është “i nevojshëm” për ruajtjen e një interesi legjitim vetëm nëse dhënia e informacionit të kërkuar do t’i shkaktonte këtij interesi një dëm të mirëfilltë dhe  dëmi që do t’i shkaktohej këtij interesi nga dhënia e informacionit do të ishte më i madh se sa interesi i publikut në dhënien e informacionit.

Siç e parashtruam dhe më sipër, lista e plotë e qëllimeve legjitime, të cilat mund të justifikojnë mosdhënien e informacionit duhet të parashikohet në ligj. Kjo listë duhet të përfshijë vetëm interestat, të cilat përbëjnë arsye legjitime për refuzimin e dhënies së dokumenteve. Përjashtimet duhet të specifikohen qartë, në mënyrë që të shmanget përfshirja në to e materialeve që nuk dëmtojnë interesin legjitim.

No comments:

Post a Comment