Wednesday, July 28, 2021

SHBA: Varianti më ngjitës i koronavirusit “Delta” rikthen maskat

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara rekomanduan që amerikanët e vaksinuar plotësisht t’i kthehen vendosjes së maskës në ambiente të mbyllura në disa vende publike, për shkak të shqetësimeve që paraqet varianti më ngjitës i koronavirusit, Delta.

Ekspertët thanë se udhëzimet e përditësuara për maskat zbatohen vetëm në pjesët me nivele “të konsiderueshme dhe të larta” të transmetimit të koronavirusit, në mënyrë që të frenohet përhapja e variantit Delta dhe të mbrohen të pavaksinuarit.

Drejtoresha e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky, u shpreh se rekomandimi i ri bazohet në shqetësimet nga varianti Delta. Derisa efikasiteti i vaksinave mbetet i lartë ndaj variantit Delta, “të dhëna të reja tregojnë se, në raste të rralla, disa njerëz të vaksinuar mund të jenë ngjitës dhe ta përhapin virusin te të tjerët”, tha Walensky.

Studimet e fundit kanë treguar se sasia virale e të infektuarve me variantin Delta është shumë më e madhe se te njerëzit e infektuar në valën e parë të koronavirusit, çfarë e bën virusin më të transmetueshëm.

 Rreth 49% e popullsisë amerikane është plotësisht e vaksinuar dhe pothuajse të gjitha vdekjet dhe shtrimet në spital janë në mesin e njerëzve të pavaksinuar. Punonjësve federalë mund t’iu kërkohet të tregojnë dëshmi se janë vaksinuar kundër koronavirusit, përndryshe do t’i nënshtrohen testimit të rregullt dhe do të mbajnë maska.

Javëve të fundit, qeveri të ndryshme shtetërore dhe lokale, kompani private, administratorë të spitaleve dhe universitete në të gjithë SHBA-në kanë rikthyer detyrimin për maska në ambiente të brendshme dhe kanë lëshuar urdhra për vaksinim.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, që ndjek të dhëna për pandeminë, koronavirusi ka prekur mbi 195 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi katër milionë kanë vdekur. Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë, me mbi 34 milionë të infektuar dhe mbi 611,000 viktima.

No comments:

Post a Comment