Thursday, July 22, 2021

Mbi 4300 vdekje nga ‘kërpudhat e zeza’ në Indi. Infeksioni që prek pacientët që kalojnë koronavirusin

Më shumë se 4300 njerëz kanë vdekur nga “kërpudhat e zeza” vdekjeprurëse në Indi, një epidemi në rritje që prek kryesisht pacientët me Covid-19.

India ka raportuar 45,374 raste të këtij infeksioni të rrallë dhe të rrezikshëm, të quajtur mukormikozë.

Infeksioni prek hundën, sytë dhe ndonjëherë trurin, dhe zakonisht godet 12-18 ditë pas shërimit nga Covid. Mjekët thonë se kërpudhat kanë një lidhje me steroidet e përdorura për të trajtuar Covid-in, dhe diabetikët janë në rrezik të veçantë.

Steroidet zvogëlojnë inflamacionin në mushkëri për Covid-19 dhe duket se ndihmojnë në ndalimin e disa dëmtimeve që mund të ndodhin kur sistemi imunitar i trupit kalon në mbingarkesë për të luftuar koronavirusin. Por ato gjithashtu zvogëlojnë imunitetin dhe shtojnë nivelet e sheqerit në gjak si tek diabetikët ashtu edhe tek pacientët jo-diabetikë me Covid-19. Është menduar se kjo rënie e imunitetit mund të shkaktojë raste të mukormikozës në diabetikë ose individë me imunitet të dobët, siç janë pacientët me kancer ose njerëzit me HIV / Aids.

Një injeksion anti-fungus është ilaçi i vetëm efektiv kundër sëmundjes, thonë mjekët.

Dy shtetet më të prekura janë Maharashtra dhe Gujarat, ku 1,785 njerëz kanë vdekur nga mukormikoza. Dr Raghuraj Hegde, një kirurg i syve me qendër në Bangalore, i cili ka trajtuar një numër pacientësh me mukormikozë, tha për BBC se kishte pasur nënvlerësim masiv të rasteve dhe vdekjeve nga sëmundja.

Rastet nuk po llogariteshin në mënyrën e duhur, sepse diagnostikimi ishte i vështirë në spitalet e vogla dhe në zonat rurale.

“Ne po shohim pacientë të cilët u trajtuan në mënyrë agresive për Covid-19 dhe dolën nga spitalet, duke u rikthyer me një infeksion të përsëritur, i cili manifestohet në përhapjen më të gjerë të sëmundjes në sy ose në tru”, -tha për BBC, Dr Akshay Nair, një kirurg syri me bazë në Mumbai.

Burimi: BBC

No comments:

Post a Comment