Wednesday, July 28, 2021

Mjeku Alban Ylli: Nuk përjashtohet ashpërsimi i masave, përgatituni për valën e tretë

Eksperti i Shëndetit publik dhe anëtari i Komitetit Teknik të Ekspertëve Alban Ylli, i ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24” foli për variantin Delta, dhe faktin që ai ka një shkallë më të lartë infektueshmërie, nuk e përjashtoi mundësinë për zgjatje të orës policore gjatë muajve të vjeshtës, në varësi kjo dhe të situatës në të cilën do të ndodhet vendi. Eksperti, iu bëri apel qytetarëve të vaksinohen, në mënyrë që të frenohet përhapja e këtij mutacioni.

Mjeku gjithashtu, u ndal dhe te bërja e dozës së tretë. Një mundësi e tillë sipas tij nuk përjashtohet. Aktualisht janë duke u bërë vlerësimet e duhura, referuar dhe studimeve, për të aplikuar doza të treta për të rritur më shumë imunitetin.

Ndër pyetjet që ai u përgjigj ishin:

A keni rivlerësuar rimbyllje të Shqipërisë në shtator?

Alban Ylli: Është diskutuar, është një nga skenarët. Shqipëria ka një strategji, për të përballuar skenarët për të ardhmen. Këto janë reflektuar në një dokument të qeverisë dhe duhet pranuar, që vaksinimi i popullatës është i pamjaftueshëm. Jemi në një stad të avancuar të pandemisë. S’ka vend për panik, por duket qartazi që prirja e rasteve e kemi të pashmangshme një valë tjetër. Ajo do të jetë më e butë, por s’kemi arsye të besojmë që situata do të jetë normale, në kushtet që pandemia është në vitin e dytë të saj. Në vitin 2022 masat do të ndryshojnë. Masat janë në terma afatshkurtër.

Pjesë e kësaj strategjie është edhe rimbyllja në shtator?

Alban Ylli: Ky term po përdoret në sens relativ. S’besoj se do të ketë rimbyllje të plotë. Mund të flitet për masa të pjesshme të distancimit në sektorë të ndryshëm që do të jenë të përkohshme, në kushtet e skenarëve të lidhur me riskun e lartë të infektimit.

Ora policore mund të ndryshojë në shtator?

Alban Ylli: Mund të ndodhë, pse jo, në fragmente të caktuara. Ajo që është e mundur në skenarët më të këqij, ka të bëjë me punët nga shtëpia, mësimin nga shtëpia dhe shmangien e grumbullimeve masive. Ora policore nënkupton efektin në grumbullimet masive.

A na mbrojnë të gjitha vaksinat nga ky variant?

Alban Ylli: Veç dozave të kryera tashmë po mendohet dhe për një dozë të tretë sipas niveleve të riskut. Janë çështje në diskutim, informacioni diskutues na bën të mos kemi një përgjigje. Imuniteti i prodhuar nga dy dozat ekzistuese është i mjaftueshëm për të na mbrojtur 90% nga vdekja. Të gjitha vaksinat, praktikisht, nuk krijojnë atë imunitet që frenon qarkullimin e virusit, por ama na mbrojnë nga vdekja. Nuk kemi një përgjigje të plotë bazuar në shkencë, por jemi duke vrojtuar me vëmendje studimet për ta marrë në konsideratë. Është e mundshme të kryesh një vaksinë të dytë ose të tretë të ndryshme nga të parat. Një dozë e tretë rrit më shumë imunitetin. Të mos humbim vëmendjen në dozën e tretë. E rëndësishme është që individët të kryejnë vaksinat që ekzistojnë në Shqipëri, ata ofrojnë mbrojte të mirë imunitare.

No comments:

Post a Comment