Wednesday, May 13, 2020

Kujdes i veçantë ndaj fëmijëve gjatë pandemisë COVID-19, këshilla nga psikologët

Situata e krijuar për shkak të pandemisë që preku mbarë botën nuk ka lënë pa ndikuar edhe në psikologjinë e fëmijëve.

Çdo gjë e panjohur ndikon në psikologjinë e njerëzve dhe aq më tepër në psikologjinë e fëmijëve. Duke qenë se fenomeni i COVID-19 është i panjohur, fëmijët, meqenëse arsyetojnë më pak se të rriturit, kanë rrjedhimisht më shumë pyetje që rrjedhin nga frika ndaj të panjohurës. Një faktor i rëndësishëm është privimi i lirisë për shkak të karantinimit, duke shkaktuar tek fëmijët në sjellje të pazakonta për to në rrethana normale, siç është agresiviteti.

9 këshilla nga psikologia Alda Mehmeti

  1. Prindërit duhet t’i argëtojnë fëmijët e tyre në mënyrë që këta të fundit të mos e ndjejnë mungesën e shoqërizimit.

Njeriu është një qenie sociale dhe që në fëmijëri krijojmë kontakte sociale, duke filluar nga ato familjare e më pas në kopsht, në shkollë e më tej. Në momentin që këto kontakte sociale fëmijëve u ndërpriten, atëherë ndihen më të vetmuar. Një zëvendësues i kontakteve me moshatarët e tyre duhet të jetë familja.

  1. Prindërit duhet t’u flasin fëmijëve në gjuhën që këta kuptojnë.

Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm për të njohur dhe vlerësuar aftësinë që fëmija e tyre ka për të kuptuar dhe për të arsyetuar. Mënyra se si fenomeni duhet të shpjegohet varion nga mosha dhe karakteristikat e fëmijëve. Për fëmijët e vegjël mund të përdoret gjuha përmes pikturave, ndërsa për më të rriturit duhet t’u jepet një shpjegim paksa më realist. Sa më shumë aftësi për të kuptuar të ketë fëmija, aq më të sinqerta dhe të sakta lipset të jenë përgjigjet.

  1. Prindërit duhet të ndërveprojnë me fëmijët gjatë karantinimit.

Sjellja pasive dhe mbyllja në vetvete tek fëmijët gjatë kësaj periudhe ka ardhur në rastet kur prindërit nuk kanë qenë interaktivë me fëmijët e tyre. Kështu, fëmijët mund të mbyllen në dhomën e tyre, të krijojnë varësi nga video-lojërat, interneti, televizori kryesisht në rastet kur prindërit janë neglizhentë.

  1. Prindërit duhet të krijojnë sjellje të reja dhe pozitive gjatë karantinimit, të cilat duhen zbatuar edhe më gjatë.

Kemi mësuar se komplekset më të thella i krijohen njeriut që në vegjëli duke e ndjekur përgjatë jetës, kështu që situata e krijuar nga COVID-19 mund të krijojë pasoja psikologjike afatgjata tek fëmijët. Në rastin e fëmijëve prindërit luajnë një rol në përcaktimin e pasojave psikologjike nga COVID-19 si pozitive apo negative. Prindi duhet të parashikojë pasojat, duke filluar me shpjegimin e situatës pa e hiperbolizuar. Pasojat pozitive mund të vijnë nga modelimi i sjelljes së prindërve. Prindërit mund ta përdorin këtë periudhë për të modeluar sjelljet e tyre, mund të vendosin një orar të caktuar për zgjimin dhe për aktivitete të ndryshme, mund t’u krijojnë fëmijëve hapësirë për të lexuar, mund shpenzojnë kohë cilësore me ta dhe ky model sjelljeje do të ishte mirë të vazhdonte edhe pas kapërcimit të pandemisë.

  1. Prindërit duhet që së pari të kontrollojnë veten e tyre

Gjatë kësaj periudhe prindërit janë të ndikuar nga situata aktuale, duke u bërë më agresive dhe më të papërmbajtur. Kështu, ata mund të mos kenë durim dhe vullnet për të ndërvepruar me fëmijët. Kur flasim për marrëdhënien prindër-fëmijë, problematika më e madhe e prindërve është se sa në gjendje janë ata vetë për të menaxhuar vështirësitë që mund të hasin fëmijët. Për këtë, shumë prindër pyesin se cila është sjellja më e mirë që duhet të ndjekin në mënyrë që të mos ndikojnë negativisht tek fëmijët e tyre. Gjatë periudhës së covid-19, në Pediatrinë e QSUT janë aplikuar edhe konsultat online, ku prindërit e fëmijëve të shtruar kanë pyetur se cila është sjellja më e shëndetshme që mund të shfaqin kundrejt fëmijës së tyre gjatë situatës së covid-19.

  1. Prindërit duhet t’u japin fëmijëve vëmendje të ekuilibruar

Prindërit duhet t’i njohin fëmijët e tyre dhe t’u japin vëmendjen që u nevojitet, pa e tepruar dhe absolutisht pa shkuar në mungesë. Ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm për të kuptuar dhe identifikuar çdo nevojë të fëmijëve të tyre dhe vëmendja duhet të përqendrohet tek këto nevoja.

  1. Prindërit nuk duhet të krijojnë zënka përpara fëmijëve të tyre

Konfliktet gjithmonë rrisin tensionin në familje dhe këtë tension fëmijët e ndjejnë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm pasi fëmijët janë më të hapur emocionalisht dhe i përjetojnë zënkat në mënyrë intensive dhe këto zënka lënë shenja afatgjata në psikologjinë e fëmijëve. Prindërit funksionojnë si model për fëmijët dhe këta të fundit kanë tendencë të imitojnë sjelljet, që në këtë rast janë sjellje negative.

  1. Fëmijëve të infektuar nga COVID-19 duhet t’u shpjegohet situata pa hiperbolizime

Jo vetëm në rastin e virusit covid-19 por për të gjitha sëmundjet prindërit duhet të gjejnë mënyrën më të mënyrë për t’u folur fëmijëve të tyre në gjuhën që ata kuptojnë. Prindi nuk duhet ta hiperbolizojë situatën, duhet ta trajtojë këtë virus përpara fëmijëve si një ndër viruset e tjera, i cili do të kalojë me këshillat dhe medikamentet përkatëse.

  1. Prindërit e prekur nga COVID-19 duhet t’u thonë fëmijëve të tyre të vërtetën

Prindi duhet të vlerësojë se sa mund të kuptojë fëmija i tyre dhe të përpiqet që të tregojë dhe të shpjegojë të vërtetën në gjuhën që fëmija kupton, por pa gënjyer. Sado të duket se e vërteta mund ta rëndojë një fëmijë, “surprizat” e pakëndshme dhe pa një shpjegim e dëmtojnë më tepër psikologjinë e tij. Gjatë periudhës që prindi apo të dy prindërit e infektuar ndodhen në izolim, i takon një personi të afërm që t’ia shpjegojë fëmijës.

*Ky artikull u zhvillua nga Together for Life në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi nëpërmjet edukimit gjithëpërfshirës”, i cili zbatohet në kuadër të skemës së granteve të vogla të projektit “Promovimi i të drejtave të njeriut nëpërmjet arsimit gjithëpërfshirës dhe fuqizimit të Organizatave të Shoqërisë Civile Lokale” i financuar nga BE dhe i zbatuar nga “Shoqata Internacionale për Solidaritetin në partneritet me Fondacionin AVSI dhe shoqatën Gruaja në Zhvillim Shkodër.

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE”.

 

No comments:

Post a Comment