Wednesday, May 13, 2020

Masat kundër COVID-19 kanë frenuar përhapjen e sëmundjeve infektive

Dr. Alma Koçi, mjeke infeksioniste në Poliklinikën e Specialiteteve nr.3, Tiranë, në një intervistë për Gazetën “Shëndet Plus” shpjegoi se gjatë kësaj periudhe është ulur përhapja e infeksioneve në masë, për shkak të masave të marra kundër covid-19. Ndër të tjera, Koçi këshilloi se si duhet të veprohet kur shfaqen simptomat e sëmundjeve infektive dhe sit ë parandalojmë këto të fundit.

Cilat janë patologjitë me të cilat jeni hasur gjatë kësaj periudhe?

Patologjia e parë gjatë kësaj periudhe është covid-19. Një infeksion i pranishëm këto kohë ka qenë infeksioni i bajameve që lidhet me stinën dhe infeksionet urinare. Meqenëse njerëzit kanë qëndruar në shtëpi, edhe përhapja e sëmundjeve të tjera infektive është ulur. Konsultat kanë vijuar nëpërmjet telefonit. Qëndrimi në shtëpi dhe distanca nga njëri – tjetri ka ndikuar pozitivisht për mospërhapjen e sëmundjeve infektive, jo vetëm të virusit covid-19.

Çfarë kujdesi duhet të kenë qytetarët gjatë kësaj periudhe jo vetëm kundër covid-19 por edhe sëmundjeve të tjera infektive?

Masat parandaluese janë të njëjtat me masat e marra për covid-19, pasi lidhen kryesisht me higjenën. Një tjetër këshillë është të përdoren ushqime të freskëta dhe të lara në gatim si edhe të konsumojmë ushqim të gatuar në moment. Distancimi është një masë shumë e rëndësishme. Masat janë të ngjashme me masat për covid-19, pasi parandalojnë sëmundshmërinë në masë. Nëse do u përmbahemi këshillave të higjenës për parandalimin e covid-19, atëherë do të jemi gjithnjë më të mbrojtur ndaj të gjitha sëmundjeve infektive. Një këshillë tjetër shumë e vlefshme dhe që theksohet gjithnjë është larja e duarve. Gjithashtu, maska nuk shërben vetëm për covid-19 dhe është mirë që sa herë të jemi në gjendje gripale ta përdorim, apo kur shkojmë për të vizituar një të sëmurë.

A ka pasur pacientë që kanë shfaqur panik për shkak të frikës së infektimit nga covid-19?

Paniku ka mbizotëruar kryesisht në fillim, tani duket sikur ka rënë. Mirëpo virusi është aty dhe kujdesi duhet të vijojë. Pacientët që kanë pasur më tepër frikë apo panik i janë adresuar 127-tës.

Sa i përket sëmundjeve infektive, cilat janë ato simptoma bazë që duhet t’i bëjnë njerëzit për të ardhur tek mjeku?

Një ndër simptomat kryesore është temperatura që është shenja e parë. Sidoqoftë, shenjat janë të ndryshme pasi varet nga infeksioni që ka dikush. Në momentin që dikush nuk ndihet mirë, duhet të lidhet me njëherë me mjekun e familjes. Mjeku i familjes duhet t’i kryeje analizat në bazë të kushteve që ka dhe më pas, nëse konkludon se kanë infeksione i adresojnë tek ne. Akoma edhe një lodhje mund të jetë shenjë e një sëmundje infektive, pasi të gjitha sëmundjet infektive shkaktojnë një afrë lodhjeje-këputjeje. Disa simptoma të tjera janë të vjellat, diareja, urinimi i shpeshtë, kolla.

Ju si mjeke infeksioniste, tek cilat masa do e vinit theksin për parandalimin e sëmundjeve infektive?

Masat janë gjithmonë të lidhura me higjenën dhe distancimin social. Të lajmë duart shpesh, të eleminojmë kontaktet e panevojshme me njerëzit, sidomos në periudha të tilla si kjo që të gjithë rrezikojmë të infektohemi nga një virus që është kthyer në pandemi. Gjithashtu, duhet t’i mbajmë dritaret sa më shumë të hapura, pasi koha është e mirë dhe ajri është pastruar disi.

No comments:

Post a Comment