Tuesday, June 16, 2020

Zhvillohet ceremonia e dorëzimit të ventilatorëve për të luftuar COVID-19 tek Spitali “Nënë Tereza”

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mori në dorëzim të Martën ventilatorët e rinj të financuar nga qeveritë e Zvicrës dhe Norvegjisë si dhe nga PNUD. Makineritë e reja të cilat shpëtojnë jetë u prokuruan si pjesë e përpjekjeve kolektive për të luftuar pandeminë COVID-19 dhe për të rritur kapacitetet e sistemit të shëndetësisë në Shqipëri për të përballuar emergjencën.

Ventilatorët do i shtohen paisjeve të blera më parë nga qeveria shqiptare, të cilët janë thelbësore në trajtimin e pacienteve në terapi intensive. Për më tepër, këto ventilatorë do vijojnë të jenë të nevojshëm dhe pasi të kalojë pandemia COVID-19, pasi ata përdorën për të ndihmuar pacientët që vuajnë nga problemet e frymëmarrjes që shoqërojnë një sërë diagnozash.

Të pranishëm në ceremoninë e dorëzimit ishin Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, Ambasadori Norvegjez në Shqipëri Jens Erik Grondahl, Zëvëndës Shefi i Misionit në Ambasadën e Zvicrës Patrik Meier, si dhe Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD Limya Eltayeb.

“Vijojmë të forcojmë kapacitetet e sistemit shëndetësor publik në përgjigjen ndaj COVID19 dhe kjo ndihmë e vyer e partnerëve tanë me keto pajisje jetëshpëtuese do të forcojë repartet e terapive intensive në vend”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu

“Në përputhje me angazhimin e Zvicrës për një sektor më të fortë shëndetësor, ventilatorët e rinj shërbejnë për të rritur kapacitetet për të trajtuar jo vetëm pacientët me COVID-19, por edhe ata që trajtohen për komplikacione të tjera të frymëmarrjes”, tha Zëvendës Shefi i Misionit në Ambasadën e Zvicrës, Patrik Meier.

“Jam shume i lumtur që jam këtu sot për të dorëzuar ventilatorët në Spitalin Nënë Tereza për të ndihmuar autoritetet shëndetësore të përballen me COVID por edhe sëmundje të tjera të frymëmarrjes.Ky është një problem global që ka nevojë për zgjidhje të përbashkëta midis vendeve. Norvegjia mbetet një mbështetëse krenare e përpjekjes kombëtare të Shqipërisë kundër pandemisë Covid-19 në një partneritet me Qeverinë Shqiptare, Zvicrën dhe UNDP” tha Ambasadori Norvegjez në Shqipëri Jens Erik Grondahl.

“Si pjesë e përpjekjeve kolektive të OKB për të ndihmuar qeverinë e Shqipërisë të sigurojë një reagim efektiv shëndetësor për të prekurit nga virusi, PNUD-I ka bashkëpunuar me ambasadën e Zvicrës dhe Norvegjisë për të blerë ventilatorët shtesë. Askush nuk është imun ndaj pandemisë COVID-19. Ndërsa ventilatorët do të forcojnë sistemin e shëndetësisë në Shqipëri për të përballuar më mirë kërcënimin nga pandemia, ne të gjithë kemi një përgjegjësi, si individë, të zbatojmë masat e rekomanduara dhe të mbështesin përpjekjet e qeverisë për të frenuar përhapjen e këtij virusi. Së bashku mund ta mposhtim këtë pandemi,” tha Përfaqësuesja e Përhershëm e PNUD Limya Eltayeb.

Qeveria Zvicerane ka dhuruar 330,000 Dollar, Qeveria Norvegjeze 3,000,000 Kruna Norvegjeze (afërsisht 300,000 Dollar) dhe PNUD 150,000 Dollar.

Nga momenti kur rasti i parë i COVID-19 u konfirmua në vend më datë 9 Mars, 1521 raste janë raportuar gjithsej dhe 37 njerëz kanë ndërruar jetë nga Coronavirus. Momentalisht, 441 raste janë aktive në vend – 47 persona janë në spital, prej të cilëve shtatë janë nën kujdes intensiv dhe një është i intubuar.  Në këtë kontekst, zotërimi i një numri të mjaftueshëm të respiratorëve për të trajtuar pacientët me COVID-19 mbetet një nga prioritetet më të rëndësishme të qeverisë dhe një pikë mbështetjeje nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë.

No comments:

Post a Comment