Friday, February 19, 2021

“Abuzimi i adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri” – një analizë e thelluar e disa raporteve dhe studimeve të dekadës së fundit

Tiranë, 19 shkurt 2021 – Sot në Kuvendin e Shqipërisë u organizua një seancë dëgjimore për prezantimin e gjetjeve kryesore të raportit “Abuzimi i adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri”, i përgatitur nga ekspertë me eksperiencë në fushën e shëndetit publik dhe të mbrojtjes së fëmijëve dhe të rinjve dhe mbështetur nga UNFPA.

Ky raport ofron një paraqitje të plotë të gjithë kuadrit ligjor dhe politikave kombëtare në mbrojtje të të drejtave të adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri, si dhe një analizë të thelluar (sekondare) të bazës ekzistuese të të dhënave, në lidhje me disa studime të rëndësishme që janë kryer në Shqipëri në dekadën e fundit. Kështu sigurohet informacioni i nevojshëm në lidhje me karakteristikat e abuzimit të fëmijëve e të rinjve me një fokus kryesor në ndryshimet e mundshme gjinore, ato social-ekonomike dhe diferencat e tjera që lidhen me kategoritë e rrezikuara të popullsisë.  Raporti vë në dukje se edhe pse gjatë dekadës së fundit ka një trend zbritës të prevalencës së formave të ndryshme të abuzimit të adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri, determinantët përcaktues të abuzimit mbeten të njëjtë.

Gjatë prezantimit të saj, Dr. Gentiana Qirjako, specialiste e Shëndetit Publik theksoi se “Ekziston një nevojë urgjente për të marrë masa dhe për të siguruar të gjitha shërbimet mbështetëse të specializuara të nevojshme, të përshtatshme e të arritshme të ndihmës për vajzat dhe djemtë e abuzuar, veçanërisht në rastin e dhunës seksuale. Këto shërbime duhet të kenë kapacitete të mjaftueshme për të mbuluar të gjithë territorin e vendit, ato duhet të kenë numrin e duhur të profesionistëve të përshtatshëm, duhet të jenë të mbështetura plotësisht me buxhetin e duhur dhe duhet të funksionojnë gjithmonë bazuar në standardet e kërkuara dhe të përshtatshme.”

“UNFPA  e vlerëson bashkëpunimin dhe partneritetin me Kuvendin, me institucionet e pavaruara të të drejtave të njeriut dhe organizatat e shoqërisë civile që të dënohet, luftohet dhe adresohet dhuna në çdo formë të saj. Një jetë pa dhunë është garanci drejt një vendi të shëndetshëm dhe me prosperitet”, deklaroi Zj. Dorina Tocaj, Analiste e Programit të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues dhe të Rinjve në zyrën e UNFPA në Shqipëri.  Gjetjet e kësaj analizë të thelluar synojnë të ndihmojnë vendimmarrësit, institucionet arsimore dhe kërkimore, prindërit dhe vetë doleshentët e të rinjtë që të kuptojnë përhapjen e fenomenit të dhunës si dhe determinantët e rëndësishëm përcaktues për hasjen e saj. Shpresojmë shumë që ky raport të ndikojë në përmirësimin e të gjitha atyre masave që synojnë të përmirësojnë mbrojtjen e adoleshentëve dhe të rinjve nga çdo formë e dhunës.

Në seancë ishin të pranishëm Nënkryetarja e Kuvendit, Zj. Vasilika Hysi, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Z. Enver Roshi, Kryetarja e Nënkomisionit Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas, Zj. Eglantina Gjermeni.

Ky aktivitet është organizuar nga UNFPA Albania, në kuadër të Programit të Përbashkët të OKB “T’i Japim fund Dhunës ndaj Grave” financuar nga Qeveria e Suedisë dhe zbatuar nga UNDP, UN Women dhe UNFPA në partneritet me Qeverinë Shqiptare.

Disa të dhëna dhe gjetje shkurt nga Raporti

Raporti përbën një analizë të thelluar të katër studimeve kombëtare të kryera në Shqipëri, të detajuar më poshtë:

  • Studimi “ Sjelljet Shëndetësore të fëmijëve të moshës shkollore 11, 13 dhe 15 vjeç, 2017/18
  • Studimi “Mirëqenia dhe siguria e grave”, OSBE, 2018
  • Studimi “Dhuna ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri”, INSTAT 2018
  • Studimi “ Prevalenca e përvojave negative gjatë fëmijërisë tek të rinjtë shqiptarë, OBSH 2012

Studimi “Sjelljet Shëndetësore të fëmijëve të moshës shkollore 11, 13 dhe 15 vjeç, 2017/18:

  • Gati një në tre fëmijë (32%) raportuan se ishin lënduar ndonjëherë fizikisht nga prindërit ose të rriturit e tjerë në familjet e tyre përkatëse.
  • Prevalenca e abuzimit emocional gjatë gjithë jetës ishte 16% (13% tek djemtë kundrejt 18% tek vajzat).
  • Lidhur me abuzimin seksual, rreth 8% e të fëmijëve raportuan se ishin prekur / përkëdhelur ndonjëherë gjatë jetës së tyre, ndërsa prevalenca e marrëdhënieve seksuale gjatë gjithë jetës me një të rritur (e tentuar dhe / ose e përjetuar) ishte rreth 3%.
  • Vetëm 5% e të rinjve të moshës 15 vjeç raportuan se kanë qenë dëshmitarë të dhunës në familje gjatë jetës së tyre.
  • Korrelacione të rëndësishme të abuzimit seksual gjatë gjithë jetës ishin papunësia e nënës, përdorimi i duhanit dhe alkoolit gjatë gjithë jetës, marrëdhëniet seksuale gjatë gjithë jetës, si dhe dhuna në familje.

Studimi “Mirëqenia dhe siguria e grave”, kryer nga OSBE, 2018:

  • 67% e grave dhe vajzave raportuan se kishin përjetuar ndonjë formë dhune (nga një partner ose jo-partner) që nga mosha 15 vjeç.
  • gratë dhe vajzat që jetonin në zonat urbane kishin 30% më shumë gjasa për të raportuar ndonjë lloj dhune që nga mosha 15 vjeç krahasuar me homologët e tyre që jetonin në zona rurale.
  • Gjasat për të qenë më të reja në moshë ishin 2.5 herë më të larta tek gratë që raportonin ndonjë lloj dhune që nga mosha 15 vjeç.
  • Varfëria ishte një parashikues i fortë dhe kyc i dhunës së përjetuar: gjasat për të qenë shumë i deprivuar ekonomikisht në krahasim me ato që nuk kishin një deprivim të tillë ishin 2.2 herë më të larta tek gratë që raportuan ndonjë lloj dhune që nga mosha 15 vjeç.

Studimi “Dhuna ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri”, INSTAT 2018:

  • 3% e grave dhe vajzave raportuan se ishin dhunuar fizikisht që nga mosha 15 vjec nga dikush tjeter përvec bashkëshortit/partnerit/të dashurit. Në 13.9% të rasteve kjo gje kishte ndoshur para moshës 18 vjeç.
  • Autorët kryesorë të dhunës fizike para moshës 18 vjeç ishin prindërit (nëna 32.7% dhe babai 25%), të pasuar nga mësuesit (15.3%) dhe motrat/vëllezërit (12%).
  • 1% e grave dhe vajzave raportuan se ishin abuzuar seksualisht gjatë fëmijërisë
  • 6% e grave dhe vajzave kishin qenë dëshmitare të dhunës në familje

Studimi “Prevalenca e përvojave negative gjatë fëmijërisë tek të rinjtë shqiptarë”, OBSH 2012:

  • Prevalenca e abuzimit fizik dhe seksual gjatë 18 viteve të para të jetës (gjatë fëmijërisë) ishte përkatësisht 41.5% dhe 14.7%.
  • Rreth 30% e studentëve kanë qenë dëshmitarë të dhunës në familje gjatë 18 viteve të para të jetës.
  • Gjinia mashkullore, vendlindja dhe/ose vendbanimi rural, niveli i ulët arsimor i prindërve, papunësia e babait, të ardhura të ulëta familjare, të jesh dëshmitar i dhunës në familje, të jesh përdorues i duhanit, alkoolit dhe drogave, fillimi i hershëm i marrëdhënieve seksuale dhe numri i lartë i partnerëve seksualë, ishin determinate të rëndësishëm të abuzimit fizik gjatë fëmijërisë.

Abuzimi i adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri_Albanian

No comments:

Post a Comment