Monday, April 26, 2021

Adoleshentet shqiptare krijojnë një aplikacion për të ndihmuar shoqërinë në përballje me COVID-19

Dy vajza shqiptare, vetëm 14 vjeç, Emi Xhetani dhe Kristel Karriqi kanë bashkuar forcat në një grup të quajtur CodeCrackerZ (kliko këtu) dhe kanë marrë iniciativën e tyre për të ndihmuar bashkëmoshatarët e tyre dhe shoqërinë në përballje me COVID-19.  Ato kanë krijuar një aplikacion të quajtur HealthPad,  për të ndihmuar në kuptimin e simptomave të Covid 19, raportimin ditor në lidhje me gjendjen shëndetësore në formë elektonike në shkolla dhe institucione, si edhe këshilla të mira praktike për t’u kujdesur për shëndetin.

“Fillimisht skuadra jonë përbëhej nga katër vajza, dhe menjëherë dy u tërhoqën. Tutoret na thanë që është shumë punë për dy, por ne vendosëm ta çojmë deri në fund idenë tonë dukë koduar së bashku – tha Kristel.

“Ne bëmë një sondazh në popullatë nëpërmjet rrjeteve sociale dhe kuptuam çfarë nevojash kishin njerëzit lidhur me masat COVID-19. Nga këto, nxorëm disa mesazhe dhe u përpoqëm t’i sjellim në këtë aplikacion, duke ndihmuar me informacione dhe udhëzime për të lehtësuar disi situatën”, tregon Emi.

“Fillimisht mendojmë të orientojmë përmes disa pyetjeve të thjeshta të kuptojmë si jemi, duke ndjekur një pyetësor që na rekomandon simptoma që lidhen me COVID-19.  Rezultatin mund ta ndajmë direkt, duke njoftuar për gjendjen tonë ku na kërkohet, pa humbur kohë dhe letër. Njëkohësisht, nëse kemi nevojë për ndihmë, kërkojmë në listën e spitaleve dhe qendrave shëndetësore, të cilat aplikacioni  ka renditur me kujdes të gjitha të dhënat e tyre. Kemi një numër këshillash të mira dhe masash, si edhe një “reminder”, të na sinjalizojë kur duhet të ushtrohemi për të qëndruar të shëndetshëm. Të gjitha këto në një aplikacion të vetëm HealthPad”, thonë vajzat

Puna e tyre, bëhet në kuadër të projektit Technovation Girls Albania, e American Corner Tirana Technovation Girls Club,  ku vajzat nxiten të bëhen pjesë e botës së magjishme të teknologjisë, duke garuar në botë me aplikacionet e tyre në Technovation Global. Ata do të konkurrojnë me aplikacione për celularë që gjejnë një zgjidhje për një sfidë të veçantë. Aplikacioni fitues do të shpallet në 3 maj dhe do të shtohet në  Appstore dhe Play Store.

No comments:

Post a Comment