Saturday, April 17, 2021

Kujdes! Koronavirusi nuk dëmton vetëm mushkëritë

Nga Alket Koroshi, mjek nefrolog

Koronavirusi nuk dëmton vetëm mushkëritë tek pacientët e prekur. Mjekët në SHBA dhe Kinë japin alarmin se COVID-19 dëmton edhe organe të tjera si zemrën, veshkat, zorrët e mëlçinë. Mund të shkaktojë po ashtu çrregullime të sistemit nervor dhe të venave.
Siç rrëfejnë vetë mjekët për mediat ndërkombëtare, në këtë mënyrë koronavirusi thellon komplikacionet për pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera, çka e bën gjetjen e një mënyre për shërimin e tyre edhe më të paqartë.
Statistikat paraprake të deritanishme tregojnë se 14 – 30% e pacientëve që kanë hyrë në terapinë intensive, në New York dhe Wuhan kanë humbur funksionimin e veshkave dhe kanë nevojë tashmë për dializë.
Gjysma e pacientëve të shtruar në spital për kurim nga COVID-19 kanë shfaqur shenja të pranisë së gjakut dhe proteinave në urinë, çka tregon dëmtim në fazat e para të veshkave, siç shprehet Alan Klinder nga Universiteti Mjekësor i ‘Yale’.
Të tjera studime në Kinë tregojnë COVID-19 ka shkaktuar aritmi tek 40% të pacientëve. 20% e të prekurve po ashtu kanë shfaqur dëmtime të tjera kardiake.
Megjithatë, shumica e ekspertëve thonë se këto janë konstatime paraprake, për të cilat nevojiten studime të thelluara për të arritur në konkluzione të sakta mbi dëmet e shkaktuara nga koronavirusi.

No comments:

Post a Comment