Wednesday, April 14, 2021

UNFPA: Pothuaj gjysmës së grave në botë u mohohet autonomia e trupit

Dhunimet përfshijnë abuzimin seksual, martesat e hershme, vrasjet për të ruajtur nderin e shumë të tjera

Pothuaj gjysmës së grave në 57 vende iu mohohet e drejta për të vendosur nëse do të kryejnë marrëdhënie seksuale me partnerët e tyre, nëse do të përdorin kontraceptivë apo nëse do të kërkojnë kujdes shëndetësor, deklaron raporti i UNFPA 2021 mbi Gjendjen e Popullsisë së Botës, i prezantuar sot.

Për herë të parë, raporti i Kombeve të Bashkuara përqendrohet në autonominë e trupit: fuqinë dhe mundësinë për të bërë zgjedhjet e tua për trupin tënd, pa frikën se dhunohesh apo se do e marrin të tjerët këtë vendim për ty. Mungesa e autonomisë së trupit shkakton shumë gjëra, përtej dëmeve të thella ndaj grave dhe vajzave si individë: potencialisht ul produktivitetin ekonomik, zvogëlon aftësitë dhe rezulton në kosto shtesë për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe atë ligjor.

Gjetjet kryesore: trupi im, por jo zgjedhja ime

Përmes këtij raporti novator, UNFPA mat si fuqinë e grave për të marrë vendimet e tyre për trupin e vet, ashtu edhe masën deri ku ligjet e shteteve mbështesin apo ndërhyjnë në të drejtën e gruas për të marrë këto vendime. Të dhënat tregojnë një lidhje të fortë midis fuqisë së vendim-marrjes dhe niveleve të larta të arsimimit.

Raporti tregon se në ato vende ku ka të dhëna:

  • Vetëm 55 përqind e grave janë tërësisht të fuqizuara për të marrë vendimet e tyre për kujdes shëndetësor, përdorim kontraceptivësh apo për t’i thënë “po” ose “jo” marrëdhënieve seksuale.
  • Vetëm 71 përqind e vendeve garantojnë akses në kujdesin e përgjithshëm amtar.
  • Vetem 75 përqind e vendeve kanë siguruar në mënyrë ligjore akses të plotë dhe të barabartë në
  • Vetëm 80 përqind e vendeve kanë ligje që mbështesin shëndetin dhe mirëqenien seksuale.
  • Vetëm 56 përqind e vendeve kanë ligje dhe politika që mbështesin edukatën gjithpërfshirëse seksuale.

“Fakti që pothuaj gjysma e grave ende nuk mund të marrin vendimet e tyre nëse do të kryejnë marrëdhënie seksuale apo jo, nëse mund të përdorin kontraceptivë apo jo, apo nëse mund të kërkojnë kujdes shëndetësor, duhet të na zemërojë,” tha Drejtoresha Ekzekutive e UNFPA Dr. Natalia Kanem. Në thelb, qindra gra dhe vajza nuk e zotërojnë trupin e tyre. Jeta e tyre drejtohet nga të tjerët.”

Në vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore ku ka të dhëna, gratë në përgjithësi kanë më shumë autonomi. Por pjesa e atyre që nuk janë ende tërësisht të fuqizuara për të marrë vendimet e tyre për kujdes shëndetësor, përdorim kontraceptivësh apo mundësi për t’i thënë “po” ose “jo” marrëdhënieve seksuale është ende e konsiderueshme: 19 për qind në Ukrainë, 23 përqind në Kirgistan, 31 për qind në Shqipëri dhe 34 për qind në Armeni. Në Taxhikistan 67 përqind e grave nuk mund të marrin vendime autonome mbi këto çështje themelore.

Raporti gjithashtu dokumenton edhe mënyra të tjera se si dhunohet autonomia e trupit të grave, vajzave, burrave dhe djemve në të gjithë botën, duke treguar se:

  • Njëzet vende dhe territore kanë ligje të tilla si “martohu me përdhunuesin tënd”, ku një burrë mund t’i shpëtojë ndjekjes penale nëse martohet me gruan apo vajzën që ka përdhunuar.
  • Dyzet e tre vende nuk kanë legjislacion që të adresojë çështjen e përdhunimit martesor (përdhunim nga bashkëshorti).
  • Më shumë se 30 vende u kufizojnë grave të drejtën të lëvizin jashtë shtëpisë.
  • Vajzat dhe djemtë me aftësi të kufizuara kanë gjasa pothuaj tre herë më shumë të përballen me dhunë seksuale, dhe vajzat janë më të rrezikuara.

Zgjidhje: fuqia për të thënë “po”, e drejta për të thënë “jo”

Raporti tregon se si përpjekjet për të adresuar abuzimet mund të çojnë në dhunime të tjera të autonomisë së trupit. Për shembull, për të ndjekur penalisht një rast përdhunimi, një sistem i drejtësisë penale mund t’i kërkojë një të mbijetuare të dhunës të bëjë një test virgjërie, që në vetvete është dhunim.

Zgjidhjet e vërteta, sipas raportit, duhet të marrin parasysh nevojat dhe eksperiencat e atyre që janë prekur.

“Autonomia e trupit është një themel për të gëzuar të gjtiha të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtën për shëndet dhe të drejtën për të jetuar pa dhunë,” tha Alanna Armitage, Drejtoreshë Rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

“Një grua që ka kontroll mbi trupin e saj ka gjasa të jetë më e fuqizuar në fusha të tjera të jetës. Ajo fiton jo vetëm autonomi, por edhe shëndet dhe arsim, të ardhura dhe siguri. Ajo ka më shumë mundësi të përparojë, si rrjedhim edhe familja e saj.”

Raporti i UNFPA Gjendja e Popullsisë së Botës është botimi vjetor më i rëndësishëm i UNFPA. Botuar që prej vitit 1978 e në vazhdim, ky raport hedh dritë mbi çështjet prioritare në fushën e shëndetit dhe të drejtave seksuale dhe riprodhuese, duke i sjellë ato në vëmendje dhe duke analizuar sfidat dhe mundësitë që paraqesin për zhvillimin ndërkombëtar.

No comments:

Post a Comment