Wednesday, June 16, 2021

A është uji mineral natyral i gazuar i mirë për shëndetin?

Përshtati në shqip: Anxhela Cami

Në kundërshtim me bindjen e zakonshme se uji i gazuar është i dëmshëm, uji mineral natyral i gazuar qëndron mbi ujin e zakonshëm për sa i përket ndikimit në shëndetin tonë. Përveç hidratimit dhe freskisë që të jep, uji me gaz ka një sërë dobish për shëndetin në sajë të përbërjes së tij në minerale.

Uji me gaz nuk është aq hidratues sa uji normal. Zërat për një gjë të tillë vijnë si pasojë e pranisë së dyoksidit të karbonit në ujin e gazuar. Por në të vërtetë, dyoksidi i karbonit nuk parandalon hidratimin e trupit nëpërmjet ujit me gaz.

Uji me gaz dëmton shëndetin e dhëmbëve. Asnjë studim nuk ka vërtetuar deri më tani se aciditeti i lehtë që karakterizon ujin me gaz mund të dëmtojë smaltin e dhëmbëve. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse uji mbahet në gojë më shumë se zakonisht. Gjithashtu, shtimi i sheqerit apo esencave me aciditet mund të jenë ato që i ulin pikët për sa i përket dobishmërisë së ujit mineral natyral të gazuar lidhur me shëndetin.

Konsumimi i ujit me gaz ju bën të shtoni në peshë. Studiuesit kanë zbuluar se uji me gaz shkakton një ndjesi ngopjeje më të madhe se uji natyral, veçanërisht kur jeni me stomak bosh. Dhe sa më të ngopur të ndiheni, aq më pak ushqim do të konsumoni. Thjesht shmangni versionet me ëmbëltues artificialë, që në fakt e nxisin urinë.

Uji me gaz shkakton urth. Nëse keni shqetësime të lidhura me urthin, atëherë është më mirë të konsumoni ujë natyral, veçanërisht gjatë vakteve. Flluskat mund të përkeqësojnë shqetësimet ekzistuese të refluksit. Por nëse nuk keni asnjë problem me urthin, konsumoni lirisht ujë me gaz.

Uji mineral i gazuar forcon kockat. Jo më kot quhet ujë “mineral”, sepse përmban një sasi të konsiderueshme mineralesh, në veçanti kalcium. Kalciumi është ndër mineralet më të rëndësishme për të ç’tensionuar arteriet, për të parandaluar osteoporozën dhe për të siguruar komunikim të shëndetshëm mes nervave dhe muskujve. Gratë pas menopauzës dhe personat obez, janë ata që mund të përfitojnë shumë nga marrja e mjaftueshme kalciumit çdo ditë. Krahas një diete të ekuilibruar mirë, uji i gazuar natyral ju ndihmon të plotësoni nevojat në kalcium.

Burimi: WebMD / Shendeti.com.al

No comments:

Post a Comment