Wednesday, June 16, 2021

Si të luftoni alergjitë e verës?

Përshtati në shqip: Anxhela Cami

Pranvera iku dhe ju sërish vazhdoni të teshtini apo të keni bllokim hundësh? Mirë se vini në sezonin e alergjisë verore, që zgjat edhe përtej luleve të majit. Shakatarët janë të ndryshëm, ndaj sapo të kuptoni se nga vuani, mund të ndërmerrni hapa për trajtimin e alergjive.

Disa nga shkaktarët më të zakonshëm janë: poleni, myku, lëkura e ndonjë kafshe, ushqime të caktuara ose shkaktarë të tjerë që mund të irritojnë lëkurën. Sidomos gjatë stinës së verës shfaqen alergji të ndryshme, të cilat janë tipike të stinës.

Poleni. Zakonisht shfaqet nga lulet, por gjithashtu shfaqet edhe nga drithërat (gruri, misri), nga përbërës të ndryshëm të barit dhe nga luledielli. Kjo lloj alergjie shkakton lot, kruajtje të syve, rrjedhje dhe kruajtje të hundës,  teshtitje të shpeshta  dhe sulme të astmës. Disa nga bimët dhe pemët e zakonshme që shkaktojnë alergji janë: lisi, plepi, thupër, elm, pisha, arra, dëllinja, ahu, ulliri, palma, selvia, poleni Ragweed, bluegrass, hithër etj.

Ekspozimi ndaj diellit – Në stinën e verës alergjitë e lëkurës kanë tendencë të përkeqësohen si shkak i temperaturave të larta dhe ekspozimit në diell. Jo vetëm personat alergjik duhet t’i shmangen rrezeve të diellit, por të gjithë, pasi është një abuzim i panevojshëm për lëkurën. Ekspozimi i shpeshtë ndaj rrezeve të diellit e rrudh dhe e ashpërson lëkurën, dhe humb elasticitetin.

Insektet. Bletët, grerëzat, milingonat dhe insekte të tjera mund të shkaktojnë reaksione alergjike kur pickojnë. Pickimet e mushkonjave dhe grerëzave mund të jenë shumë të rënda dhe ndonjëherë mund të shkaktojnë reaksione si ënjtje në fyt, vështirësi në frymëmarrje, marramendje, dhimbje barku dhe të vjella. Mushkonjat shpesh shkaktojnë reaksione të bezdisshme si ënjtje dhe kruajtje tek personat me lëkurë të ndjeshme si dhe tek fëmijët. Mjekët këshillojnë të mos përdorni parfume dhe kremra me aromë lulesh.

Cilat janë në përgjithësi simptomat e alergjisë verore?

Lotimi i syve, kruajtje të syve, rrjedhje dhe kruajtje të hundës,  teshtitje të shpeshta, sulme të astmës, ënjtje në fyt, vështirësi në frymëmarrje, marramendje, dhimbje barku dhe të vjella.

Si t’i trajtojmë alergjitë:

Antihistaminikët të cilët lehtësojnë teshtimat, tërheqjen e hundëve dhe kruajtjen duke ulur nivelin e histaminës në trup.
Dekongjestantët të cilët zvogëlojnë enët e gjakut në kavitetin nazal për të lehtësuar bllokimin e hundëve.
Kombinim i antihistaminikëve dhe dekongjestantëve të cilët kombinojnë efektin e të dyve.
Dekongjestantët nazalë spray të cilët veprojnë më shpejt se dekongjestantët oral dhe me më pak efekte anësore.
Spray nazal steroid të cilët reduktojnë inflamacionin.
Pikat për sy të cilat lehtësojnë kruajtjet dhe lotimin e syve.

4 këshilla për ta mbajtur polenin “nën kontroll”

  • Qëndroni në ambiente te mbyllura në ditët me erë, veçanërisht në mëngjes.
  • Pastroni filtrat e kondicionerit. Po ashtu edhe raftet në shtëpi, aty ku poleni mund të mblidhet.
  • Lani flokët pasi jeni kthyer nga jashtë, sepse poleni shpesh depozitohet aty.
  • Pastroni me fshesë me korrent 2 herë në javë, për të hequr polenin dhe pluhurin që mund të jenë grumbulluar në objekte dhe sipërfaqe të ndryshme në shtëpi.

Burimi: WebMD / Shendeti.com.al

No comments:

Post a Comment