Mungesa e organizimit, mungesa e medikamenteve apo materialeve mjekësore dhe politika e keqe e burimeve njerëzore, këto janë sipas mjekut okulist Pajtim Lutaj, problematikat kryesore në Qendrën Universitare në Tiranë.
Mjeku nënvizoi në emisionin “Mirëmengjes” në Euronews Albania se mentaliteti i politikës e ka kthyer Qendrën Universitare në një spital të rëndomtë. P.Lutaj denoncoi se në klinikën okulistike në QSUT ka mjekë tepër, të emëruar politikisht, ndërkohë që në disa qarqe të vendit ka mungesë të okulistëve.
“Në klinikën franceze në QSUT kemi 6 mjekë më shumë se sesa norma. 6 mjekë, këto janë emërime politike, abuzive. Jo më shumë se para një viti janë emëruar 2 mjekë pa kritere. Vijnë dy mjekë nga politika. Kjo krijon mungesa të theksuara në rrethe”, tha ai.
Mjeku tregoi edhe rastin e një të moshuari nga Saranda, që për të kryer një operacion okulistik në Tiranë, iu desh të merrte 9 vula nëpër administratën shëndetësore, ndërkohë mjeku që do e operonte në Tiranë nuk ishte në dijeni.
Një ditë më parë, pati akuza edhe nga mjeku Petrit Vargu, i cili tha se shërbimet kryesore të QSUT-së janë marrë nga privatët.
Vargu deklaroi se në sistemin shëndetësor ka emërime politike. Një tjetër akuzë e tij është se po pakësohen shtretërit në QSUT me synim që të dërgohen në spitalet private./Euronews
No comments:
Post a Comment