Friday, November 20, 2020

Angazhimi i mjekut të familjes në trajtimin e pacientëve me covid-19, përgjegjësitë dhe roli që kanë

Mjekët e familjes po ndjekin pacientët e prekur me Covid19, ata që ndodhen në shtëpi me simptoma të lehta, sipas protokolleve të përcaktuara. Sipas Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, që prej fillimit të pandemisë janë kryer 593447 konsulta on line, ku 146730 janë kryer vetëm gjatë muajit Tetor . Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, janë më shumë se 1600 mjekë të angazhuar në gjithë territorin e Shqipërisë. Në Tiranë, ku është dhe numri më i madh i të prekurve aktivë, mjekët e familjes po luajnë një rol kyç, për ndjekjen e ecurisë në rastet e pacientëve të prekur nga Covid19, të cilët janë duke u trajtuar në banesë.

Ritestimet: Vërtetimet do të merren nga mjeku i familjes

Në fillim të nëntorit Komiteti Ekspertëve deklaroi se nuk do të ketë më ritestime për të infektuarit me Covid-19, pasi ata nuk e trasmetojnë më koronavirusin. Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino pohoi se personat e infektuar me Covid 19 nuk do të ritestohen më pas 14 ditësh. “Kemi hequr ritestimet, pas ditës së 14 nuk ka më aftësi transmetueshmërie virusi.”

Do jetë mjeku që do të japë vërtetime për qytetarët që kanë kaluar karantinimin dhe quhen të shëruar për të kthyer në punë. Mjeku do të relatojë për qytetarin pikërisht këtë aspekt dhe do të jetë një vërtetim nga ky mjek që u jepen qytetarëve që ta paraqesin në vendet e punës.

Rimbursimi i barnave për qytetarët e diagnostikuar me COVID19

Me 18 nëntor qeveria ka miratuar vendimin për rimbursimin 100 për qind të qytetarëve për paketën bazë të ilaçeve kundër Covid-19. Referuar vendimit të qeverisë, paketa e barnave do të përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes.

Për ata që e kalojnë sëmundjen më lehtë, pra përfshihen në skemën e parë të trajtimit, do të rimbursohen 1.650 lekë. Kurse për ata që e kalojnë sëmundjen në një formë të mesme vlera e rimbursimit do të jetë 10.900 lekë.

Mjeku i familjes, për personat e testuar pozitiv për Sars-Cov-2 (të konfirmuar nga institucionet shëndetësore publike përgjegjëse), në përputhje me formën e sëmundjes dhe indikacionet e përcaktuara në udhëzuesin e miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, lëshon recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Mjekun e familjes, mund ta gjeni on line

Për këdo që ende nuk e di cila është qendra shëndetësore të cilës i përket në bazë të zonës së banimit apo mjeku i familjes që e ka në patronazh, mund ta mesojë atë tanimë nëpërmjet kompjuterit apo celularit duke u futur në faqen online të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të  Kujdesit Shendetësor, në rubrikën “e-sherbime”.

Foto e marrë nga faqja e-albania

Në fund, duke klikuar “kerko mjekun”  si dhe  duke futur numrin personal, që është i shënuar në kartën e identitetit, menjëherë do t’i shfaqet  numri i qendrës shendetësore por edhe emri i mjekut të familjes.

Mjeku i familjes ka të gjitha kartelat shëndetësore të personave të një familjeje, të cilat tani do të jenë gjithashtu të aksesueshme nëpërmjet internetit.

Si të rregjistroheni tek mjeku i familjes ose si mund ta ndërroni atë 

Banorët zgjedhin Mjekun e Përgjithshëm dhe të Familjes (në vijim MPF) në bazë të parimit të zgjedhjes së lirë. Pjesëtarët e një familjeje rekomandohet të regjistrohen tek i njëjti mjek. Banorët kanë të drejtë të ndryshojnë MPF, jo më shpesh se një herë në vit, pasi të kenë kryer çrregjistrimin tek mjeku i mëparshëm. Secili qytetar që do të rregjistrohet tek mjeku i familjes ose do ta ndërrojë atë ekziston një formular që duhet ta plotësojë.

Me ndryshimin e bërë në 2016-n askush nuk është i detyruar më të paguajë për të kryer konsultë me mjekun e familjes. Mjeku e ka detyrim që të kryejë vizitën për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, për ata që janë të siguruar, por edhe për ata që janë të pasiguruar.

Nëse nuk keni kontaktin e mjekut tuaj të familjes dhe nuk arrini ta gjeni përmes platformave on-line lidhuni me linjë e gjelbër 0800 40 40 për ta mësuar.

Ky artikull u përgatit nga shoqata Together for Life në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit për COVID-19 dhe cilësisë së barnave për sëmundjet kronike” – projekt nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC.

No comments:

Post a Comment