Thursday, November 26, 2020

BIOPSIA: Çfarë është? Si të përgatiteni për ta kryer? Çfarë shkakton

Biopsia është një test i cili përdoret për të kontrolluar për shenja të sëmundjes. Mjeku merr një mostër të vogël të indeve ose qelizave nga një zonë e trupit ku mund të keni kancer, infeksion ose një problematikë tjetër shëndetësore. Mostra dërgohet në një laborator ku shihet për qeliza të cilat  mund të jenë të dëmshme për shëndetin tuaj.

Si të përgatiteni?

Mjeku do t’ju tregojë nëse ka dika që duhet ta bëni ose jo para kryerjes së biopsisë. Për shembull, mund të jetë e nevojshme ndalimi i marrjes së barnave të tilla si: hollues gjaku, aspirina ose të mos të hani apo të pini disa orë para kryerjes së biopsisë. Nëse do të merrni barna që ju bëjnë të jeni të përgjumur gjatë procedurës, kërkoni ndihmën e dikujt që t’ju shoqërojë për në shtëpi.

Çfarë ndodh pas biopsisë?

Zona e prekur mund të jetë e lënduar ose mund t`ju shkaktoj diskomfort, por mjeku në të tilla rast do t’ju japë një mjekim për t’ju qetësuar. Pas biopsisë merreni ditën me lehtësi dhe ndiqni udhëzimet e mjekut.

Marrja e përgjigjes

Në disa lloje të biopsive mjeku mund të analizojë mostrën e marrë në mënyrë direkte për rezultate të menjëhershme. Në raste të tjera rezultatet vonojnë një, dy ose disa ditë. Përgjigjet e analizës nga laboratori dërgohen tek mjeku juaj dhe do të jetë ai që do jua shpjegojë ato.

Cfarë është biopsia me gjilpërë?

Kjo lloj biopsie realizohet me anë të një age të përdorur nga mjeku për të marrë një pjesë të indeve nga zona e mundshme problematike. Zakonisht mjekët e rekomandojnë këtë lloj biopsie për të ekzaminuar indet, gjinjtë, nyjet limfatike, gjëndrat tiroide ose testikujt.

Si bëhet një biopsi me gjilpërë?

Bëhet nga mjeku juaj dhe zgjat më pak se një orë. Zona pastrohet dhe mpihet. Mund përdoret ekografia ose një tjetër lloj skanimi imazherik për të ndihmuar në orientimin e gjilpërës drejt zonës së dëshiruar në ind. Pasi kryhet shpimi ajo zonë mbulohet me një fashë të pastër.

Si kryhet biopsia e lëkurës?

Kjo procedurë përdoret për të ekzaminuar nishanet, skuqjet ose lezione të tjera në lëkurën tuaj. Nëse zona është vetëm në sipërfaqen e lëkurës tuaj atëherë mjeku merr një mostër të vogël prej saj me anë të një brisku.

Rritjet më të thella mund të kenë nevojë për një procedurë të quajtur “punch biopsy”. Për të kryer këtë mjeku përdor një mjet të rrumbullakët me kufij të mprehtë për të marrë një mostër për ekzaminim.

Sipërfaqja prej së cilës duhet të marrim mostër për analizë pastrohet dhe mpihet me mjekim. Vetëm në fillim ndieni një shpim ose djegje, por asgjë më tepër se kaq. Pas përfundimit të procedurës vendi përreth ndërhyrjes mund të skuqet, por nuk do të ndieni dhimbjen. Për të parandaluar ndonjë infeksion dhe për të mbajtur lëkurën të ushqyer mund ta lyeni zonën e skuqur me pomadë. Kjo zonë mund të shërohet për rreth tre javë.

Cfarë është biopsia ekscizionale dhe incizionale dhe si kryhen?

Këto procedura janë gjerësisht të përdorura për të ekzaminuar zona të tilla që përfshijnë lëkurën, gjoksin, nyjet limfatike ose muskujt.

Biopsia ekscizionale shërben për heqjen për ekzaminim të një polipi të tërë ose një sipërfaqe të gjerë në lëkurë.

Biopsia Incizionale shërben për marrjen e një pjese të vogël por të thellë në lëkurë.

Për shembull, nëse mjeku dyshon se ju keni melanomë atëherë do të marrë të gjithë sipërfaqen e dyshuar për tumor, një pjesë të madhe nga lëkura juaj me anë të biopsisë excisionale. Në rastin e biopsisë inicsional do të merrej vetëm një pjesë e tumorit.

Nisur nga sipërfaqja dhe madhësia mjeku fillimisht do të bëjë mpirjen e zonës ose do t’ju jap  medikamente për t’ju përgjumur. Pas kësaj do të përdorë një bisturi të vogël të mprehtë për të marrë një mostër nga indi. Pas përfundimit të procedurës prerja do të qepet.

Kur medikamentet të fillojnë të humbasin efektin e tyre mpirës dhe përgjumës do të ndieni pakëz dhimbje dhe do të vini re një sasi shumë të vogël gjakderdhjeje. Në rast se ndieni shumë dhimbje apo shikoni se keni shumë gjakderdhje duhet të njoftoni mjekun menjëherë.

Biopsia endoskopike

Për të kryer këtë lloj biopsie përdoret një tub i gjatë e i hollë i cili është i pajisur me një kamerë në fund të tij. Kjo lloj biopsie e merr emërtimin pikërisht nga ky mekanizëm që përdoret i quajtur endoskop. Zbatimi i kësaj biopsie rekomandohet në rastet kur duhet ekzaminuar një pjesë në brendësi të trupit. Për shembull, mund të merren mostra indesh nga zorra, fshikëza ose mushkëritë.

Si kryhet biopsia endoskopike?

Procedura fillon me marrjen e medikamente gjumë-vënëse, më pas mjeku vendos endoskopin përmes gojës, zorrës së trashë ose traktit urinar, ose përmes një prerjeje të vogël në lëkurën tuaj. Kamera e udhëzon mjekun të shkojë pikërisht tek indi që duhet të ekzaminohet. Është një procedurë shumë e sigurtë, por megjithatë ekziston një risk i ulët për infeksion, gjakderdhje ose dëmtim të indit.

Biopsia e palcës kurrizore

Sëmundjet e gjakut dhe llojet e kancerit si limfoma ose mieloma  mund të prekin palcën tuaj kurrizore.

Në rastin e një biopsie të tillë mjeku përdor një gjilpërë të gjatë për të marrë një mostër të vogël nga palca kurrizore për t’u ekzaminuar në mikroskop. Pavarësisht aplikimit të medikamenteve mpirëse në zonën ku do të bëhet shpimi, gjatë procedurës mund të ndiheni jo fort rehat.

Kur është e nevojshme biopsia kirurgjikale

Nëse mjeku e shikon të nevojshme heqjen e një pjese më të madhe indi, tumori ose nyje limfatike për ta ekzaminuar, para fillimit të procedurës pacienti vihet në gjumë. Kjo procedurë duhet të kryhet në spital.

Në disa raste kryhet vetëm një prerje e vogël e më pas përdoret një tub me kamerë në fund të tij e cila udhëheq në rrugën drejt zonës së kërkuar nga mjeku. Kjo lloj biopsie kirurgjikale quhet biopsi laparoskopike.

Burimi: MIA CLINIC

No comments:

Post a Comment