Tuesday, December 1, 2020

Valdete Malaj: Si ndikojnë ilaçet për covid-19 në problemet e stomakut dhe a këshillohet marrja me tepricë e vitaminës C

Bisedoi: Desara Çela

Mjekja gastrohepatologe Valdete Malaj në Poliklinikën e Specialiteteve nr.3,  në një intervistë për Gazetën “Shëndet+”  tregon problemet e sistemit tretës që hasen më së  shumti në këtë periudhë të vitit.

Doktoresha, cilat janë problemet më të shpeshta shëndetësore gjatë kësaj periudhe dhe si ka ndikuar Covid-19?

Në stinën e vjeshtës dhe të dimrit problemet e aparatit tretës dhe në veçanti të stomakut ri-akutizohen. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe të “përballjes” me Covid-19, ka patur shtim të këtyre shqetësimeve pasi stresi jep efekt në aparatin tretës, në veçanti të stomakut dhe kolitit (Indirekt si pasojë e Covid mund të kemi acarime të stomakut dhe kolitit). Me stomakun lidhet drejtpërdrejt përdorimi i ilaçeve të shumta, mbingarkesat me vitamina, sidomos me vitaminën C dhe preparateve të tjera: antibiotikë, antiviralë, kortizonikë, sidomos  holluesit e gjakut. Këto preparate japin ngacmime të forta në stomak deri në hemorragji të stomakut. Së fundmi, po vihet re edhe diarrea e shfaqur direkt pas përdorimit të antibiotikëve.

Një tjetër shqetësim që kemi vënë re këtë periudhe, përsëri duke e lidhur me Covidin, kemi konstatuar dhe dëmtime te mëlçisë, të tipit transaminaza në vlera të larta. Kjo ka lidhje direkte me virusin dhe indirekt nga përdorimi i ilaceve të ndryshme.

Është e këshillueshme që të marrim kaq shumë vitamina C?

Edhe marrja e vitaminave do bilanc. Çdo tepricë me vitamina ka efektet e veta anësore. Çdo gjë duhet të merret në sasinë e duhur. E mira e marrjes së vitaminave dhe proteinave është që të merren nga ushqimet natyrale sesa të merret nga medikamentet, në varësi të situatës. Pacientët që kanë probleme me stomakun duhet gjithmonë të marrin mbrojtëse të stomakut. Marrja në tepricë e vitaminës C çon në acarimin e stomakut.

A mundet vetë individi ta kuptojë kur ka një dhimbje “jo problematike” stomaku,dhe kur ka një dhimbje shqetësuese për të cilën duhet të vijë patjetër tek mjeku?

Nuk mundemi! Dhimbjet e stomakut dhe te barkut në veçanti nuk është shumë e lehtë të trajtohen dhe te diagnostikohen në kushte shtëpie. Vetë mjeku ndonjëherë e ka të vështirë duke i patur ekzaminimet dhe analizat të bera për të përcaktuar shkakun e origjinës së dhimbjes. Pacientët me dhimbje barku asnjëherë nuk duhet të marrin vetë mjekim në kushte shtëpie, gjithmonë duhet ti drejtohen mjekut. Mjeku duke marrë një informacion të hollësishëm në lidhje me pacientin mund të japë një diagnozë. Ka shumë shkaqe të dhimbjes së stomakut dhe të barkut.

 

 

 

 

 

No comments:

Post a Comment