Gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar sërish 18 raste të reja me COVID19.
“Në Durrës janë identifikuar 7 raste në një fasoneri, kontakte të një rasti pozitiv. Janë 5 raste të reja në Berat, 4 raste në Tiranë dhe 2 në Krujë, të gjitha kontakte”, deklaroi Silva Bino, përgjegjëse e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik në komunikimin e përditshëm të Ministrisë së Shëndetësisë për situatën COVID19 në vend.
Duke ngritur shqetësimin për rritjen e rasteve pozitive në ditët e fundit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kërkoi nga qytetarët respektimin e rregullave për të mos u kthyer në gjendjen e mëparëshme.
“Ekspertët tanë e kanë thënë që në kryer të herës. Faza e lehtësimit merr kuptim vetëm nëse shoqërohet me një ulje të qëndrueshme të numrit të infektimeve. Plani i lehtësimit të masave varet vetëm nga bashkëpunimi me ju. Është e vërtetë që ndëshkimet nuk janë zgjidhja, por është po aq e vërtetë se nuk mund të penalizohet një popull i tërë nga një pakicë, veprimet e së cilës mund të shkaktojnë dëme të pallogaritshme”, tha Manastirliu.
Duke deklaruar se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbështet planin e hapjes dhe lehtësimin e masave, Manastirliu deklaroi se nëse do të vijojnë rritje të rasteve, sipas skenarëve, mund të përdoren frenat e emergjencës.
“Rritja në këto shifra e rasteve të reja është maksimumi i lejuar nga skenarët tanë të hapjes. Rritja e mëtejshme do të na detyronte të ndërmerrnim hapa të menjëhershëm për të mos lejuar një valë të dytë goditëse, që do të hidhte në erë atë që është arritur deri më sot. Nëse do të vazhdohet me tendencën përkeqësuese të ditëve të fundit, do të jemi të detyruar të bëjmë hapa pas. Dhe kjo nuk është në interes të askujt! Sigurisht nuk ka vend për alarm, por jemi në një moment ku kërkohet përgjegjshmëri nga çdo qytetar. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve është mbi gjithçka. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për planin e ri-hapjes”, tha Manastirliu.
Përditësimi i situatës së COVID19:
Në 24 orët të fundit janë testuar 219 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 18 qytetarë. Pjesa më e madhe e tyre janë kontake të rasteve të mëparshme, ndërkohë që vazhdon hetimi epidemiologjik në terren.
Në Durrës janë identifikuar 7 raste në një fasoneri, kontakte të një rasti pozitiv. Në Berat janë edhe 5 raste të reja; në Tiranë 4 raste dhe në Krujë 2 raste.
Këto të dhëna na tregojnë se ka shumë rëndësi të zbatohen rregullat nga të gjithë qytetarët, të mos e ulim vigjilencën. Kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë. Vetë bizneset duhet të respektojnë protokollet e përcaktuara për të ruajtur qytetarët dhe punonjësit.
Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme me 19 qytetarë të shtruar, prej të cilëve 4 janë në terapi intensive.
Ju informojme se deri tani janë kryer rreth 12 mijë testime dhe kanë kaluar 900 raste pozitive nga fillimi i epidemisë, ndërsa aktualisht janë 180 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz, Durrës dhe Berat.
Prandaj është vendi për një apel për të gjithë qytetarët: të respektojmë masat, të mos dalim nga shtëpia pa arsye të domosdoshme, të mos neglizhojmë shenjat e sëmundjes dhe duhet telefonuar 127 nëse keni shenja të Covid-19.
COVID-19 – Statistika (15 Maj 2020)
Testime totale 11988
Testime molekulare 11458
Testime serologjike 530
Raste pozitive 916
Raste të shëruara 705
Raste Aktive 180
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 77
Krujë 46
Shkodër 16
Kamëz 12
Berat 10
Durrës 9
Fier 5
Elbasan 2
Kurbin 1
Mirditë 1
Korçë 1
No comments:
Post a Comment