26 mjekë dhe infermierë në shërbimin e mjeksisë interne rezultojnë të infektuar me Covid 19 nga një kolege e tyre e cila po mbahet e shtruar prej 3 ditësh në spitalin Covid 1.
Infeksioni brenda këtij shërbimi është shtrirë edhe tek 14 pacientë të shtruar me patologji të rënda, c’ka referohet edhe në raportimet e dy ditëve të fundit të Ministrisë së Shëndetsisë.
Burime për News 24 pohojnë se pavarësisht infektimit në masë, shërbimi i mjekësisë interene nuk është mbyllur por vijon punën me staf të reduktuar që pas tamponit kanë rezultuar negativ. Ajo që mund të cilësohet një skandal më vete është fakti se mes pacientëve që vijojnë të marrin trajtim në shërbimin e kthyer në vatër infeksioni është edhe një i sëmurë rëndë me Covid 19 që për arsye të cilat nuk bëhen me dije nuk është transferuar në spitalin infektiv duke rrezikuar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.
Po si u përhap kaq shpejtë dhe kaq masivisht virusi vrasës në një nga shërbimet kryesore të spitalit më të madh në vend, një skenar që ngjan shumë me infektimin masiv në fund të muajit mars që preku gjerësisht stafin mjekësor dhe infermieror në spitalin “Shefqet Ndroqi” një javë para se ky spital të kthehej në Covid 2.
Burime nga mjekësia interne hedhin dyshime të forta se shkaku kryesor i përhapjes së virusit është mungesa e mjeteve mbrojtëse për personelin mjekësor dhe infermieror të këtij shërbimi si dhe ngarkesa e lartë virale që mund të ketë patur infermierja që konsiderohet si burimi i infeksionit viral.
Nga radhët e personelit të infektuar me covid 5 prej tyre janë transferuar në spitalin infektiv ndërsa të tjerët do të duhet të qëndrojnë në shtëpi deri në negativizim të plotë.
Burime të besueshme thanë për News 24 se testit të tamponit i janë nënshtruar dhe një numër i madh mjekësh dhe infermierësh nga shërbimet e tjera spitalore që kanë patur kontakte me personelin e infektuar dhe pacientët e shtruar në klinikën e sëmundjeve interne./ Burimi: Balkan Web
No comments:
Post a Comment