Kryeministri i vendit, Edi Rama nëpërmjet një komunikimi në Facebook njoftoi masat e reja të ndërmarra kundër COVID-19. Nisur nga shtimi i rasteve me COVID-19 dy ditët e fundit, Rama njoftoi se kufizimet në zonat e kuqe do të vazhdojnë akoma.
“Jemi në fazën e dytë, kemi akoma kufizime. Numrat po lëvizin sepse është rritur ekspozimi. Në zonat e kuqe do të ketë akoma kufizime. Transporti publik do të vazhdojë të jetë i mbyllur. Nuk nisin punën lokalet në ambientet e mbyllura. Do të vijojnë të mbyllura kinematë dhe palestrat”, njoftoi Rama.
“Duhet të flasim qartë mbi një moment që është jashtëzakonisht delikat kur po hapemi dhe po ekspozohemi natyrshëm çdo ditë e më shumë rrezikut të infektimit. Siç e ke parë, edhe ministrja e Shëndetësisë u detyrua të dalë në konferencën e përditshme, pikërisht për të lëshuar një mesazh të shkurtër dhe të qartë se, numrat po lëvizin. Lëvizja e numrave, nëse do të vazhdojë të jetë kështu, atëherë do të jetë një problem. Dua ta përsëris që në këtë situatë, secili prej nesh është vendimtar. Sjellja në raport me rregullat është decizive sepse në raport me hapjen nuk është një çështje ekskluzive e policisë apo autoriteteve, por është më shumë çështje e vetëdijes”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se duhet të bëhet shumë kujdes, pasi nuk është çudi që zonat e gjelbra të kthehen në kuqe, nëse numrat do të rriten.
“Do të mbetemi përsëri besnik të numrave në përcaktimin e zonave të gjelbra dhe të kuqe. Komiteti i ekspertëve sheh numrat dhe shumë elementë të tjerë. Nuk është aspak çudi që një zonë e gjelbër të rikthehet e kuqe, nëse numrat kërcejnë, ashtu si kundër një zonë e kuqe është normale të kthehet në një zonë të gjelbër nëse ruhet ky ekuilibër. Në kushtet e zonës së kuqe do të vijojmë të kemi disa kufizime. Fashot orare kanë rol në dekurajimin e daljeve të tepërta dhe quhen të tepërta daljet kur nuk janë të domosdoshme. Nëse nuk kemi fashon orare, i bie që baret dhe restorantet të rrinë hapur në këtë kohë të bukur dhe pastaj stimulojmë gjëra që nuk mund të stimulohen në këtë moment”.
No comments:
Post a Comment