Dy javë pas rikthimit në normalitet, në spitalin “Shefqet Ndroqi” janë zbuluar dy raste të reja me Covid-19. Gazetari Erjon Skëndaj raporton për “BalkanWeb” se bëhet fjalë për dy pacientë të shtruar, një prej të cilëve,, një grua 80-vjecare ka ndërruar jetë mëngjesin e ditës së enjte.
Sipas gazetarit Skëndaj, rastet nuk janë bërë me dije nga Ministria e Shëndetësisë, pasi në buletinin e përditësuar të 24 orëve të fundit, ministria thotë se janë 23 raste të reja me Covid, prej tyre 2 punonjës personel mjekësor, por nuk përmendet asnjë rast vdekjeje nga Covid-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”, dhe as transferimi i një prej pacientëve në shërbimin Infektiv.
Burime të besueshme nga Sanatoriumi bëjnë me dije se 80-vjeçarja ka qenë shtruar për një periudhë të gjatë në shërbimin e sëmundjeve interne dhe ka dalë nga ky spital 10 ditë më parë.
Por, një javë më pas gruaja është rikthyer sërish për të njëjtën sëmundje të diagnostikuar më herët; fibrozë në mushkëri, këtë herë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, pas rikthimit në normalitet. Gjendja shëndetësore e 80-vjeçares ka qenë tejet e rënduar dhe pas 24 orëve ajo ka ndërruar jetë mëngjesin e të enjtes.
Askush nga mjekët nuk ka qenë në dijeni se gruaja vuante edhe nga Covid-19, derisa analiza e tamponit doli pozitive. Ndërkohë, rasti i dytë i zbuluar me Sars Cov2 në të njëjtin spital, një pacient i shtruar në pavion, është transferuar mbrëmjen e djeshme në Spitalin Infektiv.
No comments:
Post a Comment