Tuesday, May 19, 2020

Prindërimi gjatë pandemisë COVID-19: Këshilla për të ruajtur qetësinë në shtëpi

Frika, pasiguria dhe izolimi në shtëpi për të parandaluar përhapjen e COVID-19 e kanë bërë të vështirë për shumë familje që të ruajnë qetësinë në shtëpi. Por është shumë e rëndësishme që t’i ndihmoni fëmijët të ndihen të sigurt, të kryejnë aktivitetet e përditshme që i ndihmojnë në zhvillimin e tyre fizik dhe mendor, si dhe të menaxhojnë dhe kontrollojnë sjelljet e tyre.

Adresoni frikërat e fëmijëve

Fëmijët kanë besim tek prindërit që do t’i mbrojnë ata, si fizikisht ashtu edhe nga ana emocionale. Siguroni fëmijët që do t’i mbroni dhe do ta kaloni gjithë këtë situatë bashkë si familje.

Përgjigjuni pyetjeve të fëmijëve rreth pandemisë thjesht dhe pa gënjeshtra. Flisni me fëmijën për çdo lajm të frikshëm që mund të kenë dëgjuar. Mund t’i thuash që njerëzit po sëmuren, por që duke ndjekur rregulla si larja e duarve dhe qëndrimi në shtëpi, na ndihmon që të jemi të shëndetshëm dhe të mbrohemi nga sëmundja.

Kushtojini vëmendje gjendjes emocionale të fëmijës: Me shumë qetësi mund t’i thoni, për shembull: “E kuptoj që je i mërzitur sepse nuk mund të takosh shokët”. Duke i udhëzuar nëpërmjet pyetjeve do t’i ndihmoni fëmijët dhe adoleshentët që ta kojnë këtë situatë (E di që është e mërzitshme pamundësia për të dalë me shokët. Si mendon se mund të mbani kontakte nga larg?).

Mbani kontakte me familjarët. Fëmijët mund të jenë duke u shqetësuar edhe për gjyshin i cili po jetë vetëm ose ndonjë shok i cili është më i rrezikuar që të preket nga COVID-19. Komunikimet me video do t’ju ndihmojnë të lehtësoni ankthin dhe mërzinë.

Jini një shembull i mirë, edhe kur flitet për menaxhimin e ndjesive si ankthi dhe stresi i të qenët larg nga njerëzit. (“Jam e shqetësuar për nënën sepse nuk mund ta takoj. Por që mund të flasë me të në telefon. Do ta telefonoj çdo mëngjes dhe mbrëmje derisa kjo gjendje të mbarojë”).

Njoftojeni fëmijën kur dilni nga shtëpia për punë ose Pazar. Me zë të qetë dhe bindës, i tregoni ku po shkoni, sa gjatë do të rrini, kur do të ktheheni dhe që do të merrni masa për të qenë të sigurt nga ana shëndetësore.

U shprehni dashurinë më shumë, i përqafoni dhe mbajini sa më shumë afër.

Parime për disiplinën pozitive

Të gjithë jemi më të shqetësuar dhe më në ankth gjatë kësaj kohe. Fëmijët e vegjël mund të mos i shprehin këto ndjesi me fjalë, por që reagojnë në mënyra të ndryshme dhe sjellje që mund t’i shqetësojnë apo stresojnë prindërit, të cilët janë gjithashtu më të stresuar nga situata. Adoleshentët dhe të rinjtë mund të jenë gjithashtu më të stresuar dhe të mërzitur sepse nuk mund të dalin me shokët, nuk mund të kryejnë aktivitetet e përditshme etj.

Si mund t’i ndihmoni fëmijët të kontrollojnë emocionet dhe sjelljet e tyre:

Modeloni sjellje për fëmijën: Në disa raste fëmijët sillen keq sepse janë të mërzitur dhe nuk dinë çfarë të bëjnë. Gjeni diçka tjetër për të bërë me ta.

Argëtohuni me fëmijët – Kushtojini vëmendje të plotë fëmijëve, luani me ta, argëtohuni. U sugjeroni që të pikturojnë, të bëjnë vizatime si po e kalojnë kohën në shtëpi dhe të sigurt.

U tërhiqni vëmendjen për sjelljet e gabuara dhe vini në dukje kur ata sillen mirë, kur përpiqen, apo arrijnë të bëjnë diçka mirë.

Shihni për mundësi, sidomos në mes të një krize, që fëmija të ekzaminojë dhe menaxhojë sjelljen e tij në mënyrë më të pavarur. Zëvendësoni shprehjen “S’duhet ta kishe bërë këtë” me “E kuptove çfarë bëre?” Zëvendësoni “Ti i vrave ndjenjat e tij” me “A e di se si ndjehet ai tani?” Këto diferenca i tregojnë fëmijës se ju i besoni atij dhe se ai mund t’i riparojë vetë gabimet e veta. Ju nuk po e braktisni atë, por po e lini që të vlerësojë aftësitë dhe potencialet e veta të reja.

I vlerësoni dhe shpërbleni për sjelljet e mira (kur përfundojnë detyrat e shkollës, luajnë me motrën ose vëllain) që nuk do ta bënit normalisht gjatë periudhave më pak stresuese siç është tashmë si pasojë e pandemisë COVID-19.

Jepi vëmendje individuale! Edhe pse jeni gjatë gjithë kohës bashkë 24 orë në 7 ditë, kushtojini një kohë speciale çdo fëmije. Ju përcaktoni kohës, fëmija zgjedh çfarë do të bëjë. Sikur edhe 20 minuta t’i kushtoni një vëmendje totale, do të thotë shumë për fëmijën tuaj.  

Si ta menaxhojë sjelljen agresive të fëmijës tim?

  • Trego dashuri për të në mënyrë konsistente!
  • Jepi vëmendje individuale!
  • Lexo, flit, dhe trego ngjarje!
  • Luaj me fëmijën dhe ji konsistent me rregullat!
  • Asnjëherë mos injoro një situatë, ku fëmija nuk i bindet rregullave!
  • Ul ekspozimin ndaj dhunës!
  • Monitoro kohën dhe programet që sheh fëmija në TV!
  • Mësojini fëmijët të mos jenë viktima!
  • Mësojini fëmijët ndaj të cilëve është drejtuar dhuna të thonë “Kjo të dhemb”!
  • Më pas shpenzo kohë me fëmijën, në mënyrë që të shprehi ndjenjat dhe zgjidheni konfliktin bashkë!
  • Mos e lejoni sjelljen agresive!
  • Jepini fëmijës shembuj se si të jetë ndihmues me duart e tij (duart janë për … jo për…)!.
  • Vendos rregullin duke thënë “Nuk lejohet goditja”!

Disa situata kërkojnë ndihmë profesionale. Disa shenja mund të jenë: agresivitet i shpeshtë me të tjerët; nuk ndjek udhëzimet, nuk të dëgjon; nuk duket i lidhur me ty e nuk të sheh në sy apo prek; kërkon gjithnjë programe me dhunë në TV etj.

MESAZHET PËR PRINDIN

  • Pranoje dhe respektoje fëmijën!
  • Bisedo me fëmijën, mos i bërtit!
  • Udhëheq fëmijën me dashuri dhe mbështetje!
  • Merr pjesë në aktivitete të përbashkëta me fëmijën!
  • Krijo një mjedis stimulues për të luajtur, mësuar dhe zhvilluar një fëmijë!
  • Inkurajo fëmijën!
  • Mëso më shumë rreth zhvillimit të fëmijës. Fëmijët kanë nevojë për ndihmë dhe përkrahje, jo dënim.
  • Respektoni të drejtat e fëmijës dhe personalitetin e tij.
  • Fëmijët mësojnë prej jush, bëhuni shembull i mirë.
  • Fëmijët mësojnë kufijtë kur jemi të sinqertë, të drejtë dhe të qëndrueshëm.

*Ky artikull u zhvillua nga Together for Life në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi nëpërmjet edukimit gjithëpërfshirës”, i cili zbatohet në kuadër të skemës së granteve të vogla të projektit “Promovimi i të drejtave të njeriut nëpërmjet arsimit gjithëpërfshirës dhe fuqizimit të Organizatave të Shoqërisë Civile Lokale” i financuar nga BE dhe i zbatuar nga “Shoqata Internacionale për Solidaritetin në partneritet me Fondacionin AVSI dhe shoqatën Gruaja në Zhvillim Shkodër.

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE”.

No comments:

Post a Comment