Mjeku Erion Dasho ka bërë sot një status në rrjete sociale, me informacion mjaft të vlefshëm për t’u lexuar.
Premtova të mos bëj më statuse për epideminë ndaj COVID-19 dhe nuk do të merrem më me të. Sot do të shkruaj diçka rreth mësimeve që duhet të nxjerrim nga përvoja e këtyre javëve.
Për mendimin tim, COVID-19 së shpejti do të kthehet në një problem shëndetësor rutinë. Shumë të dhëna flasin se vdekshmëria dhe rrezikshmëria nuk është ajo që u mendua në fillim të epidemisë. Studimi i djeshën në New York dhe shumë studime që pritet të dalin në ditët në vijim do ta sqarojnë këtë përfundimisht.
Por, virusi SARS-CoV-2 mbetet në popullatën njerëzore dhe tre kategori do të vazhdojnë të jenë të rrezikuar prej tij: 1) personat mbi 65 vjeç (ndoshta mund të ulet ky prag deri në 55 vjeç kur të kuptohen më mirë dinamikat e sëmundjes), 2) personat e prekur nga sëmundje kronike dhe 3) personeli shëndetësor.
Këto kategori, edhe gjatë stinës së verës dhe (sipas mendimit tim) deri sa të zbulohet vaksina duhet të vazhdojnë të mbrohen. Jo me ekzagjerimet e këtyre ditëve, por higjiena e duarve, mbajtja KORREKTE e maskës në mjedise të mbyllura, evitimi i vendeve ku grumbullohen shumë njerëz (kinema. koncerte dhe, ndoshta, edhe stadiume), duhet të vazhdojë. Ndryshe rreziku për ta nuk është i vogël si për të tjerët.
Mbi të gjitha, ajo që këto kategori të rrezikuara mësuan nga COVID-19 duhet të vlejë edhe për sëmundje të tjera të ngjashme!
Sa herë ka viroza të stinës, higjiena e duarve, mbajtja e maskës dhe evitimi i vend-grumbullimeve duhet të kthehet në një praktikë për të gjithë personat që i përkasin kategorive në rrezik. Ajo që na rikujtoi COVID-19 është se edhe gripi dhe virozat e tjera vrasin. Ndoshta jo aq sa COVID, por ata që janë të rrezikuar prej tyre duhet të mbrojnë veten, për të patur një jetë më të shëndetshme dhe më të gjatë.
No comments:
Post a Comment