30 respiratorë të rinj i shtohen kapaciteteve publike, falë mbështetjes nga qeveritë e Zvicrës dhe Norvegjisë si dhe nga PNUD, zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.
Të pranishëm në ceremoninë e dorëzimit ishin Ambasadori Norvegjez në Shqipëri Jens Erik Grondahl, Zëvëndës Shefi i Misionit në Ambasadën e Zvicrës Patrik Meier, si dhe Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD Limya Eltayeb.
“Dua të them që jam shumë i lumtur të shoh që këto respiratorë kanë ardhur në Shqipëri. Kam dëgjuar që këto janë saktësisht pajisjet që ju keni nevojë. Në kohë pandemie solidariteti dhe bashkëpunimi ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm”, tha Ambasadori Norvegjez në Shqipëri Jens Erik Grondahl.
“Përgëzoj të gjithë ne këtu, sepse pandemitë si këto kanë nevoje për të pasur një qasje të përbashkët. Zvicra ka qenë aktive në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri për një kohë të gjatë. Ne duam vërtet të vazhdojmë të ndihmojmë qeverinë shqiptare dhe të fuqizojmë sektorin shëndetësor”, tha Shefi i Misionit në Ambasadën e Zvicrës Patrik Meier.
“Ne duhet të qëndrojmë të gjithë shumë vigjilentë, ne të gjithë kemi përgjegjësi si komunitet ndërkombëtar por çdo qytetar ka përgjegjësitë e veta. Pandemia nuk ka mbaruar akoma. Unë mendoj se duhet të shkojmë përtej solidaritetit, pasi siç e kam thënë askush nuk është i sigurtë, derisa të gjithë të jenë të sigurtë”, tha Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD Limya Eltayeb.
Qeveria Zvicerane ka dhuruar 330,000 Dollarë, Qeveria Norvegjeze 3,000,000 Kruna Norvegjeze (afërsisht 300,000 Dollarë) dhe PNUD 150,000 Dollarë.
“Një pjesë e respiratorëve do të jenë për fuqizimin e shërbimit të terapisë intensive në Spitalin Infektiv, një pjesë në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe do të vijojmë të fuqizojmë edhe kapacitetet për sa i përket spitaleve të tjera të cilat ne i kemi cilësuar si spitale Covid”, deklaroi Manastirliu gjatë marrjes në dorëzim të respiratorëve të rinj.
Gjatë fjalës saj Manastirliu ka apeluar që qytetarët të respektojnë rregullat e vendosura si e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen e virusit.
“Është shumë e rëndësishme të ruajmë dhe të respektojmë ato masa të thjeshta, në dukje të thjeshta, por që duhet të bëhen pjesë e jetës tonë, që është distancimi fizik, që është ruajtja e higjienës personale, mbajtja patjetër e maskave kur nuk është e mundur të ruhet distancimi fizik”, tha Manastirliu.
No comments:
Post a Comment