Ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha në një intervistë për Euronews Albania se sjellja e deritanishme e virusit COVID-19 është e paparashikueshme, çka e bën të pamundur hartimin e planeve për atë se çfarë mund të ndodhë në shtator, por shtoi se nga ana e qeverisë janë duke u ndërtuar të gjithë skenarët e mundshëm që nga shëndetësia deri arsimi.
“Ky virus është i paparashikueshëm dhe ne nuk mund të bëjmë dot plane afatgjatë dhe afatmesëm. Por ajo çka ne ndërtojmë janë skenarë të bazuar mbi projeksione.
Ne jemi duke punuar fort që sa i përket shëndetësisë të kemi gati skenarët edhe për më të keqen, duke shpresuar gjithmonë më të mirën.
Por gjithashtu edhe për shkollat, për t’ju përgjigjur jo vetëm me mësimin në shkolla, por edhe me mësimin online dhe për të gjitha ato aktivitete që janë të nevojshme, por që nëse do të duhet të përballemi me një vështirësi, duhet t’i përgjigjemi me një alternim të shërbimeve.
Për riizolimin nuk mund të them sot, sepse situata është shumë dinamike dhe nëse një vaksinë do të zbulohet do të jetë shumë më e lehtë.
Në rast të mungesës së një vaksine, masat e distancimin fizik, maskat, higjiena personale do të vazhdojnë të jenë masa që do të kenë shumë vlerë, si e vetmja armë që kemi në dorë kundër virusit”, tha ministrja në Ilva Now.
E pyetur lidhur me infektimet e ndodhura së fundmi në QSUT, ministrja refuzoi t’i quante ato mungesë të vigjilencës në gjithë sistemin, por raste sporadike të cilat sipas saj nuk kanë munguar as në spitalet e vendeve më të zhvilluara si Italia e Gjermania, ndërsa siguroi se mjetet mbrojtëse për të garantuar sigurinë e mjekëve dhe infermierëve jo vetëm nuk kanë munguar, por kanë ardhur duke u shtuar.
Ministrja Manastirliu siguroi se sistemi shëndetësor në Shqipëri ka furnizimet e duhura sa i përket tamponëve për COVID-19, ndërsa e lidhi numrit e vogël të testimeve që kryhen në vendin tonë me atë që e cilësoi ‘smart testing’ apo testim sipas një strategjie.
“Ne kemi furnizim të tamponëve në vazhdim. Kemi synuar të kemi sasi të testimeve, por edhe cilësi. Nuk është vetëm çështja e testimit në vetvete. Por është edhe ‘smart testing’; ne testojmë për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit. Nuk do të ketë mungesë të testimeve molekulare dhe po hapim një laborator për testim molekular në QSUT. Kemi një plan për ta shtrirë, por po bëjmë testim, sipas një strategjie për të këputur zinxhirin e infeksionit”, tha ministrja e Shëndetësisë.
E pyetur lidhur me mundësinë e një riizolimi të vendit pas mëdyshjes së BE për të hapur kufijtë më 1 korrik apo vendimit të Malit të Zi për të mbyllur kufijtë me Shqipërinë, znj. Manastirliu tha se ky është një vendim që i takon vendeve të BE dhe që merret mbi kritere vetëm epidemiologjike, bazuar në rastet ditore të javës së fundit.
“Ka kritere epidemiologjike që vlerësohen nga institucione ndërkombëtare si OBSH etj., që kanë dhënë kriteret kur një vend quhet me risk të lartë. Me risk të lartë janë ato vende që kanë mbi 50 rast për 100 mijë banorë për javën e fundit.
Ne nuk hyjmë tek këto vende, madje mund të përmirësohemi nëse kemi më shumë kujdes, por patjetër që do të ketë një rivlerësim për kriterin epidemiologjik”, tha ministrja.
No comments:
Post a Comment