Një veprim urgjent, i përshpejtuar i nevojshëm për të ndaluar martesën e fëmijëve, përzgjedhjen e seksit të fëmijës (preferencën për djalë) dhe praktikat e tjera që dëmtojnë gratë dhe vajzat, sipas raportit të ri të UNFPA.
30 qershor 2020 – Çdo vit, miliona vajza në të gjithë botën u nënshtrohen praktikave që i dëmtojnë ato fizikisht dhe emocionalisht, me njohuri dhe pëlqim të plotë të familjeve, miqve dhe komuniteteve të tyre, sipas Raportit “Gjendja e Popullsisë së Botës 2020”, prezantuar sot nga UNFPA, agjensia e Kombeve të Bashkuara për shëndetin seksual dhe riprodhues.
Të paktën 19 praktika të dëmshme që ne njohim, duke filluar nga hekurosja e gjirit deri tek testimi i virgjërisë, konsiderohen shkelje të të drejtave të njeriut, sipas raportit të UNFPA, i cili përqendrohet në tre ato më të përhapurat: gjymtimi i organeve gjenitale të femrave, martesa e hershme / e fëmijëve dhe paragjykimet ekstreme ndaj vajzave në favor të djemve.
“Praktikat e dëmshme kundër vajzave shkaktojnë një traumë të thellë dhe afatgjatë, duke ua hequr atyre të drejtën për të arritur potencialin e tyre të plotë,” deklaroi Drejtoresha Ekzekutive e UNFPA-së, Dr. Natalia Kanem.
Këtë vit, rreth 4.1 milionë vajza i janë nënshtruar gjymtimit të organeve gjenitale. Sot, 33,000 vajza nën moshën 18 vjeç detyrohen të martohen, zakonisht me burra shumë më të moshuar. Gjithashtu, një preferencë ekstreme për djemtë përkundrejt vajzave në disa vende ka nxitur përzgjedhjen e seksit të njëanshëm të gjinisë ose një neglizhencë ekstreme, që çon në vdekjen e fëmijëve apo rezulton në 140 milionë «femra të humbura».
Në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, martesa e fëmijëve është përgjithësisht e paligjshme dhe në përgjithësi në rënie, por përsëri praktikohet gjerësisht në pjesë të rajonit (deri në 15% të grave ishin martuar para moshës 18 vjeç në disa vende; dhe në disa komunitete një në dy gra ishte martuar herët në moshë fëminore).
Preferenca për djemtë mbetet gjithashtu e zakonshme në Evropën Lindore, përfshirë Shqipërinë, dhe rajonin e Azisë Qendrore, duke rezultuar në raporte të pabalancuara të lindjeve midis djemve dhe në një pjesë të Kaukazit të Jugut dhe Evropës Juglindore, pasi atje lindin më shumë djem se vajza.
Vendet që kanë ratifikuar traktatet ndërkombëtare, siç është Konventa për të Drejtat e Fëmijëve, kanë për detyrë t’i japin fund këtyre praktikave të dëmshme. Shumë prej tyre janë përgjigjur me hartime ligjesh, por vetëm ligjet nuk janë të mjaftueshme.
Dekada të tëra përvoje dhe hulumtimi tregojnë se qasjet nga poshtë-lart që vijnë nga komunitetet dhe grupet në terren janë më të mira për të sjellë ndryshime, thuhet në raportin e UNFPA.
“Këto praktika të dëmshme kanë një shkak thelbësor të përbashkët: nënvlerësimin e përhapur dhe të vazhdueshëm të vajzave dhe grave,” thotë Alanna Armitage, Drejtoresha Rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore. “Por ne po shohim që normat sociale po zhvendosen në drejtimin e duhur dhe ekziston një mundësi e vërtetë që të punojmë së bashku – qeveri, shoqëri civile, influencues dhe persona model për t’u ndjekur – ne mund t’i ndalojmë praktikat që dëmtojnë vajzat, duke i lënë pas si një gjë e së kaluarës.”
Programet për të ndryshuar normat diskriminuese sociale janë efektive në eliminimin e praktikave të dëmshme, por ato nuk duhet të përqendrohen vetëm në këto praktika. Përkundrazi, ato duhet të adresojnë çështje më të gjera që ndikojnë në pozicionin e varësisë së grave dhe vajzave, të drejtat e tyre të njeriut dhe përmirësimin e statusit të tyre dhe aksesit në oportunitete dhe mundësi, thuhet në raport.
Në përgjithësi, ndalimi i martesës së fëmijëve dhe gjymtimit të organeve gjenitale femërore në të gjithë botën është e mundur brenda 10 viteve, duke rritur përpjekjet për t’i mbajtur vajzat në shkollë më gjatë dhe për t’u mësuar atyre aftësi jetësore, si edhe duke angazhuar burrat dhe djemtë në ndryshimet shoqërore. Investimet që kapin shumën prej 3.4 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2030, do t’i jepnin fund këtyre dy praktikave të dëmshme dhe do t’i jepnin fund vuajtjes së rreth 84 milion vajzave, tregon raporti.
Ndërsa është arritur përparim në ndalimin e disa praktikave të dëmshme në të gjithë botën, pandemia COVID-19 kërcënon të ndikojë negativisht. Një analizë e kohëve të fundit zbuloi se nëse shërbimet dhe programet mbeten të mbyllura për gjashtë muaj, një shtesë prej 13 milionë vajzash mund të detyrohen të martohen dhe 2 milionë vajza të tjera mund t’i nënshtrohen gjymtimit të organeve gjenitale femërore nga tani deri në 2030.
Pandemia mund të rrisë rrezikun e martesave të detyruara e në moshë të hershme si një strategji për të zvogëluar barrën ekonomike në familje. Dhe bllokimet, mbylljet e shkollave dhe kufizimet e lëvizjes po prishin rutinat e vajzave adoleshente dhe sistemet e tyre mbështetëse.
“Pandemia vë më shumë vajza në rrezik dhe kërcënon të minojë përparimin që kemi bërë,” thotë Armitage. “Ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të siguruar që vajzat kudo ku janë, të jenë plotësisht në gjendje të gëzojnë të drejtat e tyre, të bëjnë zgjedhje për jetën e tyre dhe trupat e tyre.”
Combatting the under-valuing of girls in Eastern Europe & Central Asia
Posted by UNFPA Eastern Europe & Central Asia on Tuesday, June 30, 2020
No comments:
Post a Comment