Vetëm 24 orët e fundit (11 qershor 2020), 9 personel mjekësor kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, ndërkohë që vazhdojnë të shënohen raste të të infektuarish mes qytetarëve pas daljes nga QSUT (e fundit ishte rasti i qytetarëve nga Divjaka që kanë rezultuar pozitivë pas daljes nga spitali në Tiranë).
Duke marrë shkas nga kjo, eksperti Erion Dasho, nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook, ka shtruar dy pyetje për Komitetin e Ekspertë:“Çfarë masash janë marrë për t’i rikthyer spitalet në vende ku ofrohet kujdes shëndetësor dhe jo në vende të rrezikshme për t’u infektuar nga COVID? dhe “Në kushtet kur rritja e numrit të rasteve ka krijuar shqetësim midis qytetarëve, a ka vend për shqetësim në situatën aktuale epidemiologjike?
*Lexoni shkrimin e plotë nga Erion Dasho
Dy pyetje për Komitetin e Ekspertëve
Secila nga tre ditët e fundit ka thyer rekordin negativ të numrit ditor të rasteve të diagnostikuara me COVID. Duke mos patur një hetim epidemiologjik transparent mbi rrugët e dyshuara apo të provuara të infektimit (supozohet se rasti i parë në Gjirokastër është infektuar në QSUT), ne si qytetarë mund të ngrejmë thjesht hipoteza.
Hipoteza e parë është se institucionet shëndetësore janë kthyer tashmë në vatra të transmetimit të COVID. Pyetja për kolegët e Komitetit është:
ÇFARË MASASH JANË MARRË PËR T’I RIKTHYER SPITALET NË VENDE KU OFROHET KUJDES SHËNDETËSOR DHE JO NË VENDE TË RREZIKSHME PËR T’U INFEKTUAR NGA COVID?
Hipteza e dytë është se Komiteti i Ekspertëve nuk është i shqetësuar për rritjen e numrin të rasteve dhe e konsideron atë normale. Kjo sepse nuk ka patur ndonjë mbledhje, marrje masash, lëshim urdhëresash, etj.
NË KUSHTET KUR RRITJA E NUMRIT TË RASTEVE KA KRIJUAR SHQETËSIM MIDIS QYTETARËVE, FTOJ KOLEGËT TË NA SQAROJNË: A KA VEND PËR SHQETËSIM NË SITUATËN AKTUALE EPIDEMIOLOGJIKE?
Mendoj se, si qytetarë që kemi bërë një sakrificë tre mujore duke u izoluar fizikisht në përputhje me urdhërat e deri para pak ditëve, kemi të drejtë për të marrë përgjigje për dy pyetjet e mësipërme.
No comments:
Post a Comment