Thursday, March 26, 2020

OBSH rekomandon marrjen e 6 masave kryesore nga qeveritë, njëra prej tyre shtimi i testimeve

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus, u shpreh në një konferencë për shtyp të mbajtur në Gjenevë, se vendet që kanë ndërmarrë politika kufizuese për qytetarët e tyre kanë krijuar një hapsirë që i jep kohë për veprim dhe kjo hapsirë duhet përdorur.

Sipas tij, ekzistojnë gjashtë veprime kryesore që OBSH rekomandon e ku përfshihen vendosja në dispozicion e fuqisë punëtore, gjetja e çdo rasti të dyshuar, rritja e testimeve etj.

“Ekzistojnë gjashtë veprime kryesore që ne rekomandojmë:

Së pari, zgjeroni, trajnoni dhe vendosni në dispozicion të gjithë fuqinë punëtore të kujdesit shëndetësor dhe shëndetit publik;

Së dyti, zbatoni një sistem për të gjetur çdo rast të dyshuar në nivel e komuniteti;

Së treti, rritni prodhimin, kapacitetin dhe disponueshmërinë e testeve;

Së katërti, identifikoni, adaptoni dhe pajisni infrastukturën që do të përdorni për të trajtuar dhe izoluar pacientët;

Së pesti, zhvilloni një plan dhe proces të qartë për të karantinuar kontaktet;

Dhe e gjashta, përqendroni të gjithë qeverinë në shtypjen dhe kontrollin e COVID-19. Këto masa janë mënyra më e mirë për të shtypur dhe ndaluar transmetimin, në mënyrë që kur të hiqen kufizimet, virusi mos të rishfaqet”, tha kreu i OBSH-së.

“Koha për të vepruar në të vërtetë duhet të kishte ndodhur një muaj më parë, dy muaj më parë… por ne ende besojmë se ka mundësi që ta kontrollojmë situatën. Kjo është mundësia e dytë, nga e cila nuk duhet të heqim dorë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta ndaluar përhapjen e virusit. Kjo është një përgjegjësi për të gjithë ne – veçanërisht për udhëheqësit e politikës”, shtoi Tedros.

No comments:

Post a Comment