Friday, March 27, 2020

Shkon në 86 numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë

Edhe shtatë raste të reja janë regjistruar me virusin COVID-19 në Kosovë. Instituti i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka bërë të ditur se edhe shtatë raste të reja me koronavirus janë regjistruar në vend. Kështu ka shkuar në 86 numri i të infektuarve. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë brenda.

Janë konfirmuar edhe shtatë raste të reja me koronavirus në Kosovë. Këtë e ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Sipas njoftimit të gjitha rastet janë nga Malisheva.

‘Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar edhe 25 mostra nga Malisheva prej të cilëve 7 rezultuan pozitive. Të gjitha rastet janë të njohura, të kontaktuara dhe në vetëizolim. Ekipet e IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome”, thuhet në njoftim.

Instituti iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’iu përmbahen rekomandimeve dhe të mos dalin nga shtëpia.

“Në Prishtinë po vërehen dalje masive në orët e lira të lëvizjes. Grumbuj të njerëzve që po rrezikojnë veten dhe të gjithëve! Ju lutem kini kujdes se mund të shkaktoni shpërthim epidemik në kryeqytet. Shikoni ju lutem valën epidemike në shtetet e Europës, veni gishtin në kokë dhe mendoni. Mos pengoni ekipet e Institutit me pyetje të cilat i keni mësuar tashmë nga rekomandimet e Instituti Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Na ndihmoni ta kryejmë punën sublime por mundohuni të zbatoni secili detyrën e juaj duke ruajtur shëndetin tuaj”.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë brenda, madje edhe në kohën kur lejohet lëvizja, përveç rasteve kur kanë nevojë për ndihmë mjekësore, ose për tu furnizuar.

Vitia ka thënë se edhe sot do të kenë një takim me ministrat e tjerë, në mënyrë që të shqyrtojnë edhe njëherë sesi të ndryshojnë orarin e lëvizjes, kjo pasi në këto orët kur lejohet dalja jashtë, kanë filluar të krijohen tollovi.

“Dje kemi pasur një takim me z. Svecla, sot kemi edhe me ministrat e tjerë në ora 15:00, ku do të shohim si të reagojmë dhe si të marrim masa të reja. Por, si institucion mund të shohim se cila është më e mira, prandaj do të bëjmë edhe një takim për të parë sesi do të reagojmë. E shfrytëzoj rastin të bëj apel, edhe kur janë orët kur mund të lëvizni, mos dilni pa pasur një domosdoshmëri, qoftë për tu furnizuar, qoftë për ndonjë ndihmë mjekësore, përndryshe po e përsëris prapë atë që ka thënë profesori Ramadani ‘virusi nuk ka këmbë, ne i japim këmbët virusit për të dal jashtë’, e pastaj e sjellim edhe të familjarët”.

Ministri i Shëndetësisë ka lutur të gjithë qytetarët që të tregohen solidar më njëri-tjetrin, me veten e familjarët, sepse siç tha ai mënyra më e mirë për të tejkaluar këtë situatë është qëndrimi në shtëpi.

Kurse, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani ka bërë sot thirrje të gjithë qytetarëve që t’i zbatojnë rekomandimet e IKSHP-së në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë në kontroll, në të kundërtën sipas tij, do të jemi si në shtetet e Evropës ku situata nuk është nën kontroll.

Ramadani tha se ekipi kryesor shëndetësore i shtetit nuk mund të komunikojë me secilin individ, pasi sipas tij, puna aktuale e tyre është tepër e madhe.

“Qëndroni në shtëpi, pushoni. Zbatoni rekomandimet, përndryshe rreziku është për të gjithë ne”.

Ai tha se rastet e fundit, të së enjtes janë raste të kontaktit, me përjashtim të njërit i cili për shkak të punës dhe kontakteve të shumta nuk e dinë nga e ka marr virusin.

No comments:

Post a Comment