Dr. Euglent Hoxha, mjek Onko-Obsteter/Gjinekolog pranë Shërbimit Onkologjik
- Çfarë është kanceri i qafës së mitrës dhe si paraqitet tendenca e kësaj diagnoze në Shqipëri?
Kanceri i qafës së mitrës është një patologji malinje që merr origjinën nga qelizat epiteliale ose të mbulesës së qafës së mitrës dhe të kanalit të saj, të cilat shkaktojnë dy lloj kancerash: Karcinoma Skuamoze dhe Adeno Karcinoma e qafës së mitrës. Tendenca e kësaj sëmundje në Shqipëri ka prej disa vitesh një nivel pothuajse rreth 100 raste të reja në vit. Por ndryshe nga vendet e tjera të zhvilluara, në Shqipëri kjo lloj sëmundje diagnostikohet në stade të avancuara dhe shkakun do ta themi më poshtë.
- Nga se shkaktohet, simptomat dhe si trajtohet kanceri i qafës së mitrës?
Kanceri i qafës së mitrës si shkaktar kryesor të përcaktuar sot ka infeksionet nga Human papiloma Virus, HPV. Ndodh kryesisht në moshën e re, me pak se 18 vjeç dhe pas lindjes së fëmijës së parë. Shkaktar të tjerë që ndikojnë ose rrisin mundësinë e shfaqjes së kësaj sëmundje kanë të bëjnë me kontaktet seksuale në moshë të hershme, partnerë të shumtë seksual, përdorimi i kontraceptivëve, konsumimi i duhanit, pakujdesi në higjenën personale, kushtet e vështira sociale – ekonomike.
Përsa i përket trajtimit të kancerit të qafës së mitrës, ai ndryshon në varësi të kohës kur diagnostikohet apo e thënë në terma mjekësore, në varësi të stadit. Sa më i hershëm është stadi aq më i efektshëm është edhe trajtimi. Në stadet e hershme primar është trajtimi kirurgjikal ndërkohë që në stadet e avancuara primaret janë trajtimet me radioterapi dhe kimioterapi në varësi të situatës.
- A mund të parandalohet kanceri i qafës së mitrës? Çfarë këshilloni?
Sigurisht që kanceri i qafës së mitrës mund të parandalohet, ka një ndryshim midis vendeve në zhvillim ku bën pjesë edhe Shqipëria dhe vendeve të zhvilluara ku teknikat e parandalimit janë shumë të zhvilluara. Parandalimi në botë kryhet përmes teknikave të pap testit dhe testeve të HPV-së që pasohen nga kolposkopia, biopsia dhe trajtimet. Të gjitha sa u përmendën ndihmojnë në zbulimin shumë të hershëm të kancerit të qafës së mitrës në stade pre-kanceroze ku edhe trajtimi pasohet nga shërimi i plotë i pacientëve që i nënshtrohen këtij trajtimit. Ndërkohë që në Shqipëri vazhdon akoma për fat të keq një pjesë rreth 70 – 75 % e pacientëve shfaqen në stade të avancuara, ku jo vetëm që janë në fazën e tumorit invaziv por janë edhe në fazë aq të avancuar sa nuk mund të intervenohet dhe si pasojë efektet e trajtimit janë më pak të sukesshme. Këshilla që unë mund t’u jepja femrave shqiptare, do të ishte të ishin në kontakt të vazhdueshëm me gjinekologun, qofshin në rrethe apo në Tiranë. Duhet ti nënshtrohen Pap testeve femrat nga mosha 20 – 60 vjeç. Pap testet duhet të kryehen sipas një protokolli që do të rekomandojë gjinekologu dhe në varësi të ndryshimeve të pap testeve dhe trajtimeve përkatëse. Nëse kryhet kontrolli periodik i këshilluar, kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje pothuajse plotësisht e kurueshme dhe e shërueshme. / Burimi: Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza
No comments:
Post a Comment