Friday, February 26, 2021

Shqipëria po plaket, sfidat demografike dhe shëndetësore të shekullit 21

UNFPA në Shqipëri prezantoi sot një analizë të detajuar mbi Sfidat Demografike dhe Shëndetësore me të cilat përballet Shqipëria në Shekullin 21. Hartuar nga një grup ekspertësh në fushat e demografisë dhe shëndetit publik, nga këndvështrimi shkencor, ky raport ka një rëndësi të veçantë, sepse nxjerr në pah sfidat më emergjente të Shqipërisë, si edhe tenton të japë rekomandime mbi hartimin dhe zbatimin e disa politikave të integruara gjithëpërfshirëse si një mënyrë për t’u përballur me këto sfida, politika jo vetëm për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve, por edhe për nënat e tyre.

“Raporti nxjerr në pah nevojën për t’u përqendruar tek potenciali i të rinjve në vend, jo vetëm për të ndaluar migracionin, por edhe për të ngadalësuar procesin e mplakjes. Raporti gjithashtu thekson se fokusi tek të moshuarit duhet të përbëjë një axhendë të re për kujdesin shëndetësor dhe social. Raporti nuk le më pas vëmendjen ndaj të drejtave të njeriut dhe të drejtave të shëndetit riprodhues. Duke adresuar rregullimin e abortit, ndalimin e abortit për shkak të gjinisë, si edhe duke fuqizuar gruan për të marrë vendime vetë, ky raport nënvizon rëndësinë e të drejtave të shëndetit riprodhues si pjesë e të drejtave të njeriut.”, – u shpreh Dr. Arjan Gjonca, Ekspert i Demografisë në London School of Economics, një nga autorët e analizës.

“Raporti dëshmon përmirësimin e qëndrueshëm të shumë treguesve shëndetësorë gjatë viteve të fundit, por, njëkohësisht edhe nevojën për rritjen e nivelit të edukimit shëndetësor të mbarë popullsisë dhe bën thirrje për angazhim serioz të qeverisë për rritje të qëndrueshme të financimit në sektorin shëndetësor si parakusht themelor për të garantuar mbulesë shëndetësore universale.” – u shpreh Dr. Genc Burazeri, Ekspert i Shëndetit Publik një tjetër autor i këtij raporti.

Raporti është një vazhdim i punës së bërë me Studimin Shqiptar Demografik dhe Shëndetësor 2017-2018 (ADHS 2017-2018) dhe përdor të dhënat e ADHS dhe të një numri të madh burimesh të disponueshme për çështjet e trajtuara, që nga regjistrat vitalë, të dhënat e censuseve, të dhënat nga përdorimi i shërbimeve e deri tek studime të veçanta në popullatë.

“UNFPA shpreson që kjo analizë e thelluar do të shërbejë si një bazë për sektorin publik shtetëror dhe atë joqeveritar për të përmirësuar më tej politikat që lidhen me shëndetin dhe demografinë e popullit shqiptar.”, – deklaroi Zj. Elsona Agolli, Analiste Programi për Çështjet Gjinore dhe Popullsinë në zyrën e UNFPA në Shqipëri.

Ky raport u prezantua në partneritet me Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, Punës dhe Çështjeve Sociale koordinuar nga Fondacioni NESMARK si partner zbatues i UNFPA Albania.

SFIDAT DEMOGRAFIKE DHE SHËNDETËSORE NË SHQIPËRI

REKOMANDIME PËR POLITIKAT

 

Fokus tek fëmijët dhe nënat – një plan për të përmirësuar vdekshmërinë neonatale dhe perinatale

Shqipëria nuk duhet të shqetësohet thjesht për numrat e popullatës. Politikat më të fundit pronataliste, të cilat inkurajojnë lindjet, nuk mund të jenë përgjigja e vetme, ndërkohë që nuk japin zgjidhje afatgjata. Qeveria e Shqipërisë duhet të konsiderojë hartimin e një politike të integruar multidisiplinore dhe multisektoriale, që përfshin rininë dhe çështjet gjinore. Kjo do të kishte efekte të prekshme dhe të qëndrueshme mbi demografinë dhe zhvillimin e vendit, siç është demostruar në mënyrë te suksesshme në vende të tjera.

Lidhur me stanjacionin e dekadës së fundit në nivelin e vdekshmërisë foshnjore dhe fëminore, është e këshillueshme të ndiqet sërish një qasje e integruar dhe multisektoriale. Ajo duhet të fokusohet jo vetëm në përmiresimin e cilësisë së shërbimeve në maternitete, përfshirë pajisjet dhe personelin, të cilat janë të rëndësishme për të shpëtuar jetët e foshnjave të sapolindura, por fokusi duhet të përfshijë edhe kujdesin për nënat gjatë shtatëzanisë, çka është thelbësore për mbrojtjen e shëndetit si të nënës, ashtu edhe të foshnjes.

 

Të dhënat duhet të përmirësohen. Të dhënat mbi shëndetin e nënave dhe fëmijëve duhet të sigurohen jo vetëm përmes zyrave të gjëndjes civile, të cilat regjistrojnë vdekjet dhe shkaqet e tyre, por edhe përmes shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Ky burim informacioni mund të jetë më i saktë, bazuar në një traditë të ruajtjes dhe raportimit të të dhënave me cilësi të lartë pranë shërbimeve të nënës dhe fëmijës në kujdesin parësor.

 

Fokus tek të moshuarit – një axhendë e re për kujdesin shëndetësor dhe social

Në 15 vitet e ardhshme vendi do të përjetojë një rritje të paprecedentë të popullatës mbi 65 vjeç. Situata do të bëhet kritike lidhur me kujdesin shëndetësor dhe social, çka do të kërkojë një ndryshim në gjithë qasjen e kujdesit drejt një strategjie të integruar për ofrimin e shërbimeve.

Qeveria duhet të mendojë se si të integrojë kujdesin shëndetësor dhe atë social për të moshuarit dhe, sa më shpejt të arrihet kjo, aq më shumë vite jete do të shpëtohen dhe aq më e lartë do të jetë cilësia e jetës së të moshuarve në shoqërinë shqiptare.

Një tjetër moment me rëndësi lidhur me shëndetin e të moshuarve është ndjekja e qasjeve të balancuara mes trajtimit dhe parandalimit të sëmundjeve kronike, duke ruajtur një prioritet për parandalimin në kushtet e burimeve të kufizuara në sistemin shëndetesor.

 

Shëndeti Mendor – barriera në sistem

Shqipëria nuk bën përjashtim nga prirjet globale që i projektojnë problemet e shëndetit mendor si një nga çështjet më madhore shëndetësore të shekullit 21. Faktet tregojnë një prevalencë të lartë të problemeve të shëndetit mendor tek të rinjtë dhe të moshuarit në Shqipëri.

Si hap i parë, vendi duhet të vijojë të mbështesë dhe përmirësojë decentralizimin e shërbimeve në nivel lokal, duke mbështetur kujdesin shëndetësor parësor të identifikojë në kohë çrregullimet e shëndetit mendor; duke ndërtuar më shumë struktura në nivel komunitar, duke përmirësuar trajnimin për punonjësit socialë, psikologët dhe infermierët se si të ndjekin dhe trajtojnë problemet në komunitet dhe duke përmirësuar mekanizmat për sistemet e informacionit.

Një fokus tjetër i politikave duhet të jetë edukimi i popullatës së përgjithshme, sidomos i të rinjve. Kjo është jetike me qëllim shmangien e stigmës.

Kush duhet të paguajë për kujdesin shëndetësor në Shqipëri?

Pagesat nga xhepi janë shumë të larta në Shqipëri dhe kanë krijuar një bazë për pabarazi lidhur me përdorimin e niveleve të ndryshme të shërbimeve. Ndërkohë që investimi në sektorin publik shëndetësor është rritur lehtësisht vitet e fundit, duhen shumë më tepër financime për përballimin e ndryshimeve në popullatë që lidhen me tranzicionin epidemiologjik dhe pritshmëritë në rritje të qytetarëve për shërbime më cilësore shëndetësore. Kjo është akoma më e rëndësishme në kushtet kur arritja e objektivave afatgjatë të mbulimit universal me shërbime vihet në dyshim. Është e nevojshme që qeveria të ndërmarrë politika rregullatore për marrëdhëniet midis ofruesve publikë dhe privatë, duke mbështetur mes të tjerash edhe me më shumë financime shërbimin shëndetësor publik.

No comments:

Post a Comment