Dy javë pasi mori dozën e parë të vaksinës, çuditërisht, mjeku i njohur infeksionist Pëllumb Pipero, rezultoi pozitiv ndaj Sars-Cov-2.
Në një rrëfim për Top Story, ai e konsideron si betejën më të vështirë përballjen me covid 19. Mjeku Pipero është i vetmi rast i infektuar në vendin tonë, pasi ka bërë dozën e parë të vaksinës anticovid.
“Ishte një nga betejat më të vështira të jetës time. Ato pyetjet posikur, posikur? Aq më tepër që kjo sëmundje ka ende shumë të panjohura. Sëmundjen e kalova në shtëpi me mjekime të cilat mund të aplikohen në kushte shtëpie me ndihmën e infermierëve se një pjesë e trajtimit ishte me injeksione veçanërisht me ato që në gjuhën e popullit quhen hollues gjaku” u shpreh infeksionisti, Pëllumb Pipero.
Megjithëse kaloi një formë të lehtë deri në mesatare të sëmundjes dhe simptoma më e rëndë ishte prekja deri në 35% e mushkërisë, ai rrëfen se sfida e vërtetë dhe me e veshtira ishte perballja me ankthin, per te cilin ka marre terapi specifike.
“ Nuk është e lehtë të gjesh sekretin e luftimit të stresit unë personalisht nuk e gjeta pata një javë ankth dhe pagjumësi, përgjithësisht ne rekomandojmë qetsues të gjithë pacientëve edhe vetes time edhe kolegët më rekomanuan. Është e domosdoshme që pagjumësi dhe ankthin ta mjekojmë pra nuk duhet të kemi frikë ta mjekojmë sepse është e domosdoshme që gjatë kësaj periudhe të flesh sa më gjat dhe i qetë. Ankthi nuk ikën me fjalë por duhet mjekuar” u shpreh Pëllumb Pipero, Infeksionist.
Për të, sëmundja iu shfaq në një moment krejt të papritur, por e konsideron veten me fat që kishte bërë dozën e parë të vaksinës, e cila kish nisur prodhimin e antitrupave. Ndërsa aktualisht është në pritje të marrë dozën e dytë të vaksinës.
“Isha shumë i suprizuar se kishim kaluar më shumë se 1 vit nga fillimi i pandemisë isha me fat që isha i painfektuar dhe arrita të vaksinohem dhe pas 2 javësh rezultova pozitiv me Covid -19 besoj falë saj e kalova më lehetë sepse kishte filluar prodhimi i antitrupave te cilat stimulohen nga vaksina edhe pse ishte doza e pare” u shpreh infeksionisti, Pëllumb Pipero.
21 ditë pasi u infektua, dje veshi për herë të parë bluzën e bardhë për t’u rikthyer sërish në pavijon, rikthim i cili do të jetë i plotë vetëm javës që vjen. Por rikthimi për të nuk ishte aspak i këndshëm, referuar shifrave të larta të të infektuarve dhe të shtruarve, përfshirë këtu edhe rastet fatale ndër të rinjtë. Spitalet covid po shkojnë drejt ezaurimit të kapacieteve, ndërsa ministria e Shëndetësisë aktivizoi dje skenarin e parë duke përfshirë edhe spitalet rajonale në trajtimin e covid.
“ Moshat e reja kanë filluar të përgjigjen më keq sepse bëjnë hiperimun janë më imun më të fuqishëm. Studimet e fundit tregojnë se këto antikorpet imune që mundësojnë që organizmi të bëj një sëmundje autoimmune në vetvete dhe të përgjigjet më egër kjo është tipike te moshat e reja dhe shpresoj që fundi Prillit të na gjejë me numër shumë të kufizuar infektimesh” u shpreh Pëllumb Pipero, Infeksionist.
Sipas Piperos, shpresat janë tek vaksinimi dhe imuniteti natyror që sipas tij, do të na çojnë drejt fundit të pandemisë. Por për këtë duhet të presim fundin e 2021-it. Pas kësaj beteje personale, ai ka një këshillë për të gjithë ata që infektohen nga covid.
“Të mos kalojmë nga një mjek tek një tjetër sepse nuk është njëlloj është tjetër gjë të fillosh sëmundjen nga fillimi dhe tjetër gjë ta fillosh me dike dhe ta mbarosh me dike tjetër, kështu nuk përfitojmë perkundrazi humbasim” u shpreh infeksionisti, Pëllumb Pipero.
No comments:
Post a Comment