Friday, February 26, 2021

Paradoksi i dytë i vdekshmërisë në Shqipëri: Nivele të larta të vdekshmërise foshnjore dhe neonatale

Shqipëria vijon të perjetojë nivele të ulëta të vdekshmërisë tek të rriturit krahasuar me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, por nivele të larta të vdekshmërise foshnjore dhe neonatal. Kjo dukuri mbështet kërkime të mëparshme, ku përshkruhet i ashtuquajturi ‘paradoksi i dytë i vdekshmërise në Shqipëri’.

UNFPA në Shqipëri prezantoi sot një analizë të detajuar mbi Sfidat Demografike dhe Shëndetësore me të cilat përballet Shqipëria në Shekullin 21. Hartuar nga një grup ekspertësh në fushat e demografisë dhe shëndetit publik, nga këndvështrimi shkencor, ky raport ka një rëndësi të veçantë, sepse nxjerr në pah sfidat më emergjente të Shqipërisë, si edhe tenton të japë rekomandime mbi hartimin dhe zbatimin e disa politikave të integruara gjithëpërfshirëse si një mënyrë për t’u përballur me këto sfida, politika jo vetëm për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve, por edhe për nënat e tyre.

Problemet neonatale, apo të lidhura me lindjen, shkaktuan të paktën 46.3% të vdekjeve foshnjore në 2010 dhe 69.2% në 2018. Raporti krahasimisht i lartë i vdekjeve neonatale mes vdekjeve foshnjore nënvizon nevojën urgjente të forcimit të shërbimeve të kujdesit perinatal, si në nivel kombëtar, por sidomos në zonat më të paprivilegjuara të vendit, për të adresuar problemet në lindje të kategorive më vulnerabël dhe grupeve të margjinalizuara apo minoriteteve.

NDRYSHIMET DHE SFIDAT DEMOGRAFIKE NË SHQIPËRI

Në 2019, Shqipëria përjetoi një situatë të re demografike, të karakterizuar nga jetëgjatesi e lartë dhe fertilitet shumë i ulët. Jetëgjatësia ka vijuar të rritet në nivele shumë të larta, shpesh duke kaluar edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në 2018, Shqipëria kishte një jetëgjatësi prej 80.6 vjeç për gratë dhe 77.4 vjeç për burrat. Jetëgjatësia mesatare për gratë është më e larta mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që për burrat kalohet vetëm prej Kroacisë. Niveli i fertilitetit është ndër më të ultit në Europë; 1.37 fëmijë për grua në moshë riprodhimi në vitin 2018. Kjo është edhe më befasuese sepse është arritur në kushtet e një prevalence shumë të ulët të përdorimit të kontraceptivëve, ndërkohe që metodat tradicionale ngelen mbizotëruese.

Shqipëria vazhdon të jetë një vend, i cili ka arritur “shëndet të mirë me kosto të ulët” me jetëgjatësi të lartë për nivelin e saj ekonomik. Vazhdon mesa duket ai që në literature është quajtur ‘paradoksi Shqiptar’. Shqipëria ka arritur një nga nivelet më të ulëta të fertilitetit në Europë, në kushtet e sjelljeve sociale shumë të ndryshme nga ato të vendeve të tjera Europiane – martesa të hershme (mosha mesatare e martesës së parë = 21.9 vjec) dhe fertiliteti të hershëm (mosha mesatare në lindjen e parë = 26.4 vjec). Kjo duket te jetë një rrugë paradoksale drejt fertilitetit të ulët, duke ruajtur aspekte të veçanta të traditave dhe normave tradicionale. Për fat të keq, në Shqipëri vazhdon të vërehet nje raport i pabalancuar mes sekseve në lindje, me rreth 110 lindje foshnjash meshkuj kundrejt 100 lindjeve foshnjash femra(2017). Kjo prirje dëshmon me sa duket për aplikimin e abortimit selektiv sipas seksit në Shqipëri. Eshtë e nevojshme që kjo dukuri të adresohet me politikat e duhura. Ndërkohë që lidhur me fertilitetin dhe mortalitetin, Shqipëria “është duke u sjellë” në mënyrë të ngjashme me pjesën më të madhe të Europës, lidhur me migrimin e popullsisë, vërehen prirje dhe dukuri që hasen kryesisht në Europën Lindore, ku migrimi është shndërruar në përcaktorin më të rëndësishëm të rritjes së popullsisë dhe strukturës moshore të saj. Ashtu si në shumë vende të tjera të Europës lindore, Shqipëria është duke përjetuar nje rritje negative të popullatës, të përcaktuar nga një nivel i lartë migrimi.

Raporti nxjerr në pah nevojën për t’u përqendruar tek potenciali i të rinjve në vend, jo vetëm për të ndaluar migracionin, por edhe për të ngadalësuar procesin e mplakjes. Raporti gjithashtu thekson se fokusi tek të moshuarit duhet të përbëjë një axhendë të re për kujdesin shëndetësor dhe social. Raporti nuk le më pas vëmendjen ndaj të drejtave të njeriut dhe të drejtave të shëndetit riprodhues. Duke adresuar rregullimin e abortit, ndalimin e abortit për shkak të gjinisë, si edhe duke fuqizuar gruan për të marrë vendime vetë, ky raport nënvizon rëndësinë e të drejtave të shëndetit riprodhues si pjesë e të drejtave të njeriut.”, – u shpreh Dr. Arjan Gjonca, Ekspert i Demografisë në London School of Economics, një nga autorët e analizës.

Popullata shqiptare është moshuar me shumë shpejtësi, me një rritje të proporcionit të personave mbi 65 vjeç më të shpejtë se në vende të tjera. Në 2020 popullata mbi 65 vjeç është 14.7% dhe pritet të arrijë 24% në vitin 2035. Kjo nuk i dedikohet vetëm nivelit në ulje të fertilitetit, por sidomos migrimit afatgjatë të pjesës në moshë aktive të popullatës, për të rezultuar në dukurinë e moshimit nga mesi i piramidës. Shqipëria ka humbur rreth një të tretën e popullatës së saj të 1989 dhe ndryshe nga ç’shpresohej, nuk ka përfituar nga i ashtuquajturi ‘dividend demografik’.

 

SHËNDETI DHE FAKTORËT RISK

Shqipëria vijon të perjetojë nivele të ulëta të vdekshmërisë tek të rriturit krahasuar me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, por nivele të larta të vdekshmërise foshnjore dhe neonatal. Kjo dukuri mbështet kërkime të mëparëshme ku përshkruhet i ashtuquajturi ‘paradoksi i dytë i vdekshmërise në Shqipëri’. Shkaqet kryesore të vdekshmërisë janë të ndryshme në grup mosha të ndryshme; problemet e lidhura me shtatzaninë dhe lindjen si dhe sëmundje të caktuara infektive shkaktojnë shumicën e vdekjeve foshnjore; aksidentet dhe vetëvrasjet kërcenojnë sidomos jetën e adoleshentëve dhe të rinjve; sëmundjet jo të trasmetueshme janë kërcënimi kryesor për jetën e te rriturve dhe të moshuarve.

Gjatë 30 viteve të fundit, nivelet e vdekshmërisë foshnjore dhe fëminore kanë vijuar të bien në Shqipëri, nje prirje në linjë me përmirësimin shkallë shkallë të mirëqenies së popullatës dhe kujdesit shëndetësor. Dekada e fundit ka dëshmuar një stanjacion në prirjen e përmirësimit të të dy treguesve, rrjedhojë e nivelit të vdekshmërisë neonatal, që ngelet i lartë dhe i pa ndryshuar prej mëse dy dekadash, dhe që përbënte më shumë se 75% të vdekshmërisë foshnjore në 2018. Problemet neonatale, apo të lidhura me lindjen, shkaktuan të paktën 46.3% të vdekjeve foshnjore në 2010 dhe 69.2% në 2018. Raporti krahasimisht i lartë i vdekjeve neonatale mes vdekjeve foshnjore nënvizon nevojen urgjente të forcimit të shërbimeve të kujdesit perinatal, si në nivel kombëtar, por sidomos në zonat më të paprivilegjuara të vendit, për të adresuar problemet në lindje të kategorive më vulnerabël dhe grupeve të margjinalizuara apo minoriteteve.

Shkaqet kryesore të vdekjeve tek adoleshentët dhe të rinjtë në Shqipëri kanë të bëjnë me shkaqet e jashtme (psh aksidentet dhe vdekjet e dhunshme). Ndërkohë që niveli i pergjithshëm i vdekshmërise nga shkaqet e jashtme përfshirë aksidentet rrugore ka qënë në ulje prej vitit 2012, niveli i vetëvrasjeve ka ngelur i pandryshuar në vite. Megjithëse vdekshmëria për këtë grup moshe është në dukje e ulët, ajo është përgjegjëse për një numër të madh vitesh të shëndetshme të humbura. 5 faktorët kryesorë të riskut në Shqipëri në 2017 ishin tensioni i lartë i gjakut, dieta e pashëndetshme, duhani, mbipesha dhe hiperglicemia. Rreth 33% e gjithë vdekjeve dhe 17% e gjithë barrës së sëmundjeve në popullatën shqiptare i atribuohet tensionit të lartë te gjakut, duke e bërë atë faktorin risk më të rëndësishëm në vend. Risqet lidhur me dietën, janë faktori risk i dytë më i rëndësishëm dhe llogariten si shkaqe fillestare në 27% të gjithë vdekjeve dhe 15% të gjithë barrës së sëmundjeve.

Duhanpirja është faktori i tretë më i rëndësishëm që shkakton 19% të vdekjeve dhe 13% të të gjithë sëmundjeve në popullatën shqiptare. Ka dëshmi të qëndrueshme se prevalenca e duhanpirjes është në rënie në Shqipëri, sidomos mes meshkujve të rritur. Megjithatë, duhanpirja mes meshkujve në vendin tone ngelet e lartë krahasuar me shumë vende perëndimore.

No comments:

Post a Comment