Mjeku epidemiolog Fabian Cenko thotë se vaksinimi është një instrument mbrojtës ndaj COVID, por ne duhet që t’i rikthehemi sërish disa masave bazë për parandalimin e përhapjes së COVID, siç janë distancimi social dhe vendosja e maskave në ambientet e mbyllura dhe publike.
Duke e konsideruar vaksinimin kundër COVID, si një ‘instrument’ mbrojtës dhe parandalues ndaj koronavirusit, Cenko tha për Report Tv se nuk duhet të mjaftohemi vetëm me vaksinimin, por duhet të rikthehen me urgjencë masat mbrojtëse. Kjo sipas tij, kombinuar dhe me vaksinimin kundër COVID, do të frenojë përhapjen e virusit dhe parandalimin e rasteve fatale.
‘Vaksinimi vijon të jetë një instrument që është konsideruar si një armë mbrojtëse parandaluese. Duke qenë se ka persona që nuk mund të vaksinohen për arsye të tjera shëndetësore, parandalimi i variantit Delta, që është shumë i transmetueshëm, nuk duhet të mjaftohet vetëm me vaksinën. Por sistemet shëndetësore në bashkëpunim me autoritetet, duhet t’i japin një rikthim të rëndësishëm dhe masave të tjera mbrojtëse siç është distancimi social si dhe përdorimi i maskave mjekësore në ambiente të mbyllura dhe publike. Këto masa duhet të rikthehen me emergjencë.
Personat e vaksinuar mund ta transmetojnë sëmundjen që do të thotë se vaksinimi nuk mjafton, por duhet të shoqërohet edhe me masa të tjera shtesë për të frenuar infeksionin. Përdorimi i maskave mjekësore, pasi janë barriera efikase për transmetimin e virusit. Masat që duhet të merren duhet të jenë të provuara dhe që ndikojnë në uljen e rasteve të reja. T’u rikthehemi masave anto-Covid. Unë mendoj se të gjithë personat që kanë një imunitet të ulët janë të rrezikuar që të infektohen në momentin që nuk janë vaksinuar.’- tha Cenko.
Teksa iu referua rritjes së rasteve me Covid gjatë ditëve të fundit, mjeku Cenko i lidhi shifrat me përhapjen e variantit të ri, Delta, ku tha se e transmeton virusin dy deri në tre herë më lartë. Mjeku tha se vaksinimi kundër variantit Delta, megjithëse nuk parandalon shenjat klinike, është mjaft efikas në format e hospitalizuara dhe rastet fatale.
‘Qarkullimi dhe dominimi i variantit Delta, ka një shkallë transmetueshmëri dy deri në tre herë më të lartë. Varianti Delta e transmeton virusin shumë herë më shpesh. Ky trend rritje rastesh i dedikohet variantit Delta. Varianti Delta nuk është përgjegjës i formave klinike më të rënda sesa variantet e mëparshme. Vaksina në këtë variant, edhe nëse nuk parandalon shenjat klinike në një përqindje të caktuar është mjaft efikase në format e hospitalizuara dhe rastet fatale.’- tha Cenko.
No comments:
Post a Comment